'Specialja s’po ua respekton të drejtat që u garantohen të akuzuarve në Hagë'

'Specialja s’po ua respekton të drejtat që u garantohen të akuzuarve në Hagë'

20:36, 01/07/2022

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, më 9 nëntor të vitit të kaluar ka qenë në vizitë treditore në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku është takuar me të gjithë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen aty në paraburgim.

Në raportin vjetor të vitit 2021 thuhet se gjatë kësaj vizite, në takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, Avokati i Popullit ka theksuar se ka obligim kushtetues, ligjor dhe moral t’i vizitojë shtetasit e Kosovës kudo që gjenden në situata të tilla, pavarësisht faktit se ka mandat të kufizuar me ndryshimet kushtetuese e ligjore.

Avokati i Popullit vëren se në kuadër të legjislacionit të Dhomave të Specializuara, me të drejtë i është dhënë vend i posaçëm mbrojtjes së viktimave dhe është me shumë rëndësi që garancitë për mbrojtjen e të drejtave themelore për viktimat të jenë të vendosura në qendër të funksionimit të autoriteteve, me qëllim që këto garanci të sigurojnë mbrojtje të plotë të viktimave.

Tutje në këtë raport thuhet se Neni 23 i ligjit përcakton “Rregullat e Dhomave të Specializuara për procedurën dhe provat e parashikojnë mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve, përfshirë sigurinë, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë e tyre. Këto masa mbrojtëse i përfshijnë, por nuk limitohen, mjetet që janë të përcaktuara në nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Ligji nr. 04/L-123, nenet 5-13 të Ligjit nr. 04/L-015 për mbrojtjen e dëshmitarëve, zhvillimin e procedurave me dyer të mbyllura, paraqitjen e provave me mjete elektronike ose mjete të tjera të veçanta, dhe mbrojtjen e identitetit”.

Raporti i Avokatit të Popullit thotë se nuk ka informim të duhur sa u përket të drejtave të viktimave në proceset gjyqësore dhe kjo do të jetë detyrë e autoriteteve që në të ardhmen të organizojnë fushata me qëllim të informimit të publikut për këtë çështje.

Me kërkesë të Avokatit të Popullit, më 9 prill 2021 është mbajtur takim pune me Avokatin e Popullit të Dhomave të Specializuara, ku ishte planifikuar të diskutohej për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen në shkëmbimin e informatave, për ankesat e pranuara, vizitat e bëra në objektet e paraburgimit dhe nëse është përgatitur ndonjë raport nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara.

Në këtë takim nga ana e Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Avokatit të Popullit të Kosovës nuk i është ofruar asnjë informatë, edhe pse kishte pasur pajtim paraprak për temat, me justifikimin se janë informata konfidenciale.

Neni 223 i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Ligji nr. 04/L-123, thotë se kur masat mbrojtëse nga neni 222, paragrafi 1, i këtij kodi janë të pamjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarit, i cili është propozuar nga mbrojtja, në rrethana të jashtëzakonshme gjyqtari kompetent mund të urdhërojë anonimitet, ku dëshmitari të cilin e ka propozuar mbrojtja mbetet anonim për publikun, të dëmtuarin dhe përfaqësuesit e tij ligjor ose përfaqësuesit e autorizuar.

Në këtë raport, Avokati i Popullit ka adresuar shqetësime sa u përket rrethanave në të cilat funksionon gjykata dhe juridiksioni i saj, siç është barazia e armëve, kohëzgjatja e paraburgimit, të drejtat e të akuzuarve në procedurë, si dhe mungesa e transparencës dhe e bashkëpunimit të Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, Avokati i Popullit në këtë raport ka treguar shqetësimet që ia kanë shfaqur ish-krerët e UÇK-së, pasi që me secilin prej tyre iu mundësua bisedë në hapësirë të veçantë dhe në kohë të mjaftueshme.

Nga të paraburgosurit, sipas raportit, janë ngritur një mori shqetësimesh, si mosrespektimi i parimit të barazisë së armëve gjatë procesit gjyqësor, kohëzgjatja e paraburgimit, mungesa e mbikëqyrjes për të drejtën në mjet efikas juridik, duke aluduar në faktin se gjykata funksionon si një strukturë dhe nuk ka shkallëzim të shprehur për shqyrtimin efikas të mjeteve juridike, vonesa e përkthimeve të procesverbaleve të seancave gjyqësore në gjuhën shqipe, redaktimi i aktakuzës dhe i materialeve të tjera që ua mohon të drejtën që t’i kenë me kohë të gjitha provat dhe informatat në gjuhën që e kuptojnë, standardet e dyfishta të zbatimit të legjislacionit, duke vendosur praktika që nuk janë në përputhje me legjislacionin e Republikës së Kosovë, trajtimin jo të barabartë me të burgosurit e tjerë sa u përket masave kufizuese për mbrojtjen nga pandemia për vizita familjare, pasivitetin e Avokatit të Dhomave të Specializuara dhe mungesën e mënyrës konfidenciale për t’iu drejtuar, etj.

Avokati i Popullit në këtë raport rikujton se zhvillimi i procedurës penale në gjuhën të cilën i akuzuari e kupton, përfshirë edhe të drejtën për t’i marrë materialet e përkthyera, është e drejtë që garantohet me të gjitha standardet ndërkombëtare, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe është obligim i gjykatave që gjatë gjithë kohës së procedurës gjyqësore të kujdesen që të respektohen të gjitha të drejtat e të akuzuarve të garantuara me konventat ndërkombëtare, të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës: në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në Kodin e Procedurës Penale dhe në ligjet e tjera relevante të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, në raport thuhet se mënyra sesi është përcaktuar të veprojë dhe të funksionojë kjo zyrë duket se nuk është në përputhje me standardet dhe me parimet e pranuara nga instrumentet ndërkombëtare që garantojnë pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të Avokatit të Popullit në ushtrimin e funksionit dhe të rolit që kanë.

Sipas të dhënave në ueb-faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, Avokati i Popullit vepron si zyrë e pavarur në kuadër të gjykatës: “Ndonëse është pjesë e Zyrës Administrative, Avokati i Popullit vepron në mënyrë të pavarur për monitorimin, mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Avokati i Popullit ka përgjegjësi ekskluzive për të dy institucionet (Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco