Zotohet presidentja: Kosova do të vazhdojë të jetë krah i Shqipërisë

Zotohet presidentja: Kosova do të vazhdojë të jetë krah i Shqipërisë

19:24, 28/11/2021

Shqipëria feston sot 109-vjetorin e shpalljes së mëvetësisë në të gjitha territoret shqiptare. Kjo ditë është një festë e trefishtë në trojet shqiptare, e cila shënon Ditën e Flamurit, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së.

Me rastin e shënimit të kësaj dite të madhe për shqiptarët, Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë ka organizuar sonte pritje, ku morën pjesë krerët e institucioneve të Kosovës, ambasadorë, deputetë dhe të ftuar të shumtë të tjerë.

Në fjalën e tij të rastit, ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë Qemajl Minxhozi ka thënë se ndihet i lumtur që kjo ditë e madhe po festohet nga shqiptarët anembanë botës.

“Jam shumë i lumtur për disa arsye. 28 nëntori është tri herë festë, është festa e Skënderbeut, 1443, është festa e Pavarësisë së Flamurit, është festa, Ditëlindja e Adem Jasharit, dhe sot në këtë ditë të tri festave do të veçoja festën e Flamurit e cila mbush me krenari çdo shqiptar kudo qoftë. Kur po vija sot në Kosovë, njerëzit më pyesin rrugës në takimet që kam pasur paradite, thonë ku festohet më shumë kjo festë në Shqipëri apo në Kosovë. Unë i thashë pyetjen e ke bërë gabim – festa festohet kudo, në Kosovë, Shqipëri, në Çamëri, Më Maqedoni, në Amerikë, Itali e Francë e kudo ku jetojnë shqiptarët. Të gjithë janë krenarë për festën që kanë sot”, tha ambasadori Minxhozi.

Ai tha se me shpalljen e pavarësisë shqiptarët treguan botës se kombi shqiptar ekziston dhe vjen si rezultat i përpjekjeve të mundimshme shekullor për liri. Ai gjithashtu ka nderuar të gjithë burrat nga Kosova që ishin përkrah Ismail Qemajlit në shpalljen e pavarësisë në Vlorë.

Ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar Ditën e flamurit duke thënë se është një festë që bënë bashkë shqiptarët kudo që janë.

“Sot jemi këtu sepse duam të përçojmë një mesazh, atë të frymës integruese, të lehtësimit të mëtejmë të jetës së qytetarëve, të largimit të barrierave çfarëdo qofshin ato dhe të afirmimit të frymës evropiane. Jemi këtu jo vetëm se na bën bashkë Dita e Flamurit, kjo datë ka shumë më shumë peshë historike, sepse përveç 28 Nëntorit të Skënderbeut, ne sot do të shënojmë edhe 28 nëntorin si ditëlindje të komandantit legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht… Në këtë ditë të përvjetorit të Ditës së Flamurit, ndihem krenare që Shqipëria dhe Kosova, përkundër sfidave po ecin me hapa të sigurt drejt perspektivave evropiane. Uroj që Shqipëria dhe Kosova të kenë sukses në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. Kosova do të vazhdojë të jetë krah i Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët duke thelluar edhe më tej lidhjet tona vëllazërore tha Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka uruar për Ditën e Flamurit, duke thënë se 28 Nëntori i kujton shqiptarëve aktin më sublim në historinë e tyre – Ditën e Shpalljes së Pavarësisë.

“28 Nëntori është festë e shumëfishtë në historinë e kombit shqiptar, është Dita e Flamurit, është Dita e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, dita e daljes publike të UÇK-së, pra një festë e cila është thelbi i shtetit kombëtar shqiptar që na bën të ndihemi se çfarë jemi dhe që na i mban gjallë ëndrrat tona. Sikurse 28 Nëntori që është një festë e përvitshme, ne sot jemi të kënaqur që Shqipëria dhe Kosova si dy shtete zhvillojmë marrëdhënie shumë të mira të përbashkëta për të gjithë qytetarët tanë… Është detyrë e jona që këto dy shtëpi të bëhen të forta edhe për mbështetjen e shqiptarëve që janë jashtë tyre kudo në Ballkan dhe në diasporë”, tha Kurti.

Ndryshe, përpjekjet gati 500-vjeçare që nga koha e Skënderbeut, kryengritjeve dhe lidhjeve të shumta të shqiptarëve për çlirim nga pushtuesi osman dhe themelimin e shtetit u kurorëzuan në Vlorë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Shpalljes së pavarësisë më 1912, përpos iniciativave diplomatike të tjera të rilindësve shqiptarë, i paraprinë katër ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare, si Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, hapja e shkollës së parë shqipe në Elbasan më 1887, Lidhja e Pejës më 1899, dhe Kongresi i Manastirit më 1908.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco