Pse Prokuroria e Speciales po i fton fëmijët e luftës?

Pse Prokuroria e Speciales po i fton fëmijët e luftës?

11:33, 25/05/2022

Musa Lekaj ishte vetëm 6-muajsh, kur Ushtria e Serbisë ia mësyu Kosovës. Deçanasi që as nuk e mban mend luftën, u çudit shumë, kur Prokuroria e Specializuar e Hagës e ftoi atë në cilësinë e dëshmitarit.

Kam qenë i habitur tërësisht! Kam mendu mos kanë gabu!”, e fillon rrëfimin e tij vetë Lekaj.

Në muajin mars të vitit 1998 unë kam qenë vetëm 6 muajsh. Kjo ma shtoi habinë, nuk e dija pse kanë mujtë me më thirrë.

Dy zyrtarë të Prokurorisë Speciale më kanë telefonu në Whatsapp, më kanë thanë, e kemi një dokument me rëndësi për juve. Kam qenë në Pejë, më kanë pytë për lokacionin, dhe ma sollën ftesën. Unë përveç habisë, njëmend doja ta dija pse më thirrën, i pyeta menjëherë; ata më thanë ne nuk e dimë, por do të njoftohesh për arsyet, ditën e intervistimit”, rrëfen për Nacionalen Musa Lekaj.

Periudha e pritjes deri në intervistim, nuk ishte e lehtë për Lekajn. Megjithatë, pritja nuk zgjati, e ai e kuptoi që ftesa nga Haga ndërlidhej me dosjet që kishin shkuar në OVL-UÇK.

Kur kam shku në intervistim më kanë thanë se arsyeja e intervistimit tim është se mos e kam ndonjë informatë, se kush i ka dërgu dosjet në OVL”, thotë Lekaj.

Pra, Musa Lekaj ishte i thirrur si dëshmitar, në rastin e krerëve të OVL-UÇK-së, në lidhje me dosjet që dërgoheshin në zyrat e këtyre të fundit, e më pas disa nga to publikoheshin nëpër media.

Megjithatë, Lekaj nuk ishte i vetmi që në kohën e luftës ishte fëmijë, e më pas mori ftesë nga Specialja.

Rilind Berisha është një tjetër emër, i cili gjatë kohës së luftës ishte fëmijë, e që u ftua nga Specialja për dëshmi.

 I lindur në fund të vitit 1988, i ftuari i Speciales, gjatë luftës së Kosovës, ishte vetëm 10 vjeçar.

Unë në luftë, kam qenë rreth 9-10 vjeç, dhe kur e kam pranuar ftesën ka qenë habi e madhe, nuk e kuptoja, si mund të më ftonin, të dëshmoj rreth një periudhe për të cilën unë kam qenë fëmijë. Ka qenë një hetues i cili ma ka dhënë ftesën tek “newborn”, një lokal aty, në të cilin kemi pirë kafe, edhe ai është habitë, pasi që ka pritë që do të takohet me një burrë plak”, tregon Berisha për Nacionale.

Berisha, tutje ka thënë se, nuk do t’i diskutojë arsyet e kësaj ftese, por të njëjtat, thotë se i mësoi ato në Hagë dhe nuk kishin të bënin me luftën.

Kur kam shku në Hagë, gjatë intervistës e kam kuptuar arsyen pse jam ftu, nuk kishte të bënte me luftën, por për diçka tjetër. Nuk mund t’i them arsyet”, ka përfunduar Berisha.

Saga me ftesa të çuditshme vazhdoi edhe dje. Burim Ramadani, ish deputet i AAK-së, e tash Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së, më 23 mars të këtij viti, pranoi ftesë nga Prokuroria Speciale.

Ramadani, i lindur në vitin 1981, gjatë luftës në Kosovë, ishte në mes moshës 17 dhe 18 vjeçare.

Ndonëse figurë e njohur politike, Ramadani në opinionin e gjerë nuk njihet për të bëmat ose jo të tij gjatë periudhës së luftës. Është e vështirë të kujtohet ndonjë intervistë a paraqitje e tij, ku ai flet për këtë periudhë.

Por, për këtë periudhë, Ramadani pritet të flasë para prokurorisë, ani pse ky i fundit, siç duket është i habitur, me një ftesë të tillë.

“Z. Ramadani është plotësisht i vetëdijshëm për obligimet ligjore në raste të këtilla, sikrse edhe që beson se ky është një gabim teknik dhe si i tillë do të qartësohet më tutje”, thuhet në njoftimin e AKI-së, ku Ramadani punon.

Tutje në këtë njoftim, AKI shpalos detaje të ftesës, ku bëhet e ditur se Ramadanit i kërkohet të dëshmojë për një periudhë kohore, janar 1998, dhjetor 2000.

 “Në fletëthirrje precizohet se z. Burim Ramadani urdhërohet të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetje për nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në datën e caktuar, dhe në fletëthirrje nga ai është kërkuar “të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjografik gjatë kohës së luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna të tjera nga periudha 1 janar 1998, deri 31 dhjetor 2000”, thuhet në të njëjtin njoftim, lëshuar nga AKI.

Çka thotë Ligji?

Kujtojmë se me nenin 23 të ligjit për Dhomat e Specializuara është paraparë mbrojtja e dëshmitarëve.

“Rregullat e Dhomave të Specializuara për procedurën dhe provat e parashikojnë mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve, përfshirë sigurinë, mirëqenien fizike dhe psikologjike, dinjitetin dhe privatësinë e tyre.”

“Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve mund të bëjë përfaqësime para gjyqtarit të procedurës paraprake, panelit ose Prokurorit të specializuar lidhur me masat mbrojtëse, mekanizmat e sigurisë, këshillimin dhe asistencën e nevojshme për dëshmitarin para, gjatë dhe pas dëshmisë dhënë para Dhomave të Specializuara”, thuhet në ligj.

Jo rrallëherë, në media raportohej për ftesa të cilat nga vetë protagonistët, quheshin absurde.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco