Kosova s’ka fare sistem për mbrojtje

Kosova s’ka fare sistem për mbrojtje

07:50, 21/05/2022

Një varg kërcënimesh për alarm me mjete shpërthyese ndodhen në Kosovë.

Mirëpo, përveç Kosovës, ekspert të sigurisë bëjnë të ditur se kërcënime të ngjashme ka pasur edhe në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë.

Këto kërcënime, u paraqiten fillimisht në stacionin e autobusëve në Prishtinë, në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”, e deri te kërcënimi i fundit që ndodhi tek rektorati i Universitetit të Prishtinës, më 17 maj.

Në Rektorat, informacioni kishte ardhur përmes adresës elektronike, ndërsa për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda”, informacioni i kishte ardhur Policisë, e cila evakuoi menjëherë nxënësit.

Për njohësen e sigurisë në Kosovë, Besa Kabashi, është edhe një çështje tjetër për të cilën institucionet duhet të preokupohen në raste të tilla.

“Për shkak se kurrë nuk mund ta dishë duhet të kemi sistemin e përgatitur i cili të mbron në rast se alarme të tilla janë të vërteta, fatkeqësisht Republika e Kosovës nuk e ka një sistem të menaxhimit të emergjencave civile që është në fakt funksional”, deklaroi Kabashi 

Alarmi për bombë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.

Sipas saj, situata duhet të merret me seriozitet edhe në Kosovë, por edhe në rajon.

“Ditëve të fundit alarmet për bomba ishin në shkolla, ishin edhe te rektorati, por alarme të rrejshme janë duke ndodhur edhe në rajon kështu që në këto rast duhet paralelisht të punohet në dy aspekte, njëri aspekt është hetuesi, dhe në rast të një alarmi shkollat të kenë një plan operativ”.

“Çfarëdo kërcënime që janë duhet të merren serioze deri në momentin që dekonspirohet motivi prapa tyre dhe shihet që nuk janë serioze”.

Kërcënimet me bombë duhet të merren seriozisht nga institucionet

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, konsideron se çfarë po ndodh aktualisht është dukuri mjaft shqetësuese.

“Është shqetësuese kjo dukuri, sepse është duke ndodhur në tërë rajonin jo vetëm në Kosovë, unë kam shqyrtuar dhe kam përcjellur ngjarjet që kanë ndodhur në Kroaci, në Bosnje, në Mal të Zi, tash në Kosovë dhe këto kërcënime me bombë duhet të merren seriozisht nga institucionet e sigurisë në Kosovë”.

Sipas Qalaj, “qëllimi i krejt këtyre është të krijojnë një situatë paniku në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Ai madje sqaron se ky fenomen në të kaluarën nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë.

“Ndërsa në disa qytete kam parë që kryesit e tyre kanë qenë nga Rusia sidomos në një rast në Mal të Zi, mirëpo në Kosovë nuk ka qenë traditë që të kemi raste të shpeshta të lajmërimit të kërcënimeve me bombë, po megjithatë duhet që ta marrin çdo rast seriozisht”.

Alarmi për bombë tek shkolla e mesme në Prishtinë, “Xhevdet Doda”.

Si zgjidhje për këtë situatë e konsideron vetëm bashkëpunimin mes organeve të sigurisë.

“Çështja e njësive të specializuara të Policisë së Kosovës së bashku me Agjensionin Kosovar të Inteligjencës dhe të bashkëpunoj me partnerët tonë strategjik në mënyrë që të zbulohen sa më shpejt që të jetë e mundshme kryesit potencial të këtyre veprimeve”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim.

Mirëpo, nuk ka bërë të ditur nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Kërcënimet për vendosjen e mjeteve shpërthyese në rajon

Mali i Zi ishte ndër shtetet e para në Ballkan që pranoi kërcënime serioze për mjete shpërthyese në institucione publike e private që nga fundi i muajit mars.

Gjithashtu, edhe objektet publike në Beograd të Serbisë kanë qenë cak i raportimeve të rreme për vendosje bombash.

Me 16 maj, arritën kërcënime të reja se ishin vendosur bomba në ura në Beograd, si dhe në qendrën tregtare “Stadiumi”.

Një lajm alarmues për vendosjen e bombave në shkolla e pranoi edhe Lugina e Preshevës, më 20 maj.

Kështu bëri të ditur kryetari i kësaj komune, Shqiprim Arifi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Dënoj ashpër paralajmërimet kërcënuese anonime, që pezullojnë mbarëvajtjen e mësimit për të cilat është urdhëruar evakuimi i nxënësve dhe mësimdhënësve në ato ambiente”, ka shkruar Arifi.

Më 23 dhjetor të vitit 2021, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti kishte bërë të ditur për Albianian Post se po dyshohet për vendosjen e një mjeti shpërthyese në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës më 19 maj është diskutuar për situatën e sigurisë në Kuvend, në të cilën ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se Strategjia për Sigurinë Kombëtare do të sillet shumë shpejtë në Kuvend.

Në anën tjetër, opozita ka kërkuar që Qeveria të i caktoj disa prioritete njëri prej tyre është që të miratohen dokumentet strategjike të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco