Dogana tregon faktet, importi nga Serbia ra rreth 38 për qind

Dogana tregon faktet, importi nga Serbia ra rreth 38 për qind

18:19, 22/01/2022

Dogana e Kosovës i ka reaguar agjencisë së lajmeve “Kosovapress” pas raportimit se nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, Kosova ka importuar nga Serbia rreth 300 milionë euro. Nga Dogana nuk e mohojnë këtë fakt, por thonë se s’është dashur të bëhet krahasim 2021 me vitin 2020 për shkak të rrethanave, teksa sjellin në vëmendje se ka pasur vite kur Kosova ka importuar nga Serbia edhe mbi 400 milionë.

 

Agjencia e lajmeve Kosovapress ka publikuar sot një artikull i cili i është kushtuar importit të Kosovës nga Serbia gjatë vitit 2021, import ky që kap vlerat rreth 300 milionë euro. Për një artikull të “Kosovapress” kanë reaguar nga Dogana e Kosovës, të cilëve nuk iu ka pëlqyer fakti se mediumi ka krahasuar importet e vitit 2021 me ato të vitit paraprak, derisa thonë se fakti që Kosova ka importuar rreth 300 milionë në vitin 2021 është i vërtetë.

“Sot në disa media është publikuar një artikull në lidhje me importin dhe eksportin në mes Serbisë dhe Republikës së Kosovës. Në artikull ka pasaktësi të mëdha dhe vendosje të shtrembëruar të fakteve. Është e vërtetë se importi nga Serbia është 305 milion euro krahas 174 milion në vitin e kaluar, por duhet të kemi parasysh se importi i vitit 2020 është ndikuar nga masa mbrojtëse dhe reciprociteti që kanë ndikuar në rënie të importit në pjesën e parë të vitit 2020, sikur që ka ndikuar edhe pandemi”, thuhet në reagimin e Doganës.

 

Në reagim shkohet edhe më tutje, ku jepen sugjerime për mediumin se cila periudhë kohore me cilën duhet krahasuar.

“Krahasimi më real është krahasimi i periudhës së pa ndikuar nga masat e veçanta në periudhën Janar-Nëntor 2018 me të njëjtën periudhë të vitit 2021, nga ku vërejmë se mallrat e importuara nga Serbia në periudhat e krahasuara kanë shënuar rënie të sasisë së importit për 37.46%, ndërkaq në vlerë ka rënie për 27.58% edhe pse tregu i gjithmbarshëm i importit ka shënuar rritje në vlerë prej mbi 41% në vitin 2021, andaj rënia reale është rreth 38%”, theksojnë tutje nga Dogana.

Ndërkohë teksa tentojnë të argumentojnë reagimin e tyre, thonë se dikur Kosova ka importuar 450 milionë euro, apo 36.8 më shumë sesa vlera e importit të vitit 2021, krahasim ky që duket se i pëlqen Doganës.

“Nëse e krahasojmë me vit të plotë duhet të kthehemi në vitin 2017 i cili nuk ka qenë i ndikuar nga masa mbrojtëse dhe aty vërejmë se vlera e importit në tregun e Kosovës të mallrave serbe ka qenë 450 milion euro apo 36.8% më shumë sesa vlera e importi dhe vlera e rritjes në vitin 2021”, thekson tutje reagimi i Doganës.

 

Lidhur me shifrat e importit nga Serbia, ka reaguar sot edhe ish-kryeministri Haradinaj. Ai ia ka rikujtuar Kurtit deklaratën për vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë, derisa ka treguar se sa ishte importuar nga Serbia gjatë kohës kur kishte udhëhequr me ekzekutivin dhe kur kishte vendosur taksën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco