Afganëve në Kosovë mund të mos u lejohet hyrja në SHBA, shkak lidhjet terroriste

Afganëve në Kosovë mund të mos u lejohet hyrja në SHBA, shkak lidhjet terroriste

12:19, 21/01/2022

Afganëve të evakuuar e të vendosur në një bazë ushtarake amerikane në Kosovë mund t’u mohohet hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me talibanët dhe grupet e tjera terroriste, kanë thënë zyrtarët amerikanë, duke i lënë ata potencialisht pa vendlindje.

Më pak se 10 afganë janë shpallur të papërshtatshëm për hyrje në SHBA, pasi zyrtarët e sigurisë gjetën informacion diskualifikues rreth tyre gjatë një procesi të gjerë verifikimi, sipas një personi të njohur me këtë çështje. Rreth 90 individë të tjerë vazhdojnë të kontrollohen në bazën e kampit “Bondsteel” në Kosovë, sipas zyrtarëve të administratës amerikane, raporton “Wall Street Journal”, transmeton Zeri.info.

Pak vende kanë rënë dakord të marrin individët e ndaluar nga SHBA-ja dhe dërgimin e tyre në Afganistan, ku ata mund të dëmtohen, gjë e cila mund të shkel ligjin ndërkombëtar. Kjo paraqet një enigmë ligjore, humanitare dhe diplomatike për administratën “Biden”, pas një përpjekjeje kaotike evakuimi verën e kaluar. Mijëra u larguan nga aeroporti i Kabulit me pak ose aspak verifikim, ndërsa më shumë se 60.000 ish-përkthyes dhe aplikantë të tjerë për viza mbetën mbrapa.

Shumica e më shumë se 100.000 afganëve që hipën nëpër aeroplanët e evakuimit në gusht, pasi SHBA-ja tërhoqi trupat e saj dhe talibanët morën kontrollin, bënë ndalesat e tyre të para në bazat ushtarake amerikane jashtë shtetit për kontrollet fillestare të sigurisë. Rreth 200 prej tyre, disa prej të cilëve janë familjarë të individëve që po i nënshtrohen vetingut shtesë, u sollën në “Bondsteel” për verifikim të mëtejshëm pasi u ngritën pikëpyetje për prejardhjen e tyre.

Afganët e mbajtur në kampin në Kosovë përshkruan kushtet e vështira në të cilat familjet me foshnja dhe fëmijë të vegjël kanë kaluar muaj të tërë në tenda të përbashkëta, me pak informacion rreth arsyeve të ndalimit të udhëtimeve të tyre, sipas Simina Quorishit, e cila drejton një organizatë jofitimprurëse që ndihmon gratë afgane. Motra e Quorishit është mbajtur në kamp prej muajsh me bashkëshortin e saj, një kontraktor ushtarak amerikan dhe tre fëmijë të vegjël.

Disa prej tyre dikur mbanin poste të profilit të lartë në qeverinë afgane, duke punuar së bashku me udhëheqësit dhe diplomatët më të lartë ushtarakë të Amerikës dhe përfshijnë mes tyre një ish-shef të agjencisë së inteligjencës, një gjeneral afgan me tre yje dhe një ish-zëdhënës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Inteligjenca amerikane, kundërzbulimi dhe personeli i mbrojtjes po kryejnë verifikim të zgjatur të individëve në “Bondsteel” për të përcaktuar nëse ndonjë prej tyre mund të lirohet për të vazhduar udhëtimet e tyre në SHBA, siç kanë bërë tashmë disa.

Julie Sirrs, një avokate që po ndihmon ish-shefin e agjencisë së inteligjencës afgane të mbajtur në Kosovë me familjen e tij, tha se administrata amerikane do të duhej të ndante më shumë resurse për të përshpejtuar përpunimin e rasteve. Sirrsi u takua me shefin e agjencisë së inteligjencës ndërsa punonte për çështjet e inteligjencës në Afganistan dhe nuk e di pse ai po mbahet.

“Ai ishte një nga aleatët tanë më të fortë”, tha ajo. “Ai na ndihmoi jashtëzakonisht shumë gjatë asaj periudhe të parë kur hymë në Afganistan”.

Individët tani në “Bondsteel” janë teknikisht të lirë të largohen ose të tërhiqen nga procesi i aplikimit për të hyrë në SHBA, por duhet të ketë një vend tjetër që pajtohet t’i pranojë ata, thanë zyrtarët amerikanë. Të paktën një individ i tillë e ka bërë këtë me sukses.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen të balancojnë sigurinë e atdheut amerikan me mirëqenien e individëve që ndihmuan të evakuohen nga Kabuli, tha Seth Jones, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington. Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për të vendosur disa individë në vende të tjera përmes mjeteve diplomatike, por të tjerët mund të paraqesin rreziqe të vërteta të sigurisë, tha ai.

Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të thonë se çfarë informacioni kanë për individët të cilëve u është ndaluar hyrja në SHBA, por mund të përfshijë të dhëna biometrike, si shenjat e gishtërinjve, që gjurmohen në sulmet ndaj trupave amerikane ose të koalicionit gjatë konfliktit 20-vjeçar, ose të dhëna të tjera shqetësuese biografike që lidhin një individ me një grup terrorist, tha Jones, transmeton Zeri.info.

Zyrtarët thanë se nuk ka terroristë të shquar në “Bondsteel”, por nuk pranuan të japin më shumë informacione se kush strehohet atje.

“Vetë fakti që analistët dhe ekspertët kanë dashur të vazhdojnë punën dhe të kuptojnë çështjet e tyre, më bën të mendoj se këto raste janë të ndërlikuara dhe kanë merituar një shqyrtim të mëtejshëm”, tha zyrtari i lartë i administratës amerikane.

Midis tyre është një ish-komandant taliban, i cili u burgos në burgun e drejtuar nga amerikanët në Bagram për dy vjet. Komandanti, i cili kërkoi të mos i publikohej emri për arsye sigurie, më vonë ndryshoi anën për t’u bërë zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Afganistanit në vitin 2020. Kjo e ka bërë atë një objektiv kryesor të talibanëve, tha ai.

“Të gjithë njerëzit e dinë se kush jam”, tha ai. “Talibanët do të më vrasin mua dhe më pas do të mohojnë çdo dijeni për vrasjen”. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco