Ky është projektligji që lejon Qeverinë e Kosovës t’i kontrollojë në detaje zyrtarët publikë

Ky është projektligji që lejon Qeverinë e Kosovës t’i kontrollojë në detaje zyrtarët publikë

12:48, 21/01/2022

Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur Projektligjin për Inspektimin Administrativ, me të cilin po tenton t’i kontrollojë zyrtarët publikë. Madje, duke u hyrë atyre edhe në zyrë pa paralajmërim. Ky projektligj është kundërshtuar fuqishëm nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë për Demokracia.com se Albin Kurti duhet të heqë dorë nga një mendësi e tillë.

Nëse votohet projektligji i propozuar nga Qeveria Kurti, inspektorëve do u lejohet të hyjnë edhe në zyrat e zyrtarëve publikë, t’i fotografojnë e t’u bëjnë edhe video-incizime.

Për më tepër, këtyre inspektorëve do u lejohet edhe t’i kontrollojnë pajisjet e zyrtarëve dhe në rast të gjetjes së ndonjë keqpërdorimi, t’i dënojnë me gjoba apo edhe t’i largojnë nga puna.

Këtë nismë të Qeverisë Kurti e ka komentuar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili i ka bërë thirrje Kurtit që të heqë dorë nga ky projektligj dhe nga një mendësi e tillë.

“Natyrisht se edhe unë i bashkohem qëndrimit të kolegëve nga Asociacioni i Komunave të Kosovë për ta kundërshtuar, jo vetëm këtë projektligj, por para së gjithash për ta ftuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë që jo vetëm të heqë dorë nga ky projektligj, siç është publikuar, por në radhë të parë të heqë dorë nga një qasje dhe mendësi e tillë qeverisëse”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka shtuar se Projektligji për Inspektimin Administrativ do të kundërshtohet edhe nga ambasadat e huaja në Kosovë.

“Unë besoj që ky projektligj tashmë i kontestuar gjithandej, jo vetëm nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, besoj që i njëjti do të kundërshtohet (nëse nuk është kundërshtuar ende) edhe nga ambasadat e vendeve mike të Kosovës, do të bëjë që Qeveria të reflektojë, të heqë dorë nga kjo qasje dhe ta kuptojë se ka gabuar”, ka thënë Lladrovci.

Kryetarët e katër komunave që udhëhiqen nga LVV-ja, konkretisht kryetarët e Podujevës, Gjilanit, Kamenicës dhe Shtimes, nuk kanë marrë pjesë as në takimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për të diskutuar për këtë çështje.

I pyetur nga Demokracia.com, Lladrovci ka thënë se nuk i di arsyet pse ata kanë munguar.

“Mospjesëmarrjen e kolegëve kryetarë nga VV-ja nuk e komentoj, ngase nuk jam në dijeni për arsyet e mungesës së tyre. Por, siç e kam thënë edhe ditë më parë, nëse kryeministri Kurti dhe subjekti që ai udhëheq nuk reflekton, nuk ndërron qasje, shpejt ka mundësi të bëhet e vogël edhe në nivel nacional, ashtu siç ka qenë dhe është në nivelin lokal”, tha Lladrovci.

Ndryshe, idenë për këtë, kryeministri Kurti e ka kopjuar nga shteti i Sllovenisë, por me disa ndryshime.

Shqetësuese rreth këtij projektligji është se inspektorati në këtë rast mund të vendosë edhe për largimin nga puna të zyrtarit që inspektohet.

Kjo tregohet edhe në pikat 2 dhe 3 të nenit 37 të këtij projektligji, ku qartë thuhet se inspektori mund të ndërpresë punën e subjektit apo zyrtarit që inspektohet.

“2. Inspektori mund të ndërpres punën e subjektit të inspektuar apo të zyrtarit përgjegjës në subjektin e inspektuar që ushtron veprimtari në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Ministri përgjegjës për administratë publike me akt nënligjor përcakton procedurën për ndërprerjen e punës dhe aktiviteteve të subjektit të inspektuar”, thuhet në këto pika.
Sa u përket gjobave, inspektorati mund t’i shqiptojë ato për shkelje administrative deri në 700 euro. Kjo tregohet në pikat 2.1, 2.2 dhe 2.3 të nenit 46.

“2. Gjobat për shkeljet e kryera që përcaktohen në paragrafin 1 të këtij neni janë si vijon:

2.1. Pesëqind (500) euro për zyrtarin e inspektuar;

2.2. Tre mijë (3000) euro për subjektin e inspektuar;

2.3 Shtatëqind (700) euro për zyrtarin kryesor administrativ të subjektit të inspektuar”, thuhet në disa prej pikave të këtij projektligji.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco