Martesat mes së njëjtës gjini: Ligji që pritet t’i destabilizojë deputetët e Kosovës

Martesat mes së njëjtës gjini: Ligji që pritet t’i destabilizojë deputetët e Kosovës

15:11, 22/02/2022 Nga Ç.D

Mos rregullimi i martesave mes seksit të njëjtë në Kodin Civil, po konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe e të drejtave që iu garantohen me Kushtetutë komunitetit LGBTQI+.

E si duket kjo po del të jetë një tjetër çështje mjaft sfiduese dhe e ndjeshme për Qeverinë Kurti, shkruan Syri.net Kosova.

Kjo temë e shumë përmendur ka riaktualizuar një debat fort  të ‘nxehtë’ mes mbështetësve dhe kritikuesve për ligjin  i cili i mundëson martesat mes sekseve të njëjta në Kosovë . Akt të cilin e lejon Kushtetuta, por jo edhe Kodi Civil i Kosovës dhe Ligji për familjen.

Andaj, aktualisht nëse dy persona të gjinisë së njëjtë dëshirojnë të martohen, një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë, e që këtë gjë po tenton t’ua mundësoj Qeveria në pushtet.

Për këtë çështje javës së kaluar në Komisionin për Legjislacion në Kosovë është mbajtur mbledhja e zakonshme e kryesuar nga kryetari, Adnan Rrustemi, ku qëllimi i kësaj mbledhja ka qenë zhvillimi i diskutimeve mbi projektligjin, i cili lejon martesën e personave me të njëjtën gjini.

Pavarësisht përplasjeve të shumta, në përfundim ky projektligj në komision është miratuar.

“Projektkodi Civil i Republikës së Kosovës nr.08/L-124. Projektligji nr.08/L-034 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar; raportin me amendamente për Projektligjin nr.08/L-020, “për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Civile”, si dhe raportin me amendamente për Projektligjin nr.08/L-026 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-213 “për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale”. Ky projekt-kod i ri civil do të njohë martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë”, thuhet në dokument, transmeton Syri.net Kosova.
 

‘Shpërthim’ reagimesh të ashpra kundër këtij ligji

Lidhur me këtë projekt-kod të ri civil të shqetësuar menjëherë janë shprehur Bashkësia Islame e Kosovës, të cilët përmes një reagimi kërkojnë nga MD që të heqin dorë nga ky projekt pasi sipas të cilëve bien ndesh me thelbin e jetës dhe natyrshmërinë e njeriut.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me shqetësim ka marrë lajmin për Projektin Kodit Civil të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në të cilin lejohen martesat e gjinisë së njëjtë. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës një projekt të tillë që legalizon martesat e së njëjtës gjini e konsideron të papranueshëm sepse bie ndesh me parimet fetare, natyrën njerëzore dhe cenon kodin e familjes. Kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë që të heq dorë nga ky projekt dhe mos t’i hapet rrugë iniciativave të tilla të cilat bien ndesh me thelbin e jetës dhe natyrshmërinë e njeriut. Ky shqetësim dhe thirrje e jona si institucion fetar, si besimtarë dhe si qytetarë të këtij vendi synon vetëm ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave tona fetare e besimore, tradicionale e kombëtare”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje BIK kërkon nga deputetët që të mos e miratojnë këtë kod civil.

“Në fund u bëjmë thirrje përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që mbi të gjitha të kenë parasysh të mirën e familjes, shoqërisë dhe vendit tonë, ngase bërthama e shoqërisë është familja e jo individi, dhe i bëjmë thirrje publikisht të mos e miratojnë këtë kod civil si të tillë”, shprehen ata.

Kundër është shprehur edhe avokatja, Nora Veliu e cila  ka folur hapur në lidhje me projektligjin për kodin civil për lejimin e martesave mes gjinisë së njëjtë. Sipas saj  martesa mes çifteve të njëjta zhvlerëson rolin e prindërit

Ajo ka dhënë edhe porosi për deputetët e Kuvendit se pse mos të aprovohet.

Ndërkohë që zë i ashpër kundër këtij ligji gjatë gjithë kohës është edhe Imami, Shefqet Krasniqi, ai në një shkrim autorial ka vlerësuar senuk ka gjë më të shëmtuar se sa të promovohen antivlerat, gjegjësisht të konsiderohet vlerë martesa e të njëjtës gjini.

“Patëm një dimër shumë të thatë që për shumë kë ishte shenjë ogurzezë se thatësia verës do të jetë e papërballueshme. Por, ja, Zoti lëshoi mëshirë mbi ne dhe pas shirave që filluan muajt e fundit, veçanërisht në maj, gjendja ndryshoi. Falë Zotit, ne shpëtuam lehtë në krahasim me atë që përjetuan vendet fqinje. Mëshira e Zotit ndaj nesh ishte e madhe, Ai jo vetëm që na lëshoi shi të mjaftueshëm, saqë u mbushën liqenet, puset, lumenjtë, por edhe atë shi e lëshoi ngadalë, qetë dhe me masë e kontroll të duhur. Sa i madh e i dashur je Ti o Zoti im!”, shkruan Krasniqi.

“A nuk shihni tërë këtë degjenerim? A nuk shihni si njerëzit kanë filluar ta promovojnë atë që as shtazët nuk e bëjnë, ndërsa nuk kursehen t’i sulmojnë të tjerët se kinse këta të prapambetur – nuk po i kuptuakan vlerat”, vlerëson Krasniqi.

‘Kriza’ e mundshme që pritet të shkaktohet në Kuvend

Ende mbetet të shihet se si do ta menaxhojë këtë temë të nxehtë Qeveria Kurti dhe nëse do të ketë përkrahjen e opozitës por edhe të deputetëve të partisë së tij për lejimin e martesave të së njëjtës gjini, të cilët sipas burimeve të Syrit thuhet se miratimi i këtij ligji do të ndez disa deputetë të partisë në pushtet të cilët janë kundër.

Megjithatë kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari- Lila, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin këtë referencë, përfshirë edhe ‘konservativët’ siç tha ajo.

“Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes do ta ketë në diskutim, natyrisht secili grup ka zëra të ndryshëm përbrenda për një referencë dhe ajo ka të bëj me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë me ligj tjetër të veçantë, që nuk duhet t’i ndalojë edhe ata që kanë pikëpamje konservative të votojnë këtë projekt-kod, për arsye të peshës e rëndësisë dhe gjitha të tjerat. Kjo tregon se në shoqërinë tonë do të vazhdohet ky debat, është debat përmbajtësor dhe tepër i rëndësishëm në raport me të drejtat bazike elementare njerëzore por edhe për diskursin që shoqëria jonë si shoqëri evropiane e synon. Besojmë që ky projekt-kod është tepër i rëndësishëm dhe duhet të mbështetet nga të gjitha deputetët pa dallim”, tha Kusari.

Ndërkohë nga opozita,  shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri në lidhje me këtë çështje ka thënë se partia e tyre nuk e ka diskutuar sepse nuk e ka pritur që vije në seancë.

“U befasova kur e pashë në agjendën e Kuvendit, për shkak se në mbledhjen kur është votu Kodi, në mbledhjen e Komisionit kemi diskutu me e ftu ministren e Drejtësisë, për të marrë disa sqarime. Janë një varg nenesh që kishim dashtë sqarime shtesë nga Ministria. Nuk e kemi diskutu sepse nuk kam pritë që vjen në seancë, besoj se do t’ketë reagim edhe nga kolegët tjerë. Kodi Civil është jashtëzakonisht i rëndësishëm, do të duhet ta lexojmë e ta trajtojmë. Do të kemi një qëndrim të saktë, në parim si grup parlamentar mbështesim me e pasë një Kod Civil, por duhet ta trajtojmë”, ka thënë ai.


Ndërkohë nga PDK dhe LDK, Syri.net ka kontaktuar me disa nga deputetët e tyre, por që nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë lidhur me qëndrimin e tyre në raport me këtë çështje.

MD konfirmon projektin për lejimin e martesave me sekse të njëjta

Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga, Albulena Haxhiu, sqaron se përmes këtij projektligji martesat mes gjinisë së njëjtë do të lejohen me një ligj të veçantë.

“Me qëllim që hartimi i Projekt Kodit Civil të Kosovës të jetë në përputhje dhe në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 2 i nenit 1138 të Projekt Kodit Civil, ka paraparë që bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara, por që kushtet dhe procedura e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë. Lidhur me këtë Ministria e Drejtësisë në kuadër të Planit Strategjik Operacional, pjesa e MD për vitin 2022 ka paraparë hartimin e Koncept Dokumentit për bashkësitë civile të regjistruara, ky aktivitet është paraparë që të përfundohet brenda vitit 2022, në të cilin do të diskutohet për detajet dhe modalitetit e zbatimit të projekt dispozitës së lartpërmendur” .

Sipas ministrisë së Drejtësisë, miratimi i këtij ligji është ndjekje e praktikave të vendeve të tjera të rajonit.

“Projekt Kodi Civil i Kosovës përkitazi me këtë çështje ka ndjekur praktikat e vendeve të tjera si të Sllovenisë, Hungarisë dhe Malit të Zi” thuhet në njoftimin e MD-së.

Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe me Komunën e Prishtinës për të parë se sa raste gjithsej kanë patur kërkesën për t'u martuar me seksin e njëjtë, por sipas tyre deri më tani nuk kanë pasur asnjë rast të tillë në sektorin e Gjendjes Civile.
Image

 

Si është e rregulluar në rajon martesa mes çifteve të gjinisë së njëjtë?

Mali i Zi ka miratuar Ligjin për martesat e gjinisë së njëjtë gjatë më 1 korrik 2020. Ky ligj kishte hyrë  në fuqi më 15 korrik të po atij viti.

Komuniteti LGBTIQ në Malin e Zi ka kërkuar nga Kuvendi malazez që deri më 25 korrik të ndryshojë të 26 ligjet e nevojshme, në mënyrë që Ligji për martesat e gjinisë së njëjtë të mund të hyjë në fuqi.

Në Serbi ende nuk është miratuar një ligj i tillë. Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve më 4 mars të vitit 2021 ka publikuar draft-ligjin për partneritet ndërmjet gjinive. Ky ligj do të duhej të legalizonte partneritetin, por jo edhe martesën.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar e nuk do ta nënshkruajë një ligj të tillë sepse ai është kundër Kushtetutës dhe Ligjit për familjen.

Ndërkohë që as Shqipëria,  Maqedonia e Veriut, dhe Bosnje e Hercegovina nuk kanë legjislacion që lejon martesat mes çifteve të gjinisë së njëjtë./Syri.net Kosova.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco