Masat e reja anti-Covid 'plasin' rrjetin: Vendimi i MSH-së skandaloz dhe qesharak

Masat e reja anti-Covid 'plasin' rrjetin: Vendimi i MSH-së skandaloz dhe qesharak

21:05, 23/01/2022

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një mbledhjeje elektronike ka miratuar masa të reja të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Këto masa të cilat kanë hyrë në fuqi që nga e shtuna (22 Janari), nuk po priten aspak mirë, shkruan Syri.net Kosova

Ky shtrëngim i masave nga Qeveria e Kosovës pas rritjes enorme të rasteve me Covid-19, nuk po pranohen mirë nga askush, në veçanti vendimi për hyrje-daljet kufitare si dhe ora policore.

Dikush po i cilëson si budallaki dhe skandaloze, e dikush si jo logjike, derisa thonë se asnjë nga këto masa nuk janë efektive në parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Analistja, Shqipe Pantina përmes një reagimi të ashpër ndaj këtyre masave, është shprehur se zyrtarët të cilët kanë vendosur këto masa kufizuese me gjasë nuk do e kalonin as testin PISA po të testoheshin.

“Keta zyrtaret qe kanë propozuar dhe vendosur masat e reja kufizuese anti Covid 19 me gjasë nuk do e kalonin testin PISA po te testoheshin. Logjikë o njerëz logjikë kur merrni vendime!🙈”, është shprehur ajo.

Derisa sipas Uk Lushit, këto vendimë janë absurde madje i cilëson si skandal i dekadës.

“Vendimi i Ministrit Rifat Latifi të ndalojë qytetarët dhe shqiptarët jashtë Kosovës të takohen dhe bashkohen me qytetarët dhe shqiptarët e Kosovës, nën pretekstin e tri vaksinave, është absurd. Kësi masash janë drakonike dhe të pajustifikueshme logjikisht-- pasi u lejuan shqiptarët nga Diaspora të shpenzojnë paratë në atdhe për festat e fundvitit. Skandal i dekadës. Ju lutem shqiptarë jashtë Kosovës të na falni!”, shkruan ai.

E si budallaki po e konsideron gazetari, Astrit Gashi i cili thotë se budallaki më të madhe se ora policore ka qenë vetëm dezinfektimi i rrugëve me domestos gjatë karantinës.

“Budallaki ma e madhe se kjo ora policore, ka qene vec ai dezinfektimi i rrugeve me domestos gjate mbylljes se plote! Me gjase na jemi te vetmit ne planet qe pervoja nuk na meson asgje! Te pakten qat pastrimin e paten ndal!”, nënvizoi ai.

Ndërkaq, Hana Xhemajli, hulumtuese e politikave shëndetësore, thotë se vendimi i Qeverisë ishtë i pamenduar mirë.

“Shum’ mundemi me diskutu për masat në fuqi të anti-Covid dhe me argumentu cilen do anë, ama kjo masa qe vizitorët të ken’ tri doza të vaksinimit per me hy në Kosovë osht’ e pamendume (edhe do fjale tjera po bijne ndermend). Ne kemi diku vetem 10000 persona te vaksinuar me doze te trete dhe hiç s’po di a e kan’ mendu çka bohet nese rastesisht shtetet na e bojn’ ketë masë reciproke, se për etikë s’po foli hiç”, shkruan Xhemajli në Facebook.

Kurse doktori, Visar Berisha, cilëson se shtrëngimi i masave të udhëtimit nuk ka asnjë rol mbrojtës në këtë fazë epidemike në të cilën gjendemi.

“Shterngimi i masave te udhetimit ska asnje rol mbrojtes ne kete faze epidemike ne te cilen gjendet Kosova! Pse?! Sepse me kete marsh pozitiviteti qe kemi, ne tashma jemi vet burim i qendrueshem dhe i vetmjaftueshem infeksioni. Cka dmth, se nuk qon peshe ma se kush vjen e kush hyn ne vend”, thotë ai.

E Majlinda Bregasi gjersa rrëfen se si asnjë institucion apo restorant nuk i ka kërkuar vaksinë në Shqipëri, ka disa fjalë për masat e reja në Kosovë.

“Në asnjë institucion, restorant, bar … nuk më kanë kërkuar certifikatë vaksine. Në autobus nga Tirana në Prishtinë kur e pyeta kondukterin pse askush nuk ka maskë, na nuk mbajm maska, më tha si me dasht me m’hëngër nga zemërimi. Maskat u vunë sa hyri policja së cilës pikë përshtypje nuk i bënte që kondukteri ishte pa maskë e vetë hunda e saj merrte ajër të freskët. Nejse, lehtë është me kritiku e jemi popull që hic s’i duam kritikat, po më dhimbsen qytetarët, të cilët vuajnë pasojat e tribalizmit kolektiv.Qenka shumë e vësbtirë me u ba njerëz 😞”

Masat e reja antiCOVID të cilat u miratuan nga Qeveria e Kosovës

Në kuadër të masave të reja, çdo person i cili hyn në Kosovë duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me tri doza, ose edhe me dy doza, por me një test PCR negativ të 48 orëve të fundit.

Nga kjo kërkesë lirohen ata që hyjnë transit, diplomatët e huaj, fëmijët nën 12-vjeç, e ata që kanë dëshmi mjekësore se janë të liruar nga vaksinimi. Përjashtim bëjnë edhe shtetasit e Kosovës që s’kanë dy doza të vaksinës, por ata duhet të karantinohen në shtëpi për shtatë ditë.

Të gjithë punonjësve të institucioneve publike do t’u kërkohet certifikata me të paktën dy doza të vaksinës.

Sa i përket orës policore, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve me vendimin e ri do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, ndërsa deri më tash ora policore fillonte nga ora 00:00 deri në orën 05:00.

Procesi mësimor do të zhvillohet me prani fizike, por task forcat e institucioneve edukative arsimore do të vendosin në vazhdimësi për aplikimin e skenarëve për organizimin e procesit mësimor, varësisht nga gjendja në institucion dhe në klasa.

Mbledhjet në ambiente të mbyllura lejohen me maksimum 30 persona.

Është ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, apo dasmave e fejesave, ashtu siç është ndaluar edhe mbajtja e pritjes për ngushëllim.

Gastronomisë do t’i lejohet puna deri në orën 21:00.

Operatorët e transportit publik lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50 për qind të kapacitetit të ulëseve.

Masat e miratuara sot në Qeveri do të hyjnë në fuqi nga 22 janari, ndërsa do të vlejnë deri më 4 shkurt 2022.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco