Si u prodhua lajmi i rremë për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga kampi 'Bondsteel'

Si u prodhua lajmi i rremë për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga kampi 'Bondsteel'

08:00, 14/01/2022

Të enjten mbrëma u publikua një lajm me titull “Ekskluzive: Amerikanët do largohen nga Bondsteel-i, aty vendoset FSK’ja – hapet një bazë amerikane në Rugovë”.

Portali “Albanian Post” duke u thirrur në “burime amerikane” thotë se “reduktimi i madh i tërheqjes së ushtarëve do të ndodh gjatë muajit maj”.

Por, një lajm i tillë është përgenjështruar nga zyrtarë brenda Ambasadës amerikane.

Zyrtarë të Ambasadës amerikane në Prishtinë kanë thënë për KALLXO.com se lajmi i publikuar nga “Albanian Post” është “trillim i plotë”.

Madje, siç ka thënë burimi, lajmi për largimin e ushtarëve amerikanë nga baza ushtarake “Bondsteel” “duket të jetë dezinformim rus”.

Lajmin e ka mohuar edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.

Ai për KALLXO.com ka thënë se lajmi për tërheqjen e trupave amerikane nga “Bondsteel” është i rremë.

Se baza amerikanë “Bondsteel” nuk do të zhvendoset në asnjë vend tjetër dhe ushtarët nuk do të tërhiqen nga kampi e kanë thënë edhe zyrtarët për informim nga KFOR për vetë portalin që e ka publikuar lajmin.

“Forcat amerikane nuk do të tërhiqen nga kampi Bondsteel apo Kosova”, citohet të ketë thënë Jace Rivard, zyrtar për media në KFOR.

Përveç “Albanian Post”, portali i cili e publikoi i pari këtë lajm, lajmi i rremë është publikuar edhe në disa media online të tjera, siç është, “Veriu.info”, “njekomb.org”, “radiostargjilan.com”.

Ky nuk është lajmi i parë i rremë që publikohet për gjoja tërheqjen e amerikanëve nga kampi “Bondsteel”.

Klan Kosova në vitin 2019 kishte raportuar një lajm ekskluziv që amerikanët do të tërhiqen nga “Bondsteel” nëse nuk tërhiqet taksa 100% e vendosur në atë kohë nga Qeveria Haradinaj.

Portali “Albanian Post” muaj më parë publikoi një lajm të rremë për kthimin e eshtrave të veprimtarit politik, Ukshin Hoti.

Lajmi ishte mohuar kategorikisht nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti.

Lajmi i rremë për tërheqjen e ushtrave amerikanë nga kampi Bondsteel
Lajmi i rremë për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga kampi “Bondsteel”
Lajmi i rremë për tërheqjen e ushtrave amerikanë nga kampi Bondsteel

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco