“Çmimi tavan” për naftën, ndërhyrje në tregun e lirë – propozohet ngrirja e akcizës dhe heqja e TVSH-së

“Çmimi tavan” për naftën, ndërhyrje në tregun e lirë – propozohet ngrirja e akcizës dhe heqja e TVSH-së

07:50, 28/06/2022

Qeveria e Kosovës përmes Udhëzimit Administratim nr.03/2022 për Rregullimin e çmimeve të produkteve të Naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme dhe masat tjera mbrojtëse po tenton të ulë marzhën e fitimit tek sektori i naftëtarëve në shitjen me shumicë 2 cent dhe me pakicë 12 cent.

Në anën tjetër, sot Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë sot ka publikuar limitin për çmimet e derivateve të naftës për 24 orët e ardhshme, apo siç njihet ndryshe si “çmimi tavan”, shkruan lajmi.net.

Me këtë vendim, MINT ka bërë të ditur se çmimi maksimal i lejuar për 24 orët e ardhshme i produktit dizel do të jetë 1.85 cent për litër, për benzinë 1.74 cent për litër dhe për gaz 0.78 cent për litër.

Kjo “ndërhyrje” e shtetit në tregun e lirë në kohë krize, nuk po shihet me sy të mirë nga ekspertët e ekonomisë.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se fillimisht duhet të kuptohet se Kosova është duke kaluar në një krizë dhe çdo mohim i krizës është gabim institucional.

“Gjithashtu duhet të mësohet nga përvojat e vendeve të rajonit dhe Evropës se si të mbështetet biznesi dhe qytetari i vendit në këto kohë të krizës. Në këtë drejtim kemi mjaft përvoja që është dashur të zbatohen. Çfarë më brengos më tepër është mungesa e një dialogu publiko-privat dhe më brengos politizimi i aksioneve dhe heshtja e tyre përball vendimeve institucionale. Në këtë drejtim kemi rekomandu që zgjidhja e problemit për derivatet e naftës është ngrirja e akcizës apo ulja e tatimit në vlerën e shtuar për një kohë të caktuar, 3-mujore apo 6-mujore varësisht nga trendët e naftës në BERZA ndërkombëtare, por kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë Gërxhaliu.

Duke folur për vendimin e Qeverisë për ngrirjen e çmimit të fitimit në 12 cent për pakicë dhe 2 cent për shumicë, Gërxhaliu ka thënë se nuk mundet dikush të blejë naftë me 1.91 cent dhe ta shesë atë me 1.85 cent.

“Unë e pashë një vendim i cili është për ngrirjen e çmimit të fitimit, në 12 cent për pakicë dhe 2 cent për shumicë dhe paramendoni sot ishte parapa që të jetë nafta 1.85 cent. Mirëpo nëse sot importoni nga Porto Romano, çmimi është përafërsisht 1.77 ku krejt kësaj i shtohen 12 cent për pakicë dhe 2 cent për shumicë, i bie që çmimi është 1.91 cent. Lind pyetja, kë është duke e mbrojtur vendimi i ministrisë për çmimin tavan? A është duke i orientuar vetëm për grumbullim të buxhetit, apo duhet të mendohet për qytetarë dhe biznes? Nuk besoj se dikush do të blejë naftë për 1.91 cent dhe ta shesë për 1.85 cent. E tëra kjo besoj se po e dëmton sektorin privat, qytetarët dhe në veçanti do të ketë reduktim të numri të të punësuarve në këto biznese”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se dëshiron të besojë që në Kabinetin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka ekspertë të fushës që do të rekomandojnë të mos vazhdohet me një vendim të tillë.

“Unë vlerësoj se në kabinetin e kryeministrit ka ekspertë të fushës dhe s’dua të besoj që do ta rekomandojnë që të vazhdohet një vendim i tillë e të bihet qoftë me parimet e tregut të lirë, qoftë me parime ekonomike të cilat në këtë mënyrë diktate dhe me ndërhyrje të shtetit kam dro që do të cenohen në Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu.

Kujtojmë se vendimin e Qeverisë për caktimin e çmimit tavan e kanë kundërshtuar edhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, e cila ka thënë se vendimi i institucioneve është anti-Kushtetues.

AKB-ja ka kërkuar që udhëzimi i MINT-it të pezullohet, pasi që kanë vlerësuar se ndërhyrja e Qeverisë është e padrejtë ndaj ekonomisë së tregut, duke thënë se ndërhyrja e shtetit në konkurrencën e lirë është shkelje flagrante e të drejtës kushtetuese të Nenit 10 dhe 11 të Kushtetutës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco