Javën e ardhshme arrijnë trupat e viktimave të aksidentit në Bullgari

Javën e ardhshme arrijnë trupat e viktimave të aksidentit në Bullgari

16:05, 28/11/2021

Trupat e 45 viktimave në tragjedinë e rëndë në Bullgari do të transportohen në vend javën e ardhshme.

Pasi prokuroria e Maqedonisë së Veriut ia dorëzoi Prokurorisë bullgare të gjitha provat, përfshirë analizat e ADN-së nga familjarët e të ndjerëve, identifikimi duhet të kryhet sa më shpejt në Bullgari. Në ndihmë të kolegëve bullgarë kanë mbërritur dy mjekë patologë. Ministri i Punëve të Jashtme, i cili është në komunikim me MPJ-në bullgare, nuk ka mundur të saktësojë se në cilën ditë do të transportohen trupat në Maqedoni.

“Është paralajmëruar një javë pas aksidentit, por ka projeksione të ndryshme, që mund të jetë një ditë më vonë, deri në fund të javës. Pra, nuk mund ta dimë me siguri, sepse gjithçka do të varet nga mënyra se si zhvillohet procesi i identifikimit të ADN-së në laborator”, tha Bujar Osmani, ministër i punëve të jashtme.

Një ditë më parë në vend kanë mbërritur dy nga shtatë pacientët e mbijetuar që janë vendosur në repartin e kirurgjisë plastike. Të dy janë në gjendje stabile, ka konfirmuar për Alsat drejtorja e klinikës Sofija Pejkova. Të hënën edhe tre pacientë nga Sofja do të transportohen në Shkup për kurim të mëtutjeshëm. Të gjithë pacientët që i mbijetuan aksidentit të tmerrshëm do të shtrohen në klinikën e kirurgjisë plastike kurse një në traumatologji. Aksidenti fatal ndodhi mëngjesin e 23 nëntorit, kur 45 persona humbën jetën në tragjedinë e ndodhur në autostradën Struma në Bullgari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco