Pistat e hetimit për krimin makabër në Gllogjan, vrasësi ende në arrati

Pistat e hetimit për krimin makabër në Gllogjan, vrasësi ende në arrati

18:37, 27/11/2021

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti sot se tha se kanë dy apo tri pista që po hetohen lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi mbrëmë në Gllogjan të Deçanit, ku pas sulmit ndaj një auotbusi, humbën jetën shoferi dhe dy nxënës.

Mehmeti tha se ende nuk kanë një motiv lidhur me sulmin ndaj autobusit, duke shtuar se deri më tani nuk ka asnjë provë që lidhet me akt terrorist apo me çështje religjioze”.

“Aktualisht mund të flasim për një sistem të dy, përkatësisht tri pistave të mundshme të hetimit dhe të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhur, por edhe provat materiale nga vendi i ngjarjes çojnë në këtë drejtim. Po flasim për një person, por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë, që nënkupton se mund të ketë më shumë se një të dyshuar. Në kuptimin e qarkullimit të personit, janë duke u ekzaminuar prova teknike të ndryshme, të cilat do të na tregojnë saktë se prej nga ka ardhur, ku ka qëndruar dhe nga ka shkuar”, tha Mehmeti.

Ai tha se momentalisht hetuesit janë duke e kontrolluar terrenin, ndërkaq janë angazhuar edhe njësi shtesë dhe ekspertë për të përpunuar të gjitha informacionet lidhur me këtë ngjarje.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i bëri ultimatum dorasit që të dorëzohet dhe ftoi qytetarët, që kanë informacione, t’iu drejtohen organeve të rendit.

“Unë i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet sepse për çdo ditë ai rëndon të tjerët. E dimë shumë mirë që kushdo që ndihmon vrasësit implikohet në vepër të rëndë penale”, tha Sveçla.

Ai shtoi se institucionet janë të vendosura që ky rast të zbardhet sa më shpejt dhe tha se për këtë do të përdoren të gjitha kapacitetet shtetërore.

Nga të shtënat me armë zjarri drejt autobusit që po transportonte nxënës nga Gjakova në Deçan, u plagos edhe një nxënës, gjendja e të cilit është stabile.

Naim Sahiti, zëdhënës i Spitalit të Pejës tha se i plagosuri është operuar dhe tani është jashtë rrezikut për jetë.

“I është hequr plumbi gjatë orëve të mbrëmjes (më 26 nëntor). Tash është gjatë procesit të trajtimit pas-operativ, por gjendja e tij është shumë e mirë”, tha Sahiti.

Sipas raportit zyrtare të Policisë, vrasjet e tre personave dyshohen se u kryen me armë zjarri të llojit AK-47.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco