‘Nuk mendojnë si ndihen ata...’, ana tjetër e fytyrave publike që janë pre e bullizmit

‘Nuk mendojnë si ndihen ata...’, ana tjetër e fytyrave publike që janë pre e bullizmit

17:52, 24/06/2022

Thuajse secilën ditë, në televizor apo në rrjetet sociale shohim fytyra të ndryshme publike. Shumë prej këtyre personazheve, janë pre e bullizmit, për shkak se përqeshen e ofendohen publikisht,  për pamjen fizike, apo, për formën se si vishen. Syri.net Kosova sjell më poshtë versione të ekspertëve, në lidhje me pasojat e bullizmit dhe rëndësinë që ka paraqitja e jashtme në publik

Erdonit HOXHA

Nëse hyjmë në rrjetet sociale ku shpërndahen lajme për personazhe të ndryshme publike, shohim një mal komentesh bullizuese e fyese.

Janë disa nga fytyrat publike, për të cilat publiku nuk kursehen nga përqeshjet, kjo për shkak të pamjes që kanë.

Krahasimet, imitimet dhe sharjet janë disa nga format se si këto personazhe bullizohen, e kjo gjë padyshim që mund të lë pasoja në psikikën dhe anën emocionale të tyre.

Se çka është bullizmi dhe si ndikon në psikikën e një personi që bullizohet vazhdimisht, për Syri.net Kosova ka treguar psikologu, Yll Avdijaj.

“Bullizmi ndryshe mund të kuptohet si një ngacmim apo trysni ndaj një personi tjetër, e që me fjalë të tjera mund të shprehet edhe si abuzim apo dhunë me pasoja traumatike. Bullizimi zakonisht shfaqët në disa dimensione si: ngacmimi apo përqeshja ndaj faktorit fizik që përfshinë pamjen e personit, peshën, ngjyrën, veshjen etj. Pastaj në aspektin psikik që shoqërohet me anë të fyerjes, ofendimit, nënçmimit. Në dimensionin emocional që përfshinë neglizhencën, injorimin, mospranimin etj. Dhe në dimensionin social ku përfshihen paragjykimet ndaj statusit social, prejardhjes familjare, etnisë, gjuhës, botëkuptimeve dhe besimit fetar etj” tha psikologu.

I pyetur se përse njerëzit janë të prirur t’i përqeshin të tjerët për pamjen e tyre, Avdijaj tha se prirja për t'i përqeshur të tjerët është një lloj mekanizmi mbrojtës i pavetëdijshëm që e bënë personin përqeshës që ta zhvendosë problemin apo konfliktin e tij te të tjerët.

“Zakonisht prirja për t'i përqeshur të tjerët është një lloj mekanizmi mbrojtës i pavetëdijshëm që e bënë personin përqeshës që ta zhvendosë problemin apo konfliktin e tij te të tjerët. Tendenca për t'i mbuluara, për të ikur apo për të mos u  përballur me konfliktet pèrsonale që mund t'i ketë bullizuesi në këtë rast, ai vazhdon të kërkojë viktima mbi të cilat ushtron atë mllefin dhe irritimin e tij, si një lloj zbrazje të pakënaqësisë dhe tensionit të mllefit që e mban përbrenda vetës” janë fjalët e tij.

Gjithashtu, psikologu tregoi se përse fytyrat publike janë kaq shumë të bullizuar.

 “Personat publik shpesh herë dinë të jenë cak i personave bullizues, dhe këtë për disa arsye:  sepse janë figura publike dhe pozita e tyre shpesh herë është e kufizuar për t'u kundërpërgjigjur këtyre presioneve të vazhdueshme. Bullizuesit zakonisht nuk shohin përtej  asaj që shohin në paraqitjet mediatike të këtyre figurave. Ata nuk e mendojnë aspak atë anën tjetër  të jetës së tyre që zakonisht nuk duket. Dhe mbi të gjitha, nuk e mendojnë se edhe ata janë njerëz si gjithë të tjerët” u përgjigj ai.

Për fund, Avdijaj ka edhe një këshillë për ata bullizojnë të tjerët, për shkak të pamjes.

“Nisur nga vet fakti i të qepurit viktimë e bullizmit nënkupton se  kjo dukuri e ka prekur aspektin psiko-emocional të viktime. Dhe kjo gjë është më së e udhës që të trajtohet në mënyrë që të mos bëhet pengesë në zhvillimet e jetës së tij personale. Ndërsa, për personat përqeshës apo bullizues po ashtu do të rekomandohej që të punojnë më shumë me vetën e tyre dhe konfliktet e brendshme që kanë;  edhe pse si hap i tillë është mjaft sfidues për ta, pasi që ata akoma janë në një gjendje mohimi ndaj problemeve personale që kanë!” përfundoi psikologu.

Përpos për shkak të pamjes fizike, fytyrat publike shpesh janë bullizuar e janë fyer edhe për shkak të formës se si kanë vendosur që të vishen.

Prandaj, veshja ka një rëndësi të madhe, se si njeriu komunikon me të tjerët.

Kështu ka thënë edhe ekspertja e modës, Adelina Hajdini.

Në një prononcim për Syri Kosova, ajo tha se rrobat janë lëkura e dytë që e pasqyrojnë pamjen tonë.

Rrobat që përzgjedhim të veshim në përditshmëri janë nyja midis botës tonë të brendshme private dhe botës së jashtme publike,  nëpër të cilën udhëtojmë; lëkura e dytë që na lejon të pasqyrojmë imazhin tonë të trupit, vetëvlerësimin dhe identitetin. Përveç se shërbejnë për të prekur thellësisht ndjenjën tonë të vetvetes, në të njëjtën kohë informojnë perceptimet e të huajve, të njohurve, të dashurve tanë” tha ekspertja.

Ndër tjera, Adelina tregoi se veshja është faktor edhe në raporte profesionale.

“Shpeshherë, rrobat tona flasin për ne para se të flasim vetë, sepse sipas studimeve, opinioni për ne krijohet brenda 8 sekondave të para të takimit me dikë. Kjo do të thotë që një pjesë e rëndësishme e suksesit në marrëdhënie me të tjerët dhe ato profesionale, varen shumë nga paraqitja jonë e jashtme. Përmes veshjes tonë ne komunikojmë një ndjenjë vetëbesimi, kompetence, ambicieje dhe vendosmërie - mesazhet që transmetohen më së miri nëpërmjet shenjave joverbale (stilit te veshjes, gjuhës së trupit dhe karizmës sonë të përgjithshme)” theksoi ajo.

Ekspertja dha edhe këshilla për gjithë ata, që nuk i kushtojnë shumë rëndësi veshjes, pasi, tha se veshja duhet që të reflektojë brendësinë e gjithsecilit.

“Ky koncept aplikohet në gjitha aspektet e jetës sonë te përditshme, kështu që përpara se të dilni nga shtëpia, hidhini një sy pasqyrës dhe sigurohuni që reflektimi juaj përputhet me veten tuaj të brendshme. E ne ditët kur nuk ndiheni si versioni me i fuqishëm i vetes, lejoni që rrobat tuaja të ju fuqizojnë dhe të ju ndihmojnë të përcillni imazhin që ju doni te përçoni tek te tjerët” përfundoi Hajdini.

Kujtojmë që deri sot, fytyrat publike rrallëherë kanë folur për këtë pjesë, pra, deri më tani shumë prej tyre nuk kanë pasur kurajo të tregojnë se si ndihen kur shohin se bullizohen në rrugë, në komente apo mesazhet që marrin në rrjetet sociale.

Shënim: Për shkak të ndjeshmërisë së temës, nuk publikohet asnjë koment ilustrues se si fytyrat e njohura bullizohen publikisht nga komentuesit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco