Ku po e çon Kosovën rritja e presionit social, pak muaj pas ‘referendumit’?

Ku po e çon Kosovën rritja e presionit social, pak muaj pas ‘referendumit’?

14:58, 25/11/2021

Mungesa e Ligjit për Paga në Republikën e Kosovës, po shkakton pakënaqësi të madhe në sektorin privat dhe në atë publik. Indiferenca e Qeverisë Kurti ndaj sindikatave përfaqësuese, qofshin ato të mjekëve, arsimit, apo të tjera, kanë bërë që këto të fundit të reagojnë përmes grevave, duke mos i përjashtuar as protestat. Thuajse një zëri, nga FSShK-ja dhe SBASHK-u, për Syri.net Kosova kanë treguar se mospërfillja e Kurtit ndaj tyre dhe mungesa e ligjit të lartcekur, do jenë faktorë e përshkallëzimit të mundshëm të situatës në vend

Erdonit HOXHA

Një propozim i opozitës, që në Kuvendin e Kosovës të sillet sa më shpejt Ligji i Pagave për miratim, ka gjetur pëlqyeshmërinë dhe ka nxitur disa sindikata në vend, të cilat duke i shfrytëzuar edhe pakënaqësitë tjera që i kanë akumuluar, Qeverisë Kurti, saktësisht ministrit të Financave, Hekuran Murati, po i bëjnë presion, që ky ligj të jetë i miratuar deri në fund të marsit, që të mund të përfshihet pastaj në projektbuxhetin për vitin 2022.

Këtë presion, këto sindikata po e bëjnë përmes grevës, pasi, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, prej orëve të para të mëngjesit, e deri në ora 15:00 të ditës së sotme, do jenë në grevë.

Për këtë dukuri, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK përmes një komunikate për media ka shprehë shqetësimin e saj, për gjendjen e pacientëve, pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë.

Pos saj, grevë e protesta po paralajmërojnë edhe sindikata të arsimit, siç është SBASHK-u.

E, thuajse një zëri, FSShK-ja dhe SBASHK-u, po ankohen për mospërfillje nga Qeveria e Kosovës si dhe po kërkojnë që ata të ftohen në komisione për hartimin e përpilimin e kontratës kolektive.

Kështu të paktën ka thënë në një bisedë për Syri.net Kosova, Sherif Makolli, sindikalist nga FSSHK-ja, i cili tha se arsyeja kryesore që ata po protestojnë, është pikërisht kjo gjë.

“Ka shumë pakënaqësi por, arsyeja kryesore është Ligji i Pagave. Qeveria nuk e ka përfillur fare Sindikatën e Mjekëve, nuk jemi të ftuar në komisionin për përpilimin dhe hartimin e kontratës kolektive dhe nuk kemi fare njohuri për këtë ligj prandaj kemi me këshillin e përgjithshëm të FSHSK-së, të hyhet në grevë dhe t’i tërhiqet qeverisë vërejtja se nuk mundet me ardhë Ligji i Pagave pa anën e interesit” tha ai.

Pra, sipas Makollit, tendencë e mjekëve është të të hyjnë si pjesë e planifikimit buxhetor, pra, të bëhen pjesë e Ligjit për Paga.

Për protestën e sotme, Makolli tha se nuk ka ngjyrime politike dhe i pyetur se si do veprojnë nëse zëri i tyre nuk shkon në vesh të Kurtit, ai theksoi faktin se nuk do ndalen, por, do marrin masa, derisa t’i realizojnë kërkesat e tyre.

“Ne nuk do ndalemi deri sa t’i arrijmë qëllimet tona, në fakt, ne jemi shumë të zhgënjyer me Kurtin, pasi, në kohë pandemie ne ishim heronj, ashtu u quajtëm, por, në fakt po vërehet që jemi përdorur vetëm për poena politik. Edhe nëse nuk do ishim fare në pandemi, mjekët meritojnë të trajtohen më mirë. Madje, është shqetësuese se si doktorët, gjeneratat e reja, si po e regjistrojnë fakultetin e mjekësisë, po e regjistrojnë edhe kursin e gjermanishtes me dal jashtë Kosovës, se atje paguhen 6 herë më shumë. Kjo është shumë dukuri negative, pasi, qendrat e mjekësisë po hapen thuajse çdo ditë, kurse, Ministria e Financave nuk lejon punësimin e emrave të rinj, veç nëse pensionohen gjeneratat e vjetra” shtoi tutje Makolli.

Të njëjtën kërkesë nga qeveria e ka edhe Rrahman Jashari i SBASHK-ut.

Në një prononcim për Syri Kosova, Jashari tha se është i habitur nga bllokada që Kurti ua ka bërë sindikatave, duke mos pasur fare dialog me ta, e kjo mungesë takimi mes dy palëve, po e shkakton krejt këtë kaos.

“Kërkesa jonë e parë është që të kemi dialog me qeverinë apo ministrin Murati. Kurti së pari nuk duhet të na injorojë por duhet të ketë takime me neve të bisedojmë dhe formohet grupi i përbashkët që të hartohet ky ligj, madje, këtë po e them si lutje që të bëhet Ligji për Paga dhe të miratohet në kuvend nga deputetët. Ministri Murati duhet ta dijë që ai është edhe ministër i Mirëqenies Sociale, prandaj, duhet që të punojë që populli të ketë mirëqenie” tha Rrahmani, i cili ndër tjera theksoi se protestat nuk përjashtohen si mundësi, në rast që nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

I pyetur se si e vlerëson Ligjin e Pagave të miratuar nga Qeveria Haradinaj në vitin 2019, Rrahmani tha se ky ligj shkoi në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2020 dhe u shpall i pavlefshëm, ani pse s’kishte defekte.

“Avokati i Popullit bashkë me një grup të interesit këtë ligj e patën çuar në Gjykatën Kushtetuese dhe e patën rrëzuar. Aq sa e kam parë unë, ky ligj s’ka pasur defekte dhe në fakt ne kemi pritur deri sot, kemi pritur nga Kurti që t’i hap dyert e të debatojmë për ligjin në fjalë. Sikur Kurti të ishte korrekt e bashkëpunues me neve, nuk do kishte trazira fare, të cilat mund të ndodhin” tha Rrahmani.

Se një Ligj i Pagave i duhet Kosovës, e thotë edhe profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj.

Në një prononcim për Syri.net Kosova, ai tha se ky ligj është dashur të miratohet kohë më parë dhe se është një gjë urgjente që duhet ndodhur, sidomos për sektorin privat.

“Ligji i Pagave është vonuar, në fakt, ky ligj është dashur të miratohet kohë më parë, e nevoja më urgjente është për sektorin privat, pasi, jemi akoma në një kohë pandemie, bizneset akoma nuk po munden të kthjellen prandaj janë në gjendje krize. Qeveria e Albin Kurtit sa ishte në opozitë ka kërkuar që të ketë rritje pagash, e sot, që është në pushtet, po e zvarritë si proces. Në fakt, rritja e pagave do ndikonte në buxhetin e shtetit, por Kurti është pro-shtetit sociale dhe askush nuk e ka detyruar që në fushata të bënte premtime të mëdha për paga, e tash të mos i mbaj ato” tha Kadrijaj.

Po ashtu, profesori e komentoi edhe ligjin paraprak për paga të miratuar nga Qeveria Haradinaj dhe theksoi faktin se në këtë ligj, kategoria e veteranëve nuk është dashur të përdoren si shkak që të (mos) rritën pagat.

“Ideja për veteranët që kanë qenë që ose të punojnë ose të marrin pension ka qenë e gabuar. Po ashtu, përdorja e emrit të tyre si shkak për pengesë në rritjen e rrogave është po ashtu gabim, pasi ata duhet të kategorizohen si kategori e veçantë, për shkak të vlerave që kanë” përfundoi profesori.

Grevat dhe protestat kanë ndikim sociologjik në secilën shoqëri, natyrisht, edhe në Kosovë.

E, këtë ndikim për Syri.net Kosova e ka shpjeguar sociologu Ramadan Beshiri.

“Grevat dhe protestat janë forma demokratike, që qytetaret i përdori për shprehur pakënaqësitë e tyre të ndryshme, karshi padrejtësive të ndryshme. Mjeti më efikas në demokraci, për të arritur qëllimet e një kauze të caktuara janë protestat e grevat e ndryshme. Grevat zakonisht mbahen nga punëtoret, që kundërshtojnë shfrytëzimin e egër, varfërinë, kushtet e punës, uljen e pagave, e një varg kërkesash tjera. Është mjet legjitim për kërkuar progresin e nevojshëm, përmbushjen e kërkesave. Jo rrallë protestat e grevat e sindikatave kanë pasqyruar një realiteti jo të mirë, ato janë politizuar në Republikën tonë të Kosovës. Kërkesa zakonisht duhet të korrespondoj me buxhetin e shtetit përkatëse, dhe jo të imponohen rritje e kërkesa me tendenca politike” tha Beshiri.

Kujtojmë që në rast të ndodhjes së ndonjë proteste në këto kohë, Qeveria Kurti do përballej me këtë fenomen, që vet e ka praktikuar shumë shpesh gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, madje, këto protesta për ngjarje të ndryshme, janë shoqëruar edhe me dhunë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco