Kreu i Deçanit ia argumentoi delegacionit të 'Europa Nostra' pikat ku janë keqkuptuar

Kreu i Deçanit ia argumentoi delegacionit të 'Europa Nostra' pikat ku janë keqkuptuar

19:24, 06/07/2022

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është takuar sot me një delegacion nga “Europa Nostra”, ku temë diskutimi ka qenë Manastiri i Deçanit.

Ramosaj, në një intervistë për Klan Kosova, tha se është munduar t’ia sqarojë delegacionit se është dëgjuar vetëm njëra palë.

“Është dëgjuar vetëm njëra palë, kurse nuk është dëgjuar pala tjetër, atë jam munduar ta sqaroj sot në takim me ta, nevojën e zhvillimit ekonomik të kësaj komune, nevojat parësore që kjo komunë i ka me bjeshkët e veta, me monumentin e manastirit dhe po ashtu jemi munduar të argumentojmë 3 apo 4 pika ku ata janë keqkuptuar, mbi bazën e të cilave kanë marrë një vendim që ka qenë i gabueshëm në atë kohë, mirëpo që besoj se duhet të përmirësohet dhe duhet të dilet prej kësaj situate”, tha Ramosaj.

Kryetari deçanas tha se, sipas një raporti, për më shumë se 10 vjet nuk ka pasur ndonjë incident, të çfarëdo natyre, përreth manastirit, për çka tha se për këtë nuk ka qenë në dijeni delegacioni.

“Ne kemi punuar në rrugën që i përket zonës së veçantë, i kemi dërguar një letër Manastirit të Deçanit, kemi marrë pëlqimin nga ta që të vazhdojmë në këtë rrugë, mandej kjo është keqinterpretuar, u bë diçka tepër e madhe, e cila është paraqitur se Komuna e Deçanit nuk po pyet për ligjet mbi zonën e veçantë, nuk po pyet për ekzistencën e Manastirit, dhe po bën krye në vete gjithçka”, u shpreh Ramosaj.

“Unë besoj dhe shpresoj që as te një organizatë joqeveritare, as te një mekanizëm institucional, të mos investojë për të keq në këto tema, sepse janë tema të ndjeshme”.

Sa i përket takimit të mbrëmshëm të këtij delegacioni me igumenin Sava Janjiq, Ramosaj tha se janë takime normale.

“Në rrethana kur je në shtëpinë e dikujt, nuk mundesh me ndërhy si e pret mysafirin, shpresoj që edhe ne i kemi pritur mirë në komunë“.

“Obligimi institucional i kësaj komune është që të tregojë të vërtetën mbi atë që po ndodh në raport me manastirin dhe po shpresoj e besoj se ia kemi arritur këtij qëllimi”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco