Cilat ishin kërcënimet që iu bën Kosovës për sulme terroriste?

Cilat ishin kërcënimet që iu bën Kosovës për sulme terroriste?

07:47, 29/11/2021

“Për të qenë të sigurt, të gjithë pjesëtarët këshillohen që të evitojnë vizitat në qendrat e mëdha tregtare”, është një pjesë e një mesazhi i cili ditëve të fundit u ka shkuar të gjithë pjesëtarëve të misioneve të huaja në Kosovë.

Informacione se në disa qendra tregtare të mëdha mund të ketë ndonjë sulm terrorist ka nxitur misionet të cilat veprojnë në Kosovë të kërkojnë nga pjesëtarët e tyre që të kenë kujdes dhe të mos frekuentojnë këto qendra.

Mesazhe të tilla nuk janë parë për herë të parë. Kjo pasi që në disa raste, ambasadat e vendeve të huaja në Kosovë kanë këshilluar shtetasit e tyre që në kohë festash të mos bëhen pjesë e turmave e grumbullimeve.

Policia e Kosovës tashmë është duke e trajtuar rastin për të cilin kanë ngritur alarmin misionet e huaja, njëra nga to edhe OSBE.

Kosova deri më sot nuk ka të regjistruar asnjë sulm terrorist ani pse kërcënime të tilla ka pasur disa herë.

Cilat janë kërcënimet më të mëdha për sulme terroriste në Kosovë?

Kosova deri më tani nuk ka të regjistruar asnjë sulm terrorist të ndodhur në gjithë këto vite.

Institucionet e sigurisë e ato inteligjente kanë arritur që të parandalojnë sulme të tilla ani pse kërcënime ka pasur, madje edhe janë zbuluar edhe plane të sulmeve.

Shtatë vite më parë, ose më saktësisht më 25 dhjetor të vitit 2014, Policia e Kosovës kishte arrestuar një person, Sllobodan Gavriq.

Zanafilla e këtij rasti ishte një informatë e pranuar nga Policia e Kosovës se një qytetar serb do të hynte në Kosovë nga Serbia me rreth 10 kilogramë eksploziv dhe se destinacion i tij ishte hoteli “Grand Hotel”, në Prishtinë.

Informata doli të jetë e saktë. Gavriqit në atë kohë iu gjetën në veturën e tij tip “Citroën” mbi 12 kilogramë eksploziv të llojit PETN – ndër eksplozivët më të fuqishëm që ekzistojnë.

Autoritetet thanë atëherë se nuk u gjetën detonatorë bashkë me sasinë e PETN, eksplozivi ishte përzier me fragmente metali, bulona e gozhda për të rritur dëmtimet dhe numrin e viktimave.

Pavarësisht provave materiale dhe dënimit të të akuzuarit, destinacioni final i eksplozivit apo shënjestra e mundshme e sulmit nuk u identifikuan kurrë.

Gavriq është i dënuar me 13 vite burg për planifikim të veprave terroriste në Kosovë.

Disa muaj më vonë, një tjetër rast për terrorizëm ishte regjistruar në databazën e institucioneve të rendit dhe ligjit.

Në korrik të vitit 2015 rojet e liqenit të Badovcit kishin njoftuar Policinë e Kosovës se disa persona të dyshimtë po qëndronin në afërsi të liqenit.

Raportimet e para ishin se grupi dyshohej se ka helmuar ujin në Badovc. Një ditë pas arrestimit, ishte ndalur edhe furnizimi me ujë nga i njëjti liqen deri sa u kryen të gjitha ekzaminimet dhe në fund rezultoi se uji nuk ishte helmuar.

Të armatosur me Kallashnikovë, karikatorë, e të pajisur me uniforma ushtarake e flamur të ISIS, pesë të dyshuar ishin arrestuar nga organet e rendit ndërsa gjashtë muaj më vonë, u ngrit edhe aktakuza ndaj të njëjtëve në të cilën u zbardh edhe plani i tyre.

Prokuroria Speciale kishte arritur në përfundim se qëllimi i grupit nuk ishte helmimi i ujit ashtu siç u raportua në fillim, por të njëjtit sipas aktakuzës, kishin qëllim që të incizonin një video propaganduese me të cilën kishin pasur qëllim të lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS.

Të pesë të akuzuarit nga Prokuroria Speciale Besnik e Enis Latifi, Milaim Haxhiaj, Gazmend Haliti e Fehmi Musa, ishin dënuar për vepra që lidhen me terrorizëm.

Haxhiaj, Haliti dhe Enis Latifi në korrik u dënuan me nga 3 vjet e gjysmë burg, ndërsa Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg. Fehmi Musës iu shqiptua dënimi prej 3 vjetësh burg.

Në këtë rast ishte akuzuar edhe Betim Ibrahimaj, i cili më pas u raportua se ishte vrarë në Siri dhe i njëjti nuk u gjykua asnjëherë për veprën që i ngarkohej.

Tre të dënuarit deri në shpalljen e dënimit ndaj tyre akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, një vepër që u rikualifikua në shtytje për kryerjen e këtyre veprave.

Informacionet për sulme të mundshme terroriste në Kosovë, pati edhe të tjera.

Në nëntor të vitit 2016, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Kundër Terrorizmit, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe me Prokurorinë Speciale, kishte arritur të parandalojnë sulme terroriste të planifikuara dhe të sinkronizuara që të ndodhin në të njëjtën kohë jo vetëm në Republikën e Kosovës por edhe në rajon.

Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti, Kenan Plakaj, Leotrim Musliu e Besart Peci, ishin arrestuar nga organet e rendit nën dyshimin se kishin planifikuar sulm terrorist në ndeshjen e cila planifikohej të zhvillohej mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Prokuroria Speciale në atë kohë, i kishte ngarkuar të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se përmes aplikacionit “Telegram” që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet, me dashje kishin pranuar thirrjen e Lavdrim Muhaxherit, ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS, për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Tri vite më parë, Visar Ibishi ishte dënuar me 10 vjet burg dhe 1,800 euro gjobë, Burim Istrefi ishte dënuar me 3 vjet burg, Leutrim Vojvoda me 5 vjet, Flamur Gashi me 5 vjet, Kenan Plakaj me 1 vjet e gjashtë muaj dhe 1,800 euro, Arton Ahmeti me 1 vjet e 6 muaj, Lulzim Gashi me 6 vjet burg, Leutrim Musliu me 3 vjet e 6 muaj, Besart Peci me 2,500 euro gjobë.

Disa nga ta u dënuan për përgatitje të veprave terroriste, Kenan Plakaj u dënua për transport, furnizim të materieve plasëse e dy të tjerë për armëmbajtje pa leje.

Informacionet dhe dëshmitë e organeve të rendit dhe ligjit ishin se pas dështimit të grupit për të sulmuar kombëtaren e Izraelit grupi kishte zbuluar caqe të reje.

Kishat ortodokse ishin vënë në shënjestër, ndërsa grupi ishte vënë në kërkim të eksplozivëve të rrezikshëm në tregun shqiptar.

Në verën e vitit 2018, Prokuroria Speciale zbuloi planet e një grupi të dyshuar terrorist që kishin plane të ndërtonin një rrjet terrorist dhe të kryenin sulme edhe vetëvrasëse.

Në lidhje me këto plane Prokuroria Speciale pati akuzuar gjashtë persona, Bujar Behramin me nofkën Ebu Musab El –Albani, Resim Kastrati me nofkën Pc Habibi, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leotrim Musliu dhe Edona Haliti.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhej synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar ishin diskotekat “Kamboxha” dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe kisha ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës. Edona Haliti, gruaja e Gramos Shabanit, akuzohej se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Grupi sipas aktakuzës merrte urdhra e udhëzime nga dy kosovarë të cilët kishin pozita të larta në organizatën terroriste ISIS, Lavdrim Muhaxheri e Ridvan Haqifi.

Të dy janë raportuar të vrarë në luftimet që ndodhën në konfliktin në Siri e Irak.

Caku i sulmeve terroriste të grupit të arrestuar muajin e kaluar në Kosovë ende nuk është mësuar.

Ardijan Gjuraj, Nuhredin Skenderi, Ergim Syla, Mentor Bellaqa e Shkodran Krasniqi janë arrestuar nga Policia për terrorizëm.

Hetimi i Policisë kishte nisur që nga marsi i këtij viti kur në masat e fshehta të organeve të rendit, kishin vënë në fokus Ardian Gjurajn fillimisht.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjuraj dhe katër personat e tjerë që nga muaji mars i këtij viti kanë bërë përpjekje për të ndërtuar një strukturë organizative për kryerje të sulmeve terroriste në Kosovë.

Të njëjtit kishin kontaktuar me një person me gradë të lartë në ISIS, i cili ishte angazhuar që të sigurojë armatim të llojit mortajë dore, eksploziv si dhe armë të zjarrit me municion.

Të pesë të dyshuarit sipas Prokurorisë kanë pasur role të ndara për kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar tre ditë më parë.

Ndaj Ardijan Gjurajt, Ergim Sylës, Nuhredin Skenderit dhe Mentor Bellaqës kishin filluar hetimet për veprën penale përgatitje e veprave terroriste, ndërsa Shkodran Krasniqi po dyshohet për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim apo ndërmjetësim e shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco