Rasti ‘Stenta 1’, Ferid Agani thotë se derisa ai ishte ministër nuk kishte ndodhur asnjë rast i tejkalimit të udhëzimit administrativ

Rasti ‘Stenta 1’, Ferid Agani thotë se derisa ai ishte ministër nuk kishte ndodhur asnjë rast i tejkalimit të udhëzimit administrativ

22:54, 24/06/2022

Ish-ministri i Shëndetësisë i akuzuar për korrupsion, Ferid Agani, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, tha se në cilësinë e ministrit nuk kishte ndodhur asnjë rast i tejkalimit të udhëzimit administrativ, pra i tejkalimit të shumës nga 70% në 100%, as në raportet e auditorit të jashtëm e as të brendshëm.

Këtë deklarim, Agani e ka dhënë në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Stenta 1”, ku bashkë me ish-Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabanin po akuzohen se kishin lidhur marrëveshje me spitale private për ofrimin e shërbimeve që nuk ofroheshin në spitale publike pa procedurë tenderuese dhe në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.

Agani tha se si ministër kishte ndalur kontrata për të cilat është vërtetuar që nuk janë bazuar në ligj.

“Detyra ime ka qenë me e përcjellë ligjshmërinë në Ministrinë e Shëndetësisë, nëse në një pikë kam informata se u shkel ligji në çfarëdo niveli, unë automatikisht kërkoj nga përgjegjësit përgjegjësi por kjo nuk ka qenë në rastin tim”, shtoi ai.

Ndërsa, lidhur me përgatitjen e dosjes së një pacient deri sa të arrihet te Bordi Ekzekutiv, i akuzuari Agani ka sqaruar se dosja e pacientit që synon të shfrytëzojë shërbime jashtë institucioneve publike shëndetësore është përgatitur nga zyra e posaçme për këtë lloj të trajtimit duke u kompletuar dokumentacioni i paraparë në udhëzimin administrativ në fuqi në mesin e të cilit sipas tij është dashur të jetë raporti i komisionit vlerësues mjekësor dhe raporti i Bordit Ekzekutiv për trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Sipas tij, lënda pastaj është përcjellë te zyra e sekretarit të përgjithshëm të ministrisë dhe te kabineti të tij për lëndët që kanë pasur vlerë më shumë se 10 mijë euro, dhe sipas udhëzimit administrativ 10/2013 kjo procedurë ka përfunduar me nënshkrimin e kërkesës për zotimin e mjeteve financiare nga menaxheri i programit buxhetor dhe zyrtari autorizues i ministrisë së shëndetësisë.

Tutje, Agani ka sqaruar se vendimet e Bordit kanë qenë të apelueshme në dy nivele të emëruara nga ana e ministrit në përbërje prej 3 anëtareve në mandat 2 vjeçar, ndërsa në bazë të Udhëzimit Administrativ 02/2010 komisionin e parë për ankesa e ka emëruar sekretari i përgjithshëm ndërsa të dytin ministri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ai tha se përcaktimi i pagesave për pacientë që kanë pasur nevojë për trajtim jashtë institucioneve publike 70% dhe 100%, ka qenë detyrë ekskluzive e Bordit Ekzekutiv e përcaktuar me udhëzimet përkatëse administrative.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Gani Shabani, avokatit Skender Musa se a kishte pasur të drejtë sekretari dhe ai si ministër të ndryshojnë vendimin e Bordit Ekzekutiv sa i përket rritjes apo zvogëlimit të vlerës nga 70% në 100% apo anasjelltas, Agani tha se në asnjë mënyrë pasi që kjo e drejtë në udhëzimet përkatëse administrative iu ka deleguar nga ministri Bordit Ekzekutiv për trajtim jashtë institucioneve publike sepse udhëzimet i ka nënshkruar ministri.

Po ashtu, ai tha se Bordi Ekzekutiv ka qenë organ i pavarur me obligim të raportimit të rregullt

Agani ka sqaruar se në ditët e para kur kishte marrë mandatin, Departamenti Farmaceutik kishte paraqitur rastin për stentat e skaduara në depon e QKUK-së në vlerë prej 270 mijë euro.

I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, Lutfi Shala se çka është dashur të bëhet që të funksionojë kardiologjia invazive që të mos bëhen këto marrëveshje por pacientët t’i kryejnë këto shërbime brenda institucioneve publike, Agani tha se mungesë e madhe kishte qenë Klinika e Kardiokirurgjisë në QKUK sepse sipas tij gjatë procedurave të kardiologjisë invazive mund të vie deri të rastet e komplikimeve dhe në këtë drejtim kanë ndërmarrë masa urgjente për themelimin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, për të cilën tha se u hap në vitin 2012 një vit pasi që kishte marrë mandatin.

Tutje, Agani tha se si faktor i dytë ka qenë nevoja e përmirësimit të domosdoshëm të pajisjeve për koronografi dhe stentimit, për çka kishte arritur që në negociata me qeverinë austriake të sigurojë një hua në shkallë të ulët të interesit për blerjen e kësaj pajisje dhe ndërtimin e hapësirave të duhura për vendosjen e tyre.

“Këto mjete financiare kanë qenë të alokuara në kornizën afatmesme të shpenzimeve të ashtuquajtura “Kash” në ligjin për buxhetin vjetor për periudhën 2012-2015 dhe me këto mjete janë blerë pajisjet që sot janë në funksion në QKUK”, shtoi ai.

Agani tha se ai  kishte pasur insistim këmbëngulës që shërbimi të bëhej gjate 24 orëve pasi që ishte bërë vetëm deri në ora 15:00 por që pengesë për këtë tha se kishte qenë mungesa e stafit të trajnuar për ofrimin e këtyre shërbimeve gjatë 24 orëve.

“Për të tejkaluar këtë pengesë kam lidh marrëveshje të veçantë të bashkëpunimit me klinikën e kardiologjisë “Qskuk Nënë Tereza” në Tiranë në mënyrë që të kemi plotësim  të kuadrit të duhur profesional për shërbim 24 orësh”, tha Agani.

Agani tha se gjatë mandatit të tij si ministër, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar infrakte akute çdo ditë dhe se ata nuk kanë mundur të pritnin 3 apo 6 muaj që të trajtohen.

“Mua më është dashur të punoj në tre binare paralel , të provojmë të gjejmë zgjidhje për pacientet në QKUK me ata mjekët që i kemi, të përmirësojmë nivelin e shfrytëzimit të materialit hargjues edhe të bijmë koleg nga Tirana që të punojnë bashkë me ta në këtë drejtim” shtoi ai.

Ai tha se gjendja ato ditë kishte qenë shumë e vështirë pasi që në QKUK kishte qenë vetëm një aparat dhe një koronograf i cili punonte herë pas here.

“Unë kam qenë i lumtur që në sektorin privat të shëndetësisë po vijnë investime me shërbime që QKUK-ja nuk po mundet me i ofru ose po i bojnë vetëm deri në ora 3 sepse pas orës 3 nuk po ka mjek që munden me i bo. Edhe një herë po them se ato marrëveshje kanë qenë obligative”, tha Agani.

Tutje, ai ka thënë se Bordi ka vendosur për institucionin se ku do të merrej shërbimi në bazë të dy pro faturave, njërin nga ato me çmim më të ulët duke e përcaktuar shumën se sa do të paguhet dhe sipas tij përveç shumës është dashur që të shikohet institucioni se a bie në kategoritë që kompensohet 100% apo jo, duke vendosur me shumicë të votave dhe duke e nënshkruar me procesverbal të vendimmarrjes.

Sipas tij, pro fatura ka mbuluar vetëm çmimin e shërbimit shëndetësor, ndërsa çmimin e udhëtimit e ka mbuluar ministria vetëm nëse pacienti ka vdekur gjatë shfrytëzimit të atij shërbimit jashtë vendit.

Duke u përgjigjur në pyetjen e trupit gjykues se a kanë qenë të obliguar  pacientet  sipas marrëveshjeve të marrin trajtimin mjekësor në ato institucione, Agani tha se marrëveshjet në asnjë mënyrë nuk i kanë obliguar pacientet që të marrin trajtimin në ndonjë institucion.

Po ashtu, Agani tha se mjekët kanë pasur plotësisht të drejtë të rekomandojnë pacientin në cilindo institucion shëndetësor që ata kanë menduar që është e dobishme për pacientin dhe sipas tij ata  kanë pasur obligim që ta njoftojnë pacientin se ku munden t’i  kryejnë shërbimet.

Në fund, në mbrojtjen e tij Agani tha se ndjen keqardhje që kjo aktakuzë e ka rrënuar reformën e sistemit shëndetësor në Kosovë, e cila kishte pasur të fillonte në vitin 2015, e mbështetur nga banka botërore, fondi monetar ndërkombëtar me 26 milionë dollarë.

Seancat e radhës lidhur me këtë rast u caktuan më 1 dhe 22 korrik ku do të jepet mbrojtja nga i akuzuari Gani Shabani.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Ndryshe, kur janë bërë afër pesë vite që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.

Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marr njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco