'Gazetaria' e klikimeve, kërcënimi fatal për profesionistët

'Gazetaria' e klikimeve, kërcënimi fatal për profesionistët

17:00, 27/01/2022

“Gazetaria është profesion në të cilin mblidhen dhe shkruhen, redaktohen dhe publikohen informacione relevante për audiencën”. Ky është përkufizimi që studentët e gazetarisë e kanë mësuar në fakultet, për profesionin që do t’i përcjell gjatë jetës. Por, nëse ndalim dhe e analizojmë këtë definicion, saktësisht pjesën e fundit të tij, në mediet online, sa po publikohen lajme që kanë rëndësi për publikun? Syri.net Kosova sjell më poshtë opinione, se sa po e dominon gazetarinë profesionale, gazetaria e klikimeve

Raporti: Erdonit HOXHA

Gazetaria gjithmonë është vlerësuar si një nga profesionet më humane, krahas mjekësisë, për shkak se, që nga fillimi i ekzistimit të raportimit të ngjarjeve te masa, gazetaria ka luajtur rol thelbësor, duke bërë që edhe shumë vendime që janë marrë, të ndryshojnë, apo, të shfuqizohen, për shkak të presionit mediatik.

Kjo gjë ka bërë që, krahas pushtetit ekzekutiv, parlamentar e gjyqësor, gazetaria të cilësohet si “pushteti i katër”, por, gjithmonë duke qenë indikator i madh në tri pushtetet tjera.

Po ashtu, vlen të theksohet se gjatë tranzicionit, gazetaria ka pësuar ndryshime, në formën e trajtimit, vlerësimit dhe raportimit të ngjarjeve.

Duke shtuar elemente, për shembull, siç është etika mediale, gazetaria sa është bërë më e kompletuar si profesion dhe më profesional, natyrisht.

Mirëpo, në ditët e sotme, siç duket, gazetarisë ka nisur t’i zbehet vlera, kjo për shkak të zhvillimit të hovshëm teknologjik.

Kalimi nga gazetaria tradicionale, e shtypur në gazeta, në gazetarinë online, ka bërë që të shtohet volumi i lajmeve dhe mosklasifikimi i tyre. Pra, sot në portale, publikohet thuajse secili detaj që mund të krijojë lajm.

Kjo gjë, po bëhet shkak që gazetaria e klikimeve, të dominojë mbi gazetarinë cilësore.

Mal Qorraj, anëtar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe kryeredaktor i gazetës Epoka e Re, është gazetari që e përjetoi këtë kalim.

Në një prononcim për Syri Kosova, Qorraj tha se sot kemi shumë pak gazetari cilësore, më shumë kemi gazetari sensacionale, sepse, te opinioni më shumë po dominojnë lajmet jocilësore me tituj bombastik, që në disa raste dalin të jenë edhe të pasakta, por që qëllimi është te klikimet për të përfituar financiarisht disa nga mediat online.

“Në këtë kohë profesioni i gazetarit/es është në një situatë jo të mirë për faktin se gazetaria si profesion tanimë më shumë është bërë biznes për klikime, se sa për të informuar drejt dhe saktë opinionin. Sot kemi shumë pak gazetari cilësore, më shumë kemi gazetari sensacionale, sepse, te opinioni më shumë po dominojnë lajmet jocilësore me tituj bombastik, që në disa raste dalin të jenë edhe të pasakta, por që qëllimi është te klikimet për të përfituar financiarisht disa nga mediat online përmes platformave të ndryshme. Megjithatë, ende kemi media profesionale që prezantojnë të vërtetën me faktet që kanë, e të cilat me vështirësi janë duke mbijetuar në këtë treg media” tha Qorraj.

Në gazetarinë online, anëtari i KMShK-së si shqetësues po e sheh faktin e lajmeve të rreme, që shpërndahen me ‘shpejtësi të dritës’.

“Gazetaria e klikimeve sot po lë anash kodin gazetaresk, që për të bërë një lajm të besueshëm duhet të respekton standardet dhe etika profesionale. Të japësh lajm do të thotë se informacioni duhet të jetë i verifikueshëm në interes të publikut, dhe çdo lloj informacioni tjetër që nuk përmbush këto standarde nuk e meriton të quhet lajm. Lajmet e tjera - të ‘rreme’ ndikojnë në zhvlerësimin e besueshmërisë së informacionit i cili plotëson me të vërtetë standardet e verifikimit të vërtetësisë dhe interesit publik. Në ditët e sotme po shohim se ka edhe faktorë të fuqishëm që shfrytëzojnë media sociale që prodhojnë ‘lajme të rreme’, me qëllim që të godasin mediet e lajmit të vërtetë, të cilave po ua vështirësojnë punën” shtoi ai.

Një trend i tillë medial, sipas tij po rrezikon seriozitetin që mediet e kanë pasur çdoherë.

“Dhe ky lloj i gazetarisë së klikimeve është duke rrezikuar seriozitetin e mediave serioze që me vite kanë dhënë kontribut në shoqërinë e këtij vendi dhe në shtetndërtimin e shtetit. Po ashtu ky lloj i gazetarisë po rrezikon edhe gazetarët profesionistë. Pra lufta për sa më shumë klikime i zhvesh gazetarët nga profesionalizmi dhe standardet bazike të gazetarisë” përfundoi kryeredaktori.

Zakonisht, titujt dhe lajmet e rreme bëhen më së shumti për emrat më të përfolur, qofshin ata të politikës, apo, shoubizit.

Nga lajmet më të rënda e më të frikshme, që bëhen për ta, janë lajmet e rreme ku raportohet për vdekjen e tyre.

Një gjë e tillë i ka ndodhur këngëtares Vjollca Haxhiu e cila për Syrin tregoi se si një shoqe e saj e shqetësuar nga lajmi që ka parë për “vdekjen” e Vjollcës, e ka thirrur në telefon, për ta konfirmuar se a është gjallë ajo.

“Përshtypje m’ka bërë një titull, që ka qenë i tepruar, që ka thënë kam vdekur, e ky titull i ka shqetësuar disa familjarë derisa m’kanë marrë në telefon. Një shoqe e imja e Suharekës, m’ka thirrë duke qajtur dhe më thoshte se nuk mund të besoj që po ta dëgjoj zërin ty. Këto janë shqetësime të tepruara. A, këto lajmet për ndarje, bashkim e fejesa, le të flasin sa të duan, por lajmet e rrejshme deri në këtë pikë, janë të tepruara” tha Haxhiu.

Lajmet e rreme e titujt bombastik, pa ndonjë domethënie të rëndësishme brenda në tekst, padyshim që prekin edhe lexuesit.

Ndonëse në fillimet e portaleve, lexuesit lexonin gjithfarë lajmi, madje, klikonin titujt tendencioz, sot ata kanë nisur t’i klasifikojnë mediet, se kujt t’i besojnë apo jo.

Gjergj Kransiqi, qytetar nga Prishtina, i tha Syrit se tashmë ka disa portale të caktuara që i klikon dhe iu beson.

“Tash ka shumë portale, ka shumë lajme, në fillim, ka pas raste që kam kliku secilin lajm që m’ka dal në Facebook, por, tash jo. Tash kam tri portale që i klikojë dhe iu besoj, e këtë besim e kanë fituar për shkak të seriozitetit që kanë tregu në raportimet e tyre” tha ai.

Kujtojmë që në tregun medial në Kosovë, janë shtuar shumë portale inenkzistente, që nuk janë të regjistruara askund si medie dhe që nuk i kontrollon askush për përmbajtjen që kanë e që shpeshherë dinë të jenë shqetësuese për masën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco