Kuvendi mban seancë – shqyrtohet projektligji për pagën minimale

Kuvendi mban seancë – shqyrtohet projektligji për pagën minimale

07:46, 13/05/2022

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të premten e 12 majit seancën plenare me pikat e papërfunduara nga seanca e mbajtur më 5 maj.

Sipas njoftimit, në rend dite për seancën e së premtes janë gjashtë pika, ndër të cilat edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Më 13 prill, Qeveria e Kosovës, pati miratuar projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto.

Por, miratimi i pagës minimale me vlerë prej 264 euro bruto nga Qeverisë së Kosovës, sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka ndodhur pa miratimin paraprak në Këshillin Ekonomiko-Social, e cila përkujdeset edhe për propozimin e pagës minimale pasi që e ka në mandatin e vet.

“Në takimin e fundit të KES-it, më 10 mars, në votim u hodhën dy propozime për vlerën e pagës minimale – 264€ dhe 300€, dhe asnjëri nga këto propozime nuk mori vota e duhura – 2/3 e votave. Dhe sot kemi një pagë minimale e cila është hedh në votim në mbledhjen e fundit të KES-it por nuk ka marrë votat e duhura”, thuhej në reagimin e BSPK-së në Facebook.

Sipas BSPK-së, Këshilli Ekonomiko-Social do të vazhdojë me punën rreth përcaktimit të pagës minimale edhe për vitin 2023, që do të mundësojë propozimin e pagës minimale më të lartë se në vitin 2022.

Sa kushton shporta mujore e konsumatorit?

Në bazë të një analize të bërë nga Sindikata e Sektorit Privat, shporta mujore e një familjeje katëranëtarëshe në Kosovë, kap vlerën prej 470 eurosh.

Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat.

Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh, me mbi 220 mijë punëtorë.

Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë.

Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro. Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco