Vetëgjyqësia po i merr në qafë shqiptarët

Vetëgjyqësia po i merr në qafë shqiptarët

14:59, 30/11/2021

Vrasjet, dhunimet seksuale, fizike e psikike janë fenomenet më të shëmtuara të secilës shoqëri. Por, siç e njeh historia, në mungesë të ligjit, por edhe kur ligji është në fuqi, shpesh kontestet, në trojet shqiptare janë zgjedhur përmes disa rregullave që janë paraparë në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ndonëse, këto rregulla sot mund të llogariten si primitive e jo të duhura. Fatkeqësisht, në Kosovë, në disa zona kanuni vazhdon të jetë vendimtar për shumë çështje, sidomos për hakmarrje. Edhe pse jemi shtet me kushtetutë e ligje, kosovarët shpesh po e marrin më shumë për bazë kanunin, sesa drejtësinë. Syri.net Kosova sjell më poshtë versionet e hakmarrjes dhe përplasjet me ligjet që janë në fuqi. Jo rrallë, kur individët e marrin ligjin në duart e tyre, këtë e bejnë edhe për shkak të drejtësisë së dobët, të njëanshme apo të korruptuar.

Erdonit HOXHA

Hakmarrja përmes gjakut ka qenë zgjidhja e fundit që e ka menduar shoqëria shqiptare, në rast se janë përballur me një problem.

Duke u bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, në fakt këto probleme nuk janë zgjidhur vetëm me një vrasje, pasi, pas hakmarrjes nga njëra palë, ka qenë pala e dëmtuar që më pas ka bërë gjakmarrje, duke vazhduar kështu për gjenerata.

Ndonëse jo në dozë si dikur, fatkeqësisht, në Kosovë vrasjet e format e tjera të dhunës janë ende prezente, pra, duke u motivuar në hakmarrje, si “burrëri” dhe “paqe me vetën”, mendësi kjo totalisht e gabuar, pasi, në fuqi janë ligjet që çojnë deri të ndëshkimet e merituara.

Ekzistencën e hakmarrjes në Kosovë më së miri e dëshmojnë edhe vrasjet që kanë qenë për linja autobusi, pasi, deri më tani kemi dy vrasje të konfirmuara nga gjykata, me motiv konfliktet për linjat e tilla. Njëra në Prizren e tjetra në Skenderaj.

Se në Kosovë ka vrasje, sidomos të rënda, e tregojnë edhe nga policia e shtetit.

Në një përgjigje për Syri.net Kosova, nga PK treguan se në vitin 2020, në Kosovë janë shënuar 12 vrasje dhe 15 vrasje të rënda, kurse, në vitin 2021, në vend deri më tani janë të regjistruara 7 vrasje dhe 12 vrasje të rënda.

Duke i pasur parasysh këto shifra, vrasjet në vendin tonë po ndodhin për disa shkaqe, disa prej të cilave i ka listuar avokati kosovar, Adnan Pacolli.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, Pacolli tha se mosbesimi në gjykata dhe vonimi i procedurave gjyqësore, po ndikojnë që qytetarët të bëjnë vetëgjyqësinë, duke ua shtuar dhe ngarkuar akoma më shumë punën institucioneve të rendit.

“Për fat të keq, për shkak të neglizhencës së gjykatave tona, numrit të madh të lëndëve në gjykata, mosefikasitetit në procedimin e çështjeve me kohë, shpeshherë qytetarët vendosin t’i zgjidhin problemet dhe kontestet e tyre me kanun. E, shpeshherë edhe ta marrin gjyqësinë në duart e tyre dhe të bëjnë vetëgjyqësi. Sistemi gjyqësor ka kaluar në disa tranzicione, duke përfshirë periudhën e UNMIK-ut, e më pas të EULEX-it, por, ende lë shumë për t’u dëshiruar. Ndër faktorët kryesor pse tek ne fatkeqësisht në disa zona si mjet për t’i zgjedhur problemet e tyre përdoret kanuni janë: mosprocedimi me kohë i organeve të rendit si dhe mosbesimi në gjykatat tona. E them këtë, për shkak se sikur të vepronte policia e prokuroria në kohë, në shumë raste do të kishte ndikuar, që të mos përdoren format primitive për zgjedhjen e problemeve. Ndërsa, sa i përket mosbesimit në sistemin tonë gjyqësor, duke parë politikat ndëshkimore, në shumë raste qytetarët marrin t’i zgjedhin problemet, pas vendimeve të gjykatave, vendime këto që për ta janë të papranueshme. Tash së fundmi kemi rastin në Gjykatën e Pejës, ku për dhunim kryesi i veprës dënohet me 8 muaj burg, pra, dënohet nën minimumin e përcaktuar me dispozitat ligjore në fuqi. Unë mendoj që duhet të kemi efikasitet në procedimin e shpejtë të rasteve dhe politika më të rrepta ndëshkimore, në mënyrë që format primitive të zgjidhjeve të problemeve t’i largojmë njëherë e përgjithmonë dhe në rast të mosmarrëveshjeve të konteksteve të ndryshme, t’i drejtohen gjykatave dhe organeve tona” tha Pacolli.

Hakmarrja si zgjidhje e problemeve, ndonëse e gabuar, padyshim që ka pasur ndikim sociologjik në shoqërinë shqiptare.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, sociologu kosovar, Ferdi Kamberi, tha se hakmarrja te ne ndikoi negativisht, duke dhënë edhe dy shkaqe se përse ka ndodhur kjo gjë.

“Fenomeni i hakmarrjes është produkt i shoqërive arkaike, shoqërive të cilat kanë punuar dhe trajtuar çështjet shoqërore përmes së drejtës zakonore, për shkak të mos ekzistimit të shtetit dhe mekanizmave institucional. Tek shoqëria shqiptare ky fenomen ka ekzistuar qysh herët dhe përmes së drejtës zakonore janë zgjidhur çështje të tilla, ku ka pasur pasoja të pa riparueshme, sociale, ekonomike, politike, besa edhe kulturore. Hakmarrja dhe forma e saj gjakmarrja kanë një ndikim negativ tek shoqëria, për shkak se së pari kjo krijon një linjë të hakmarrjes, së dyti neglizhon institucionet shtetërore dhe çështjen e shtetit i marrin në dorë individë apo grupe të qytetarëve, së treti është formë primitive dhe jo bashkëkohore dhe së katërti ka ndikim brez pas brezi, sepse njerëzit për shkak të panikes, frikës, pasigurisë, familjet në hakmarrje ngujohen në shtëpi, humbin punën, shkollimin, rutinën jetësore dhe stagnojnë. Kurse, në aspektin psikologjik ato bartin pasoja, duke pasur problem me ankthin, stresin, depresionin, si dhe integrimin social” tha Kamberi.

Po ashtu, sociologu apeloi që problemet mes njerëzve të zgjedhën në forma të ndryshme, për shembull, me dialog, apo me drejtim në institucione përkatëse.

“Është e rëndësishme që çdo mosmarrëveshje, situatë problematike, situatë konfliktuoze të zgjidhet përmes mjeteve të dialogut dhe komunikimit dhe mos të nxitohet me marrjen e vendimeve të njëanshme dhe të shpejta të cilat mund të rezultojnë me pasoja të paparashikuar duke humbur jetën vetë njerëzit. Çdo situatë e tillë ku paraqiten probleme të cilat nuk mund të zgjidhen përmes dialogut, duhet të kontaktohen institucionet e vendit dhe këto çështje të ndjeshme t’ju lihen vetë institucioneve për shkak se ato kanë të drejtën legjitime për të zgjedhur këto probleme dhe problemet e tilla duhet zgjidhur vetëm përmes rrugëve ligjore” përfundoi ai.

---

Kur duhej të merrej hak sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit?

Këtë gjë më së miri për Syri.net Kosova e ka shpjeguar eksperti i historisë, Haxhi Ademi.

Shprehja shqiptare për të drejtën zakonore shqiptare është Kanun i njohur si Kanuni i Lekë Dukagjinit (KLD) në përgjithësi është ruajtur nga ndikimet e Sheriatit Islamik gjatë sundimit 5 shekullor Turk, pasi ai lindi dhe u zhvillua në zonat veri-lindore të Shqipërisë me popullsi të krishterë. Meqenëse autoriteti i Lekë Dukagjinit ishte i padiskutueshëm dhe feja islame e pakonsoliduar, kanuni u përqafua edhe nga popullata myslimane, kështu që KLD ka shërbyer si udhëzim për të drejtat zakonore në pjesën veriore të Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe trevat shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në (KLD) është bërë riorganizimi i mbi familjen, martesën, trashëgimia, pronat, kufiri, tregu i tokës, nderi, vrasja

“Sipas (KLD) “nderi vetjak secili e ka për vete, ai nuk paguhet as me gjobë, as me pleq, por vetëm me gjak” Ky fenomen në shoqërinë shqiptare është në zhdukje e sipër, ngase tanimë ekzistojnë institucionet shtetërore dhe merren më këtë çështje. Ngase Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në kushtetutën e saj. Sipas (KLD) më qëllim që të mënjanohen vrasjet, “personi e ka për detyrë që çdo faj ta zgjidhë paraprakisht me pleq dhe me gjobë. Kështu p.sh. sharjet, kërcënimet, rrahjet, vjedhjet, dëmtimet, etj. nuk këshillohet të përfundojnë me vrasje, pasi ajo është masa më ekstreme dhe gjaku lahet me gjak”. Sipas (KLD), “vrasjet pa dashur, të gjykuara si të tilla, falen. Vetëvrasja nuk ka gjobë as gjak. Çdo vrasje pavarësisht nga seksi konsiderohet e njëjtë. Gruaja dhe fëmijët nuk ndiqen për gjak”.

Sipas (KLD) “Kur burri vret gruan pa motive të forta, bie në gjak me prindërit e saj, ndërsa me vra gruaja - burrin, përgjigjen për gjak prindërit e saj. Gjaku i burrit nuk është i barabartë me gjakun e gruas” Edhe më tej, kur dështon gruaja shtatzënë e provokuar nga njerëz të tjerë, fajtori ndiqet për gjak. Vlerësimi i gjakut të gruas bëhet nga prindërit e saj, ndërsa gjaku i barrës - nga burri.”

Sipas(KLD) “Plagosjet për mashkull dhe femër janë të barabarta. Dëmi i shkaktuar vlerësohet sipas mjekut dhe pleqve të fshatit. Këto fenomene në shoqërinë shqiptare janë tani më janë të rregulluara më ligji ngase krijimi i një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar. cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar.

Shënim: Qëllimi i këtij teksti nuk ka të bëj me promovimin e praktikimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit, apo, nxitjen për hakmarrje, vëllavrasje. Qëllimi i tekstit është që të pasqyrojë këtë fenomen ndërshekullor, që fatkeqësisht si edhe u tha, po praktikohet ende në disa zona në Kosovë, pra, assesi të promovohet një sistem i tillë. Vrasja dënohet me ligj jo me kanun. Vrasja nuk është zgjidhje asnjë problemi, madje, e rrit atë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco