I dënuari për mashtrim me vota zgjedhet kryesues i Asamblesë në Han të Elezit

I dënuari për mashtrim me vota zgjedhet kryesues i Asamblesë në Han të Elezit

16:32, 30/11/2021

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja inauguruese e qeverisjes së re të Komunës së Hanit të Elezit.

Betimin solemn e dhanë edhe kryetari i ri i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi e edhe asamblistët komunal.

Ballazhi ka kërkuar nga asamblistët që të punojnë së bashku për të qytetarët e Hanit të Elezit.

 

“Nuk ka më mirë se të jesh në gjendje për të punuar së bashku me qytetarët e Hanit të Elezit në ndërtimin e qytetit dhe fshatrave tona por edhe në ndërtimin e një vizioni të përbashkët se si duam ta shohim të ardhmen tonë. Zgjedhjet ishin të lodhshme dhe më vjen mirë që morën fund pa asnjë incident”, është shprehur Ballazhi në mbledhjen e sotme.

Në mbledhjen e sotme është zgjedhur edhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Han të Elezit. Për këtë pozitë është votuar Florim shkreta me 9 vota pro dhe 6 kundër.

Florim Shkreta në vitin 2017 pati kandiduar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Hanit të Elezit.

Shkreta në vitin 2014  ishte dënuar me gjashtë muaj burg, për shkak të veprës penale mashtrim në votime.

 

Hulumtimi i KALLXO.com zbardhi dosjen e Shkretës në atë kohë ndërsa ky i fundit, e kishte pranuar dënimin deri sa kishte shtuar se rasti i ishte montuar.

Shkreta ishte dënuar për mashtrim në votime në zgjedhjet e vitit 2010, kur sipas aktakuzës, ai në një qendër votimi të fshatit Seqishtë të Hanit të Elezit kishte zvogëluar votat e tash Presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Nismës Fatmir Limajt që atëherë ishte pjesë e PDK-së, ndërsa kishte shtuar voat e Azem Sylës dhe Hajredin Kuçit.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme Shkreta kishte të drejtë të kandidojë për kryetar, pasi ishte dënuar para më shumë se tre vjetësh nga zgjedhjet e vitit 2017.

Kandidimin e Shkretës në atë kohë e kishte komentuar edhe Abelard Tahiri.

 

Në emisionin “Jeta në Kosovë” në të cilin u diskutuan zgjedhjet lokale të vitit 2017, anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, kishte thënë që kandidimi i Florim Shkretës për kryetar të komunës së Hanit të Elezit ka qenë një lëshim i partisë.

“Kandidimi i tij ka qenë lëshim i PDK-së, ajo nuk do të duhet të ndodhte. Ka qenë një gabim i joni, na është përvjedhur si gabim”, kishte thënë Tahiri.

Në “Debat Përnime”, në vitin 2017 Shkreta kishte thënë se fakti që ka qenë i dënuar për keqpërdorim në zgjedhje nuk e ka penguar të kandidonte për kryetar të komunës.

Ai kishte thënë edhe se ka qenë i kënaqur me burgun.

 

“Shumë jam i kënaqur me burg sepse me të vërtetë njeriu ka nevojë me shku në burg nganjëherë. Por me shku padrejtësisht të mundon. Sepse nuk ka qenë interesimi kaq i madh në atë vendvotim ku më kanë akuzu”, ishte shprehur Shkreta në debat.

“Procesi në vendvotim ka përfundu në rregull. Po unë dyshoj se kjo është montim”, shtoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco