Në varrimin e nxënësve në Gllogjan, dhimbje e lot, i dyshuari ende në arrati (Video)

Në varrimin e nxënësve në Gllogjan, dhimbje e lot, i dyshuari ende në arrati (Video)

23:36, 28/11/2021

Qindra persona kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të dy nxënësve që u vranë të premten mbrëma në Gllogjan të Deçanit.

I dyshuari i vrasjes së trefishtë ndodhet në arrati, ndërsa Qeveria e Kosovës ofron 20 mijë euro shpërblim për secilin qytetar që jep informacione për autorin apo autorët e vrasjeve.

Në dyert e familjes Mustafaj nga Gllogjani është vendosur njoftimi mortor.

Edhe e pamja tashmë është hapur.

Këtu janë mbledhur miq e dashamirë për t’i dhënë lamtumirën e fundit G.M. e cila së bashku me L.H. dyshohet se u vranë nga një person i maskuar.

Rrugëtimi i tyre nga shkolla në shtëpi u shndërrua në rrugëtimin e tyre të fundit në jetë.

Dhimbja që shihet tek familjarët është e madhe, e numri i atyre që vinin për ngushëllime ishte i lartë.

E shokët e shoqet mes lotësh po përshëndetën përjetësisht me të.

Matanë rrugës qëndronte një autobus i cili ishte i rezervuar vetëm për bartjen e shokëve të Gentës drejt varrezave.

Automjeti që do bartë trupin e viktimave ishte gati.

Sa më shumë që ofrohej ora 14, mobilizimi i familjarëve dhe jo vetëm ishte edhe më i madh, për të organizuar ceremoninë e varrimit.

Dhimbje e madhe po mbizotëronte edhe disa metra më larg.

Atu ku edhe familja Hamzaj tashmë kishte hapur portat e shtëpisë për ngushëllim për vdekjen e djalit të tyre, Ledionit.

Familjarët të rreshtuar po prisnin gjithë vullnet mirët për vizitë.

Mirëpo gjendja brenda këtyre mureve ishte e rëndë nga dhimbja e cila tashmë kishte zënë vend në shpirtin e gjithsecilit e sidomos familjareve .

Edhe kurorat me lule të cilat janë simboli kryesor i një ceremonie të këtillë, ishin gati.

Gjithçka që pritej ishte dalja e trupit të pajetë të L.H. nga pragu i shtëpisë.

Afro orës 14:30 trupat e dy të rinjve u nisën drejt varrezave.

Aty ku ishin mbledhur qindra qytetarë nga të gjitha rajonet për tu solidarizuar me familjarët e viktimave.

Në mesin e tyre u panë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zv. Ministja Donika Gërvalla, Armend Mehaj, ministri i mbrojtjes, Bashkim Ramosaj kryetari i komunës e Ramush Haradinaj, kryetar i AAK’së.

Me të përfunduar ritet fetare i parë që mori fjalën ishte kryetari i komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj i cili u shprehu ngushëllime familjarëve.

I prekur me këtë ngjarje u pa edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai tutje konfirmoi se edhe më tutje nuk kanë arritur të kapin dorasin.

Shoqja e dy nxënësve mes lotësh ka kujtuar momentet e fundit me ata që rruga për në shtëpi ju pre në gjysmë, raporton t7.

Të pikëlluar janë shprehur edhe nga shkollat ku G.M. e L.H. kishin thurur ëndrra për ardhmen.

Gjatë ditës së diele është varrosur edhe shoferi i cili mbeti i vrarë nga sulmi me armë automatike në drejtim të autobusit dy ditë më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco