Pacolli fajëson Qeverinë Kurti për ikjen e kompanisë që planifikoi investimin e 110 milionëve

Pacolli fajëson Qeverinë Kurti për ikjen e kompanisë që planifikoi investimin e 110 milionëve

14:49, 30/11/2021

Dje në media është raportuar se kompania franceze “Akou Energy” edhe pse kishte bërë plane për investime në Kosovë, ishte larguar nga vendi jonë për t’i zhvendosur investimet e planifikuara në Maqedoninë e Veriut.

Kjo kishte nxitur reagime të shumta ndaj Qeverisë Kurti, e cila është fajësuar për dërgimin e investimit të planifikuar në rishqyrtim, edhe pse ajo paraprakisht ishte miratuar nga qeverisja e kaluar e drejtuar nga Avdullah Hoti, shkruan lajmi.net.

Kreu i AKR-së, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se fajtor për ikjen e këtij investitori është qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

“Ky investim i kësaj kompanie franceze ishte miratua nga Qeveria Hoti dhe Qeveria Kurti e kishte anuluar vendimin e Hotit dhe e kishte dërguar në rishqyrtim. Ndërkohë asgjë nuk kishte ndodhur dhe kjo nndermarrje kishte vendosur të tërhiqej nga Kosova”, ka thënë Pacolli.

Ndaj Qeverisë Kurti ka reaguar edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili ka thënë se dje një investitor ka ikur nga Kosova dhe ka shkuar për të investuar në Maqedoninë e Veriut, sepse dokumentacionet i janë përfunduar më shpejtë se sa në Kosovë.

Gërxhaliu ka thënë se kompania francize “Akou Energy” kishte planifikuar një investim prej 110 milionë euro në Kosovë, ndërsa tani po planifikon investimin e 220 milionë eurove në Maqedoni të Veriut dhe kjo për shkak të procedurave byrokratike.

“Dallimi, Maqedonia e Veriut i kreu procedurat për 1 muaj, duke i dhënë statusin Investitor Strategjik Akou Energy nga Franca, Qeveria e Kosovës nuk po arrinë ti kryej të njejtat procedura për më shumë se 3 vite. Prandaj ikin investitorët nga Kosova e shkojnë në vendet fqinje”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, rreth raportimeve për ikjen e kompanisë franceze nga Kosova, ka reaguar edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Përmes një njoftimi, MINT ka deklaruar se projekti francez nuk është larguar nga Kosova, por që kompania e njëjtë ka projekte të tjera dhe se shkuarja e tyre në Maqedoninë e Veriut, nuk do të thotë tërheqje nga investimi në Kosovë.

Postimi i plotë i Gërxhaliut:

Si largohen investitorët potencial nga Republika e Kosovës. Akou Energy investitor francez në Maqedoninë e Veriut po investon 220 milion € njfton KM Zaev i Maqedonisë.

Në Kosovë, i njejti investitor ka 3-4 vite që po endet poshtë e lartë në Qeverinë e Kosovës duke pritur të investoj 110 milion € në energji me erë në projektin Çyçavica Ëind Farm në Vushtrri për të cilin projekt Komuna e Vushtrrisë ka nënshkruar Memorandum dhe i ka dhënë të gjitha lejet në kohë. Dallimi, Maqedonia e Veriut i kreu procedurat për 1 muaj, duke i dhënë statusin Investitor Strategjik Akou Energy nga Franca, Qeveria e Kosovës nuk po arrinë ti kryej të njejtat procedura për më shumë se 3 vite.

Prandaj ikin investitorët nga Kosova e shkojnë në vendet fqinje.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë demanton lajmin se Qeveria po nxit largimin e investitorëve

Prishtinë, 29/11/2021

Në kumtesa të ndara, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe kryetari në largim i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë deklaruar se vonesat procedurale të Qeverisë kanë shtyrë kompaninë franceze “Akuo Energy” të zhvendosë investimin e planifikuar nga Kosova në një shtet tjetër.

Kompania “Akuo Energy”, përmes filialit “Cicavica ëind Farm” sh.p.k., synon të realizojë projektin e prodhimit të energjisë me erë “Çiçaciva”. Kompania franceze, e cila operon në disa vende të rajonit, i ka konfirmuar edhe sot Ministrisë se NUK po tërhiqet nga projekti investues në Kosovë, por ka edhe projekte tjera në rajon.

Projekti është paraqitur fillimisht në fund të vitit 2018, por subjekti propozues ka dorëzuar aplikimin e kompletuar për investim strategjik tek në qershor 2020.

Agjencia për Investimet dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve e Kosovës (KIESA) ka rekomanduar që projekti të shpallet investim strategjik, dhe Qeveria ka miratuar rekomandimin e KIESA-s në dhjetor 2020, por nuk ka arritur të sigurojë pëlqimin e Kuvendit të Republikës para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021.

MINT i ka kumtuar kompanisë “Akuo Energy” se lënda do të riprocedohet shpejt në Komisionin Ndërministror për Investimet Strategjike, me pjesëmarrjen e institucioneve të reja në nivelin qendror dhe nivelin lokal. Pas shqyrtimit në Komision, lënda trajtohet në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës.

Riprocedimi do t’i hapë rrugë realizimit të investimit në përputhje me legjislacionin në fuqi, sidomos normat për ndihmën shtetërore – pra, pa tarifa nxitëse që mund t’u faturohet qytetarëve dhe të cilat ndalohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të Republikës së Kosovës.

MINT mbetet e përkushtuar për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve në përputhje me ligjin dhe interesit publik të qytetarëve.

Lidhur me këtë, dje reagoi edhe ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në reagimin e tyre thuhet se ky projekt francez nuk është larguar nga Kosova, por që kompania e njejtë, ka projekte tjera në rajon dhe se shkuarja e tyre në Maqedoninë e Veriut, nuk do të thotë tërheqje nga investimi në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco