Sa pritet të rritet çmimi i faturave të energjisë në Kosovë? (Tarifat)

Sa pritet të rritet çmimi i faturave të energjisë në Kosovë? (Tarifat)

11:45, 18/01/2022

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë në raportin e fundit për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria e Kosovës efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve si biznes të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kËh për muaj”, thuhet në raport

Në raport, ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kwh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh.

Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kwh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE thotë se e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera. Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesor të paguajnë 9 për qind më shumë.

Analisti Ilir Ibrahimi thotë se rritja e çmimit të energjisë elektrike është vendim i duhur. Sipas tij, për arsye elektorale rritja e çmimit të rrymës është vonuar duke e sjellë sektorin energjetik para kolapsit.

“Sipas statistikave, janë rreth 200 mijë familje që do të paguajnë dyfish më shumë për energji elektrike se sa deri tani, ndërkohë që për bizneset nuk do të ketë ndryshim”, shkruan ai ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

Rritja e çmimit të energjisë është një vendim i duhur për të cilin kjo qeveri duhet përshëndetur.

Ka vite që për arsye elektorale, ky vendim është vonuar duke e sjellur gjithë sektorin energjetik para një kolapsi.

Sipas statistikave, janë rreth 200 mijë familje që do të paguajnë dyfish më shumë për energji elektrike se sa deri tani, ndërkohë që për bizneset nuk do të ketë ndryshim.

Ky vendim padyshim se do të nxis debat ndërmjet subjekteve politike.

Uroj që ky debat të zhvillohet në baza të shëndosha, dhe jo i mbushur me populizëm.

Qeveria duhet të jap spjegimet e nevojshme pse e sheh të arsyeshme të shtrenjtoj rrymën për disa familje e disa jo, dhe opozita duhet të ofroj dhe argumentoj qëndrimet e veta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco