Hovenier: Kjo është arsyeja pse ShBA-të kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës

Hovenier: Kjo është arsyeja pse ShBA-të kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës

21:42, 01/07/2022

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka deklaruar se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë janë arsyet pse ShBA-të, kanë qenë një përkrahëse e hershme, e flaktë dhe e përkushtuar e pavarësisë së Kosovës dhe tash shtoi se mbeten të palëkundur duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës.

Këto komente ambasadori Hovenier i bërë gjatë pritjes që i bëri shumë mysafirëve të ftuar për të shënuar 246-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një ambient të ngrohtë e dekorues, Ambasada Amerikane ftoi shumë mysafirë nga jeta politike, shoqërore e kulturore. Aty u pa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me bashkëshortin dhe dy vajzat e saja, si dhe kryeministri Kurti me bashkëshorten e tij. Po ashtu, u pa edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, drejtues të subjekteve politike, deputetë, ish deputetë, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier tha para të pranishmëve se 46 vjet më parë, 56 përfaqësues nga 13 koloni amerikane u mblodhën në Filadelfia dhe ratifikuan atë që atëherë konsiderohej si një dokument radikal, Deklaratën e Pavarësisë, ku ajo shpalli statusin e kolonive si shtete sovrane të pavarura.

Sipas tij, kjo jo vetëm që ishte hapi i parë në formimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por përshkroi dhe përshkruan aspiratat dhe vlerat e tyre si popull, për të cilat vazhdojnë të përpiqen dhe të punojmë sot.

“Ajo paraqet një citim premtues amerikan: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë burrat -dhe unë po shtoj në mënyrë redaktuese- dhe të gjitha gratë janë krijuar të barabartë që të janë të pajisur nga krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme, siç janë; jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”. Ky premtim udhëzon edhe politikën e jashtme amerikane, jashtë kufijve tanë dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara kanë qenë një përkrahëse e hershme, e flaktë, e përkushtuar e pavarësisë së Kosovës, prandaj ne mbetemi të palëkundur siç kemi qenë gjithmonë dhe duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës. Pra, sot, ndërsa ne festojmë 246 vjetorin e Shteteve të Bashkuara si një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ne gjithashtu festojmë së bashku, 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe përparimin e jashtëzakonshëm që keni arritur në këtë periudhë të shkurtër kohore“, ka thënë ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar të gjithë popullin amerikan në 246 vjetorin e pavarësisë, posaçërisht ata që shërbejnë në vendin tonë, duke thënë se e di që është vështirë që të mos jenë në vendin e tyre dhe larg njerëzve që duan, por ata duhet ta dinë se Kosova është shtëpia e tyre e dytë.

“Për ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për shumë në mbarë botën është toka e lirisë dhe e mundësive, shtëpia e të lirëve dhe trimave, por është gjithashtu mbrojtësi global i paqes dhe lirisë dhe një vend shprese dhe rehatie për njerëzit anembanë globit që besojnë në të njëjtin vizion për botën tonë dhe për të ardhmen…. sot nuk është vetëm një festë për Shtetet e Bashkuara, është një festë për pavarësinë tonë Kosovën, dhe popullin tonë të pavarur gjithashtu. Ajo që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë bërë për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën për të ekzistuar, për çdo burrë dhe grua, për çdo fëmijë që e quan Kosovën shtëpi, shkon përtej çdo partneriteti të njohur në botë. Në ditët tona më të mira, dhe në ditët tona më të këqija, Amerika ka qëndruar gjithmonë pranë nesh, dhe ne do të jemi gjithmonë pranë jush “, ka thënë Osmani.

Kurse, kryeministri Albin Kurti tha se Deklarata e Pavarësisë së Amerikës prezantoi kthesën e madhe në historinë botërore, pasi historia moderne politike nuk mund të kuptohet shumë më pak e vlerësuar pa revolucionin amerikan dhe Deklaratën e Pavarësisë.

“Në fund të shekullit të 20-të, ndërhyrja humanitare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe e udhëhequr nga ideja e supremacisë së të Drejtave të Njeriut mbi sovranitetin shtetëror, do të siguronte mbijetesën e popullit të Kosovës. Sot, ne jemi të përkushtuar ndaj jetës, lirisë, dhe kërkimit të lumturisë për vendin tonë, për rajonin tonë dhe më gjerë, pavarësisht nga raca, etnia, ngjyra, feja, bindjet politike, orientimi seksual ose çdo dallim tjetër real ose i perceptuar“, tha ai.

Kurti shtoi se në fillim të shekullit të 20-të, shqiptarët luftonin për të siguruar vendin e tyre në mesin e kombeve të pavarura të botës, dhe liderët tanë të atëhershëm i kishin shpresuar edhe idealet amerikane të Presidentit Wilson.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco