Dy kërkesat e Amerikës për Kurtin

Dy kërkesat e Amerikës për Kurtin

07:42, 14/01/2022

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J.Blinken, i ka shkruar letër kryeministrit të Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar nga ky i fundit që Kosova t’i bëjë dy marrëveshje me Serbinë.

Blinken kërkoi nga Kurti që t’u kushtohet vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës.

Përveç marrëveshjes për rrymë, Sekretari amerikan kërkoi nga Kurti edhe avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur.

Blinken tha se këto çështje janë në interes të Kosovës të cilat çojnë drejt një kompromisi në plan afatshkurtër.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken.

Ndër të tjera sekretari Blinken ka thënë se marrëdhënia ndërmjet SHBA-së është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur.

Ngjashëm, ka thënë ai, vendosja e përbashkët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë e SHBA-së në Kuvajt, vë në pah kapacitetin në rritje të Kosovës për të kontribuuar në sigurinë globale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për letrën të cilën ia ka dërguar Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Në një postim në Twitter, Kurti ka thënë se mirëpret letrën nga Blinken në të cilën sipas tij shpaloset edhe njëherë mbështetja e tij për prioritetet në vende të reja pune dhe drejtësi.

“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e SHBA-ve për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me në qendër njohjen reciproke”, ka shkruar kryeministri Kurti në Twitter.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco