Ja kush ishin mirditorët në radhët e UÇK-së që u kthyen në ‘makthin’  e ushtrisë serbe në luftën e Kosovës

Ja kush ishin mirditorët në radhët e UÇK-së që u kthyen në ‘makthin’ e ushtrisë serbe në luftën e Kosovës

16:30, 28/11/2021

Në luftën e fundit për pavarësi të shqiptarëve, atë në Kosovë mirditasit  nuk kursen asgjë në shërbim të kauzës për çlirim dhe shumë prej djemve të familjeve të fisme mirditore dhanë jetën për liri krah vëllezërve të tyre nga mbarë trojet shqiptare.

Markalleshët e Shebes së Mirditës  qëndrojnë krenarë në altarin e lirisë së Kosovës. Kur kulla e tyre në  Vraniq të Gjakovës u rrethua nga Milicia dhe ushtria serbe në 7 gusht të 1998, Marku plak nuk u ligsht, urdhëroi djemtë e tij të marrin armët gati dhe të luftojnë për të mbrojtur kullën.  Lufta në kushte të pabarabarta ka zgjatur për orë të tëra, jehona e kësaj beteje ngriti në këmbë rajonin e Dukagjinit.  Në këtë betejë ranë heroikisht katër djemtë e familjes Markalleshi.  Marku, Preni, Kola dhe Mema në lule të rinisë e paguan me jetë çmimin e rëndë të lirisë.

Kol Mirdita, familja e të cilit nga Mirdita ishte vendosur në  Ranoc të Lugut të Drinit, eci në gjurmët e paraardhësve të tij, të cilët luftuan ushtritë serbe në krah të forcave të Ndue Përlleshit. Kol Mirdita ishte ndër të parët që u radhit në radhët e UÇK-së, ndërkohë bashkë me djem të tjerë të Ranocit luftoi në zona të ndryshme të Kosovës kundër okupatorit serb. Kol Ndrec Mirdita u vra në luftime me forcat serbe mbrëmjen e 9 korrikut 1998, duke kaluar në altarin  lirisë.

Pal Paluca i Mirditës së Prizrenit  në vitet kur okupatori serb  pushton Kosovën dhe nis masakrat ndaj popullsisë civile lë Gjermaninë dhe vendos të kthehet në Dardani ku rreshtohet në radhët e UÇK-së, fillimisht në Trapeticë të Velezhës së Prizrenit dhe më pas në mbarë Kosovën.

Pal Mark Paluca luftoi krah Fehmi e Xhevë Lladrovcit. Në 5 maj të 1999 në një betejë të ashpër dhe të pabarabartë  me milicinë serbe ai u shua për të mos vdekur kurrë, teksa trupi i tij prehet pranë bashkëluftëtarëve, Remzi Ademaj dhe Tahir Sinani.

Ndër djemtë mirditorë që morën pjesë aktive në luftime në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë Luigj Nikolla Paluca,  Brigada 138, Marjan Pren Marku, Brigada 138, Mark Pashk Coli Brigada 138, Robert Mikel Gjergji,  Brigada 138, Tom Nikoll Gjergji Brigada 138, Anton Mëhill Lleshi Brigada 138

Anton Çuni ish Komandant i  betejës së Koshares dhe heroi Agim Ramadani, Katana janë gjithashtu me origjinë nga trojet e Mirditës, njëri nga Selita e tjetri nga Kaçinari.

Këta bij Mirdite kanë ecur në gjurmët e lavdishme të paraardhësve të tyre që u flijuan për Kosovë, si Zef Kol Ndoka, Pjetër Çeli, Zef Gjidoda që u kthyen në tmerrin  e xhandarmërisë serbe në vitet 1920-1930.

Betejën kundër Serbisë e vijuan denjësisht Ndue Përlleshi e Ndrec Nikolla me të tjerë mirditas që luftuan krah  Shaban Polluzhës kundër komunistëve sllavë.

Ndërkohë nuk duhet harruar kontributi i paçmuar i Anton Çetës, birit të Mirditës që mori përsipër misionin e shenjtë të pajtimit të gjaqeve në Dardani dhe Shqipërinë e Epërme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco