Tek nxënësit u gjetën arsenal armësh, nga 1 shtatori shkollat në Ferizaj me sigurim fizik

Tek nxënësit u gjetën arsenal armësh, nga 1 shtatori shkollat në Ferizaj me sigurim fizik

23:36, 24/06/2022

Nga 1 shtatori, shkollat e Ferizajt do të kenë sigurim fizik. Ky vendim i komunës erdhi pasi Policia e Kosovës të premten konfiskoi arsenal armësh, si pistoleta, pushkë, thika e drogë gjatë një operacioni në afërsi të shkollave në Ferizaj.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Ferizajt nëpërmjet një njoftimi në “Facebook”.

“Drejtoria e Arsimit, kaherë ka ngritur këtë shqetësim, duke i ofruar bashkëpunim të plotë organeve të sigurisë dhe drejtësisë. Për këtë çështje, përveç aktiviteteve vetëdijësuese, Drejtoria e Arsimit, ka përgatitur dhe ka të gatshëm projektin e veçantë, që do të lansohet që nga 1 shtatori i këtij viti, ku objektet shkollore do të mbikëqyren nga kompani të specializuara të sigurimit fizik, si masë kjo preventive dhe nxitëse e rritjes së sigurisë në shkolla”, thuhet në njoftimin e komunës, raporton Reporteri.net.

Tutje kanë shkruar se “Lidhur me këtë rast, inkurajojmë dhe apelojmë edhe tek prindërit, mësimdhënësit dhe çdo qytetarë, që ka informacione për zhvillimin e dukurive të tilla negative brenda apo përreth objekteve shkollore, që të denoncojnë rastet e tilla në Polici dhe Drejtorinë e Arsimit, që bashkërisht të kontribuojmë në rritjen e sigurisë në shkolla”.

Kutjojmë se pasditen e së premtes policia njoftoi se gjatë një operacion të zhvilluar në afërsi të shkollave, dhe bastisjeve në disa lokale, shtëpi dhe objekte përcjellëse janë konfiskuar: 5 armë zjarri (pistoleta), 2 armë të gjata gjysmë automatike, sasi e municionit, 40 thika, kryesisht të nxënësve të shkollave të mesme, 10 boksa metali të nxënësit e shkollave të mesme, 6 mullinj për bluarje të marihuanës, 4 shufra metali, dhe 1 elektro shok.

Policia theksoi se pas disa kontrolleve të zhvilluara nga hetues rajonal me rroba civile, të mbështetur edhe nga njësi tjera, kanë ndaluar dhe kontrolluar shumë nxënës në afërsi të shkollave, dhe persona tjerë në rrugë të ndryshme të qytetit.

Policia ka ndaluar 40 persona me dyshimin se kanë përdorur narkotikë. Ndërsa, 20 persona janë ndaluar me dyshimin se kanë shitur narkotikë dhe ndaj tyre janë iniciuar raste penale në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

Ndaj kësaj ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci.

“Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e  sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale”, ka shkruar mes tjerash Nagavci.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco