Ftesa e Kurtit lidhur me Vettingun, kush i shkoi në takim e kush e refuzoi

Ftesa e Kurtit lidhur me Vettingun, kush i shkoi në takim e kush e refuzoi

22:54, 29/06/2022

Kryeministri Albin Kurti ka provuar që t’i mbledhë krerët e opozitës për të diskutuar me ta për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë. 

Kreu i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi, e ka pranuar ftesën dhe është takuar sot me Kurtin. 

Lumir Abdixhiku ka refuzuar ftesën, derisa nga AAK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim, por s’kanë treguar se kush do ta takojë kryeministrin.

I pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, për të folur lidhur me procesin e Vettingut në drejtësi.

Pas takimit, doli Krasniqi në konferencë e tregoi për këtë takim.

Krasniqi tha se pas ftesës që ka pranuar nga kryeministri Kurti, për t’u takuar në Qeveri në lidhje me procesin e Vettingut, sot e ka ftuar për takim kryeministrin Kurti në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë shtetëror ku duhet të diskutohen dhe miratohen çështjet me interes vital për qytetarët dhe të ardhmen e vendit.

“Partia Demokratike e Kosovës ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vettingut në Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta të Komisionit të Venecias. Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, tha Krasniqi.

Sipas tij, për të zbatuar një proces të tillë është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.

“PDK, si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit të vet për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet në koordinim të plotë me partnerët strategjikë të vendit, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit.”, ka deklaruar Krasniqi.

Ftesë për takim kishte edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Por, i njëjti e ka refuzuar ftesën.

Sipas Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrisë, pas ftesës së Kurtit, nga LDK kanë deklaruar se “do të japin kontributin e tyre në Kuvendin e Kosovës”.

Këto takime, sipas ZKM-së, organizohen me qëllim të njoftimit rreth procesit të vettingut, koordinimit të përbashkët dhe përfshirjes së gjithë akterëve.

“Me qëllim të njoftimit të mëtejmë lidhur me këtë proces, koordinimit të përbashkët dhe përfshirjes së gjithë akterëve, Kryeministri Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive parlamentare të opozitës: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar takimin me Kryeministrin Kurti, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do të japin kontributin e tyre në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për arsyet pse Abdixhiku ka refuzuar ftesën është deklaruar zëdhënësja politike e kësaj partie, njëherit anëtare e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi.

Halimi tha se “duke njohur rëndësinë e procesit të vettingut në sistenim e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës”.

Për këtë arsye, Halimi tha se është e “panevojshme” ftesa e kryeministrit, për t’u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke njohur rëndësinë e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi ynë do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës.

Andaj, ftesa e kryeministrit Kurti, për t`u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme është e panevojshme”. tha Halimi.

Ftesë për takim mori edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar nga kjo parti, por s’kanë treguar se a do të shkojë vetë Haradinaj apo ndonjë zyrtar tjetër i kësaj partie.

“Nesër, Aleanca e dërgon një përfaqësues, në takim me kryeministrin Kurti”, ka thënë zëdhënësi i kësaj partie, Lulzim Blaka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco