Lajçak viziton sot Kosovën, takohet me Kurtin dhe krerët e opozitës

Lajçak viziton sot Kosovën, takohet me Kurtin dhe krerët e opozitës

07:34, 27/06/2022

Një javë pas akordimit për udhërrëfyesin për Marrëveshjen për Energjinë Elektrike mes Kosovës e Serbisë në Bruksel (21 qershor), Miroslav Lajçak, ndërmjetësuesi i deleguar i dialogut mes dy shteteve nga Bashkimi Evropian, do të vizitojë Kosovën.

Lajçak vjen këtë të hënë, 27 qershor, me agjendë të ngjeshur, pasi përveç takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai do të takohet edhe me gjithë liderët e partive opozitare.

Nga njoftimi zyrtar për vizitën e politikanit sllovak, thuhet se “fjalimi për media i emisarit Lajçak është planifikuar për të mërkurën, 29 qershor”, derisa “detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”.

Por, Prishtina nuk do jetë qyteti i vetëm ku do qëndrojë i deleguari i BE-së.

Në agjendën zyrtare atij i parashihet vizitë edhe në Veri të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut.

Atje do takohet me liderë të Listës Serbe, por ftesë për bisedë i kanë bërë edhe nga një organizatë tejtër politike serbe, e njohur si “Mbijetesa e Serbëve”, organizatë që e proklamon veten si opozitë e Listës Serbe.

Lajçak ka vizitë edhe në qytetin e Prizrenit po ashtu, tregon orari i publikuar nga zyra për media e emisarit të BE-së.

Udhërrëfyesi i rënë dakord që supozohet se përfundimisht zgjidh problemin e pagesës së rrymës në Veri të Kosovës, i mbështetur në Marrëveshjet e Brukselit për Energjinë, të dakorduara me 2013 dhe 2015, nuk ishte zhvillimi i vetëm javën që shkoi në raport me BE-në.

Shtatë ditëshi i kaluar pa edhe mbajtjen e Samitit të Bashkimit Evropian ku Këshilli i Ministrave u mblodh edhe me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pritja e ngritur e kosovarëve për liberalizim të vizave nga deklaratat paraprake u godit sërish me togfjalëshin “jeni në rruge të mirë, por ende ka punë”.

I frustruar nga takimi doli edhe Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, i cili kritikoi ashpër Bullgarinë që për shkak të problemeve me të kaluarën ka bllokuar Maqedoninë e Veriut dhe bashkë me të edhe Shqipërinë në hapat e ardhshëm të integrimit.

Nuk është bërë e ditur nëse vizita e Lajçak ndërlidhet me ndonjërën nga ngjarjet e lartëshkruara.

Sllovaku ishte në vizitë edhe në fillim të vitit në Kosovë, veçse rrugën dhe qëndrimin nuk e pati bërë i vetëm.

Bashkë me të ishte edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak gjate konferences per media ne viziten e fundit ne Kosove

Atë kohë, vizita ishte parë si presion i diplomatëve euro-amerikanë për përshpejtim të procesit të dialogut dhe implementimit të marrëveshjeve dypalëshe Kosovë – Serbi.

“Pacta Sunt Servanda”, pati deklaruar atëherë Lajçak, duke u thirrur kështu në parimin universal në marrëdhënie ndërkombëtare, i cili nënkupton se “marrëveshjet duhet të mbahen”.

“Ato për çka jeni dakorduar duhet të zbatohen dhe këtë po ua themi të dyja palëve, po e themi këtë në Prishtinë, po e themi këtë në Beograd”, pohoi Lajçak.

“Keni bërë shumë zotime, keni zbatuar shumë prej tyre, por ka edhe një listë të gjërave që duhet ta bëni, Asociacioni është një prej tyre”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco