Mbi 100 milionë euro subvencione, ndau deri sot nga paraja publike Kurti

Mbi 100 milionë euro subvencione, ndau deri sot nga paraja publike Kurti

20:21, 20/01/2022

Albin Kurti e ka hapur kuletën e shtetit dhe po shpërndan miliona euro për subvencione.

Jeta në Kosovë po bëhet çdo ditë e më e shtrenjtë e pakënaqësitë e qytetarëve po rriten. Ndërsa, për të blerë paqen sociale, Albin Kurti deri më tash ka ndarë mbi 100 milionë euro.

Kurti sot ka thënë se Qeveria do të ndajë edhe 75 milionë euro për subvencionimin e çmimit të energjisë, pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

Por, as ai dhe as ministrja Rizvanolli nuk kanë treguar se nga cila linjë buxhetore do të ndahen këto 75 milionë euro.

“Kjo është më shumë pyetje për Ministrinë e Financave. Unë mund të supozoj se është nga kontigjenca që është ndarë për buxhet. Nëse nuk gaboj për kontigjencë janë ndarë 100 milionë euro”, tha Rizvanolli.

Por, që nga ardhja e tij në krye të Qeverisë, Kurti është treguar dorëlirë me subvencionet.

Ai në fund të vitit 2021 ka subvencionuar KEK-un me 20 milionë euro.

Sipas njoftimit nga Qeveria, këto mjete do të shërbejnë për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.

Shfrytëzimi i mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes KEK-ut dhe Ministrisë së Ekonomisë, thuhet në njoftim.

Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi vendimin duke thënë që “KEK-u më pastaj ta mbulojë një pjesë të importit të energjisë”.

I pyetur se përse KEK-u edhe pse ai nuk e bën shpërndarjen e rrymës, Kurti ishte shprehur se kjo po bëhet që të mos e bëjë direkt “Qeveria me KEDS-in e KESCO-n, por KEK-u, sepse KEK-u është edhe emri i prodhimit, por edhe emri i institucionit të energjisë në Kosovë”.

E kuletën e shtetit Kurti e ka hapur edhe për Postën e Kosovës.

Ai në ditën e fundit të vitit 2021, ka marrë vendim që të ndajë 10 milionë e 860 mijë euro për ndërmarrjet publike dhe ka marrë vendim që Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës t’ia zbresë dividenten për 15 milionë euro.

Në një komunikatë për media thuhej se në këtë mbledhje të mbajtur në formë elektronike, Qeveria e Kosovës, sipas kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë dhe me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 10 milionë e 860 mijë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6 – Mbështetja e Ndërmarrjeve Publike.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin e pandemisë, blerjen e aparaturave mjekësore dhe punësimin e stafit mbështetës.

Në kuadër të 10 milionëshit, 260 mijë euro janë ndarë për pagesën e stafit shëndetësor dhe mbështetës për tre muaj, prej 210 pozitash. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco