Ministrja e Ekonomisë: Nga 120 milionë euro buxhet për energji, deri tash janë shpenzuar 23 milionë

Ministrja e Ekonomisë: Nga 120 milionë euro buxhet për energji, deri tash janë shpenzuar 23 milionë

19:26, 05/07/2022

Në tri vendime, Qeveria e Kosovës gjatë muajve të dimrit që shkoi pati ndarë 120 milionë euro për KEK-un dhe subvencionim të energjisë. Nga to, deri tash janë shpenzuar 23 milionë euro, ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas saj, 20-milionëshi i parë i ndarë për KEK-un është shpenzuar plotësisht. Nga subvencioni i dyti, prej 10 milionë eurosh, janë shpenzuar tre. Shtatë milionë euro ka thënë se gjenden në llogarinë e KEK-ut. Ndërsa për 90 milionë eurot tjera të ndara, Rizvanolli ka thënë se ato ende janë në Thesarin e Qeverisë.

Qeveria pati arsyetuar ndarjen e mjeteve për tejkalim më të lehtë të krizës me energjinë që pati kapluar vendin gjatë dimrit.

“Për herë të parë po prijmë me diçka”, tha ajo në KTV.

Duke komentuar grantin për energjinë nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), ministrja Rizvanolli ka thënë se Kosova për herë të parë po prin me diçka. Bëhet fjalë për bateritë që, sipas projektit, do të shfrytëzohen për rezerva deri në 340 MWh.

Ajo ka thënë se për këto bateri, pas dy vjetësh do të fillojë prokurimi. Ka thënë se nga projekti Kosova do të ketë përfitime të mëdha e të menjëhershme si dhe në afat të mesëm për tranzicionin energjetik.

“Porjekti është inovativ. Po flasim për teknologji të fundit… Kapacitet e baterive në raport me ekonominë tonë dhe numrin e banorëve do të jetë ndër projektet më të mëdha e më të para në Evropë… Jam krenare që kemi shkuar në këtë drejtim e për herë të parë po prijmë për diçka e jo të jemi me dekada prapa. S’do të jetë lehtë, por janë disa hapa të rëndësishëm. Ky është ndër ta”, ka thënë ajo.

Sipas Rizvanollit, projekti ia sjell Kosovës edhe avantazhin e të qenit e para në rajon edhe për ndërtim të shkathtësive të fuqisë punëtore për këtë sektor.

Për projektin parashihet ndarja e parcelave prej disa hektarësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco