Dyshimet për akt terrorist në Gllogjan, flet drejtori i policisë

Dyshimet për akt terrorist në Gllogjan, flet drejtori i policisë

15:50, 27/11/2021

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se janë duke marrë shumë informacione të ndryshme dhe kanë rreth tri pista hetimi në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi të premten mbrëma në Gllogjan të Deçanit.

Mehmeti u shpreh se është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe se janë angazhuar ekspertë të niveleve të ndryshme për të ekzaminuar provat dhe vlerësuar informacionet e shumta që po marrin.

“Aktualisht Policia e Kosovës është duke bërë ekzaminimin në vendin e ngjarjes dhe shiqimin e terrenit, ose pjesët anësore, ato pjesë që mund të ketë ndonjë provë shtesë. Fatkeqësisht moti na e ka pamundësuar që disa mjete t’i përdorim, pastrimi i terrenit të fillojë pak me vonesë. Jemi duke u përballur me numër të konsiderueshëm informacionesh rreth rastit, kemi sjellë ekspertë të ndryshëm, të disa niveleve që të bëjmë ekzaminim të provave”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se po bëhet ekzaminimi i provave të ndryshme, për të ditur më shumë rreth rastit.

“Aktualisht mund të flasim për një sistem të diku dy ose tri pista të mundshme hetimi, të gjitha informacionet qojnë në këtë drejtim, pra aktualisht kemi të bëjmë me një person por, që mund të ketë të përfshirë edhe persona të tjerë. Jemi në ekzaminim të provave të ndryshme, që të dimë nga ka ardhë, ku ka qëndruar dhe nga ka shkuar”, tha Mehmeti.

Ai pohoi se informacionet që janë duke marrë janë të shumta, por që mund të jenë dy ose tri motive të ndryshme që kanë çuar deri te ky rast por duhet të hetohet me më shumë kujdes.

“Ekzaminimi i provave teknike kërkon kohë dhe ekspertizë në mënyrë që të kemi hartografinë e lëvizjes së personit apo personave. Është duke u pastruar terreni, krehja e terrenit nënkupton të shikohet çdo vend për rreth. Deri në këtë moment nuk e kemi asnjë të dhënë që shkon nga akti terrorist apo akti që lidhet me çështje religjioze”, tha Mehmeti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco