Si dolën ‘aktorët’ e Ballkanit nga samiti?

Si dolën ‘aktorët’ e Ballkanit nga samiti?

07:53, 24/06/2022

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dështuan të enjten e 23 qershorit për të kapërcyer kundërshtimin e Bullgarisë mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në bllok, duke lënë disa liderë të Ballkanit Perëndimor të zemëruar.

Dhe si rezultat i kësaj mosarritjeje aspiratat e të gjithë rajonit për në union mbeten të bllokuara.

“Ajo që po ndodh tani është një problem serioz dhe një goditje serioze për besueshmërinë e Bashkimit Evropian. Shpreh keqardhjen e thellë për BE-në. Më vjen keq për ta”.

Ishin këto deklaratat respektive të dy kryeministrave ballkanikë atij maqedonas dhe shqiptar.

Ballkani Perëndimor doli i zhgënjyer, pasi mbetet ende në pritje të fjalën së unionit.

Doktori i shkencave, Edon Qesari thekson se prej vitesh narrativa që ofrojnë institucionet qendrore evropiane është se “Tirana dhe Shkupi kanë bindur me performancën e tyre në plotësimin e të ashtuquajturave “detyra shtëpie” – kusht i domosdoshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në të ardhmen”.

“Rast pas rasti, një herë kundrejt Shqipërisë, e një herë kundrejt Maqedonisë së Veriut del në shteg dikush (konkretisht një Shtet – që njëherë ishte Holanda e tashmë Bullgaria) i cili nuk është dakord me një përfundim të tillë të Komisionit”, tha Qesari për Albanian Post.

Edon Qesari, doktor i shkencave

Sipas profesorit të shkencave politike, reagimi i palës së dëmtuar – konkretisht Tiranës dhe Shkupit – nuk do të jetë më i miri i mundshëm, pas disa vitesh kur përsëritet i njëjti skenar i llojit “26 ju duan por 1 del kundër, andaj shihemi vitin tjetër”.

Ndërsa politologu Xhenur Iseni, në një prononcim për Albanian Post, këtë sjellje të Evropës e ka konsideruar edhe më të “sëmurë se Putin në këto kohëra turbulente”.

“Sot liderët e Ballkanit Perëndimor shkuan vetëm si spektatorë e u kthyen duar bosh, dhe të preokupuar se çfarë do iu thonë qytetarëve të tyre që me ngulm presin jetën evropiane në vendet përkatëse”.

Iseni thekson gjithashtu se përveç Maqedonisë së Veriut, me të drejtë nervozizmin e tij e shfaqi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që praktikisht është peng i Sofjes dhe Shkupit.

Qesari nga ana tjetër, tha se në mendimin e tij duhet të ishin shmangur “dozat e ironisë, të njëfarëlloj kapadaillëku publik në deklarata” nga ana e kryeministrit Rama.

“Qartazi shënjestër e tyre është publiku i brendshëm shqiptar, i cili ushqehet me lajme të vazhdueshme (e shpesh zhgënjyese) në lidhje me integrimin evropian”.

Sipas Isenit, “zgjerim nuk do të ketë për një kohë të gjatë, dhe këtë e dëshmon propozimi i Presidentit Macron për formimin e Bashkësisë se re politike evropiane. Për mua ky propozim është të futesh në Evropë por në ligën e dytë, jo në ligën e parë”.

Xhenur Iseni, politolog

“Vetë liderët evropianë nuk duket të jenë fort të trazuar nga ndodhia e sotme. Edhe sepse, ta themi qartë, për sot dhe për gjithë vitet e shkuara: nëse do të kishte pasur vërtet vullnët për përfshirjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në negociata për anëtarësim, diplomacia e korridoreve do ia kishte dalë që t’i “zhvaste” një vendim pozitiv diplomacisë publike”, ravijëzoi Qesari.

Ndërsa, njohësi i diplomacisë Amir Shabani, bën me dije se fakti që po pengohet edhe Shqipëria në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në BE, është se unioni pranimin e vendeve e trajton si paketë.

“Stërzgjatja e paarsyeshme e negociatave krijon një gjendje të tillë që i detyron liderët e Ballkanit Perëndimor të krijojnë një ‘union’ brenda tyre edhe pse nuk është ajo e tëra dhe e arritura”, tha ai

Open Balkan më të ‘hapur’?

Iseni i mëshon faktin se pas këtij samiti do të fuqizohet edhe me shumë koncepti i Ballkanit të Hapur.

Megjithatë, thotë politologu, “edhe pas kësaj, Kosova do të mbetet më e izoluara nga të gjithë”.

“Tani ndoshta do të flas diçka që nuk është e mundur, por me mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është momenti i fundit që politikanët e të gjitha niveleve të mishërohen me qytetarët e saj. Të mos pranojnë asnjë lloj privilegji për sa i përket lëvizjes së lirë për aq kohë sa populli i saj mbahet në izolim brenda kësaj ‘Evrope të lirë’”.

Për profesor Qesarin, në Republikën e Kosovës ka një unanimitet të plotë për sa i përket refuzimit të një nisme si Open Balkan.

“Çdo parti politike shqiptare në Prishtinë, pavarësisht se në qeverisje apo opozitë, e ka shprehur tashmë kundërshtinë ndaj një perspektive në të cilën Kosova të anëtarësohet në këtë nismë rajonale. Për më tepër, nga ato të dhëna që janë grumbulluar deri tani, duket se edhe publiku në Kosovë është, në masë dërrmuese, aspak simpatizues i Open Balkan”.

Sipas tij, “kurrkush në Kosovë nuk do të ketë dëshirën për të ‘luajtur’ me zjarrin e anti-popullaritetit. Do të duhej të shtronte mundësinë e një ‘djegieje’ shumë të mundshme”.

“Nuk besoj se ndonjë parti do të ndërmerrte ndonjë akt ‘vetëvrasjeje elektorale’ nëse do ta niste Kosovën, qoftë dhe vetëm me deklarata, në krahët e kësaj nisme rajonale”.

Shabani, tashmë mendon se refuzimi i vazhdueshëm nga BE-ja i bën liderët e Ballkanit Perëndimor “që të shtjellojnë vetë hallet e tyre”.

“Ballkani Perëndimor është “missing puzzle” për Bashkimin Evropian dhe ashtu siç i takon gjeografikisht Evropës, duhet edhe gjeostrategjikisht, politikisht dhe ekononikisht t’i takon Unionit sepse dobia do jetë e dyanshme”.

Në mbyllje, Iseni ravijëzoi se tek qytetarët e vendeve të Ballkanit do të rritet euroskepticizmi, ndërsa zgjidhja e kontestuar me Sofjen do të zgjasë dhe shumë kohë.

“Ajo që tremb më së shumti është ndërtimi i korridorit të pritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor”.

BE-ja pranoi për herë të fundit një anëtare të re – Kroacinë – në vitin 2013. Procesi i zgjerimit u ngadalësua pasi zërat euroskeptikë u rritën në vendet anëtare si Gjermania, Franca, Italia dhe Holanda – të gjithë anëtarë themelues të bllokut në vitet 1950.

Kriza e borxhit të eurozonës 10 vjet më parë, një valë migrimi në Evropë në vitin 2015 dhe vendimi i referendumit të vitit 2016 të Mbretërisë së Bashkuar për t’u tërhequr nga BE-ja kontribuan gjithashtu në shqetësimin politik me zgjerimin e mëtejshëm të bllokut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco