Polici i Kosovës që shpëtoi pa asnjë therë në këmbë nga një rast korruptiv

Polici i Kosovës që shpëtoi pa asnjë therë në këmbë nga një rast korruptiv

11:00, 21/01/2022

Dënime të ulëta nën minimumin e paraparë me ligj po vazhdojnë të shqiptohen akoma në Republikën e Kosovës, ndonëse Kodi i ri Penal i ashpërsoi ato për rastet e korrupsionit.

Edhe përkundër shumë kritikave nga udhëheqësit e sistemit të drejtësisë dhe shoqëria civile, një dënim me vetëm gjashtë muaj burgim, e i cili më pas u konvertua në gjobë prej 2700 euro gjobë, u gjykua nga Gjykata e Pejës, përkatësisht gjyqtari Murat Hulaj.

Ky dënim u shqiptua ndaj një zyrtari policor, i cili akuzohet se kishte marrë 250 euro nga një qytetar në këmbim të kthimit të dokumenteve.

Gjyqtari Hulaj kur vendosi për dënimin nuk arriti të gjej asnjë rrethanë rënduese pasi sipas tij, të gjitha rrethanat që mbizotëruan në atë rast ishin ato lehtësuese.

Për më tepër, zyrtari policor i cili e pranoi fajësinë se kishte kërkuar 250 euro në këmbim të kthimit të dokumenteve, do të vazhdojë të punojë në Policinë e Kosovës pasi ndaj tij nuk u shqiptua dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit.

Fjala është për policin Q.D, i cili sipas prokurorisë ishte zënë duke marrë para nga një qytetar në këmbim të kthimit të dokumenteve.

Polici Q. D. u shpall fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare pasi u akuzua se kishte kërkuar 250 euro në këmbim të kthimit të lejes së qarkullimit.

Sipas prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 23 maj 2021, rreth orës 15 në Klinë.

Akuza thotë se Q.D. lejen e qarkullimit të qytetarit V.K, në vend se ta dorëzonte në Stacionin Policor, i kishte kërkuar atij 250 euro në këmbim të kthimit të lejes së qarkullimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari i këtij rasti pasi i ishin kërkuar paratë kishte kontaktuar me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe kishte lënë takim me policin për dorëzimin e parave. Aty përshkruhet se paratë ishin dorëzuar tek zyrtari policor, i cili menjëherë ishte arrestuar.

Për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim prej 1 deri në 8 vjet burgim sipas Kodit Penal.

Ndërsa përkundër këtij dënimi të paraparë në Kodin Penal, gjykatësi Murat Hulaj, kishte vendosur që policin ta dënojë me 6 muaj burgim e i cili dënim ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 2700 euro.

Sipas Kodit Penal, minimumi i dënimit për këtë vepër penale është një vit, ndërsa sipas nenit 72, në rastet kur aplikohet zbutja e dënimit për vepra penale të dënueshme të cilat kanë minimumin e dënimit prej një viti, dënimi më së shumti mund të ulet në 3 muaj.

Seanca fillestare në këtë çështje penale është mbajtur më 16 gusht 2021 në të cilën i akuzuari Q.D. e ka pranuar fajësinë.

Gjykatësi Mulaj, në arsyetimin e këtij vendimi si rrethana lehtësuese ka marrë pranimin e fajësisë, keqardhjen e shfaqur, herën e parë që ka kryer vepër penale, është mbajtës i familjes 5 anëtareshe.

Ndonëse sipas Udhëzuesit të Veçantë për veprat penale të korrupsionit, në këtë çështje penale ka ekzistuar shkalla e lartë e pjesëmarrjes së personit të dënuar në veprën penale dhe  shkallën e lartë të dashjes nga ana e personit të dënuar si dhe ndikimi në shoqëri.

Gjykatësi Mulaj gjithashtu në arsyetimin e tij lidhur me zbutjen e dënimit ka aplikuar Kodin Penal ku shkruan se “Gjykata në aplikim te dispozitave mbi zbutjen e dënimit nga neni 71 par.1 1.1, 1.2, 1.3 dhe nenit 72 par. 1 pika 1.6 që i referohet kufijve të zbutjes se dënimit ku thuhet: citoi 1.6 të nenit 72 të KPRK-së, se nëse për vepër është paraparë si masë më e ulët dënimit me burgim prej (1) një viti burgim, dënimi mund te zbutet deri në 30 (tridhjetë) ditë.”

Në rastin konkret minimumi i dënimit të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës është një vit.

Ndalimi i profesionit të zyrtarëve që dënohen për vepra korruptive kërkohet edhe nga Gjykata Supreme e cila përmes udhëzuesve të veçantë u kërkon të gjithë gjyqtarëve që të shqiptojnë dënimin plotësues ndalimin e ushtrimit të funksionit publik për periudhën 1 deri 5 vjet pas mbajtjes së dënimin me burg ose me kusht.

Udhëzuesi parasheh që gjykatat duhet të marrin fuqishëm në konsideratë ndalimin e ushtrimit të profesionit publik në rastet kur i akuzuar është personi zyrtar dhe ndaj të njëjtët është caktuar dënim me gjobë ose me kusht.

Madje kryetari i instancës më të lartë të gjyqësorit në Kosovë, Enver Peci kishte deklaruar se nuk mund ta imagjinojë ndonjë rrethanë lehtësuese e cila e arsyeton një dënim me kusht.

“Disa vepra penale nuk jepen me kusht, unë si gjyqtar që 30 vjet që punoj nuk di ku të gjej një rrethanë që mundet të arsyetohet me dënimin me kusht, nuk di, nuk mund ta imagjinoj”, kishte deklaruar kryetari Peci.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, gjatë emisionit “KallxoPernime” ka hedhur kritika në drejtim të gjyqtarëve që po gjykojnë rastet e korrupsionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco