Kush janë amerikanët që i angazhoi Qeveria Kurti për t'ia shpëtuar miliona euro Kosovës?

Kush janë amerikanët që i angazhoi Qeveria Kurti për t'ia shpëtuar miliona euro Kosovës?

14:16, 20/11/2021 Nga Dardan Gashi

Ka kohë që Qeveria Kurti, po cilësohet si anti-amerikane, por e njejta për t'i shpëtuar buxhetit të shtetit miliona euro, ndihmën ia ka besuar një kompanie e cila vjen pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova në arbitrazhin ndërkombëtar po zhvillon një 'luftë' me tri kompani private, të cilat po kërkojnë miliona euro dëmshpërblime. Cilat janë këto padi, sa rrezikon të humb Kosova dhe sa para u ndanë për amerikanët para pak ditësh, Syri.net Kosova iu sjell detaje

Blerim Devolli, kundër Telekomit të Kosovës. IUTECREDIT kundër Bankës Qendrore të Kosovës dhe ContourGlobal kundër Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Këto janë tri paditë, me të cilat do të përballet Ministria e Drejtësisë në Arbitrazhin Ndërkombëtar, shkruan Syri.net Kosova.

Për këto tri ‘lufta’ Ministria e Drejtësisë, që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, kishte njoftuar se Kosova do të mbrohet nga Kompania “Squire Patton Boggs (US) LLP” nga SHBA

Aso kohe, kjo kompani ishte zgjedhur me procedurë të negociuar, pa publikim të kontratës, derisa ishin kontaktuar nga ministria edhe disa kompani tjera ndërkombëtare, por që kishin çmim shumë më të shtrenjtë.

Për 'Lot 1' është paraparë kontrata ku do të mbrohet shteti kundër Devollëve, dhe vlera e kësaj kontrate do të jetë  575 mijë euro. Lot 2 do të jetë kontrata kundër IUTECREDIT, me çmim prej 525 mijë euro dhe lot 3 do të lidhet kontrata kundër padis së Contour Global me çmim prej 475 euro

Së fundmi, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka ndarë edhe mijëra euro për këtë kompani.

Për rastin ndaj Devollëve’,MD me 19 nëntor ka njoftuar se ka ndarë 58 mijë e 569 euro.

Image

Tutje, për rastin ndaj IUTECREDIT, MD për “Squire Patton Boggs’ ka ndarë shtesë 37 mijë e 79 euro.

Image

 

Derisa për rastin ndaj ‘Contour Global’ MD ka ndarë 18 mijë e 539 euro

Image

Cilat janë dëmshpërblimet të cilat po i kërkojnë kompanitë dhe arsyet?

 

‘Devollët’

Në arbitrazhin e dytë, Z-Mobile e Blerim Devolli kërkon rreth 13.5 milionë euro për shkak të dëmeve të shkaktuara nga Telekomi. Z-Mobile pretendon se marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2009, është në fuqi dhe nuk ka përfunduar më 31 korrik 2019, siç pretendon Telekomi i Kosovës.

Sipas kësaj kompanie, marrëveshja mbetet në fuqi për faktin që Telekomit, po më 31 korrik, i është vazhduar licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.

‘Contour Global’

Investitori ContourGlobal përveç që u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në mars të këtij viti, e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.

Me datë 24 maj 2020, sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”, por kjo nuk është arritur në kohë.

Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.

Nëse zvarritjet e kontratës me ContourGlobal shkaktoheshin nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ContourGlobal, një vlerë prej 19.7 milionë eurosh. Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ContourGlobal nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.

'IUTECREDIT'

Padi në Arbitrazh kishte dërguar edhe kompania “Iute Credit”, të cilave u ishte revokua licenca nga Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas avokatit të “Iute Credit”, mund të ketë padi me dëme deri në 12 milionë euro.

“Brenda disa ditëve do dërgohet shtyrja e vendimit në gjykatë, ta shpëtojmë IuteCredit nga likuidimi, t’i ruajmë 340 vende pune. Do mund të ketë padi në gjykatën e arbitrazhit me dëme deri 12 milionë euro. Të heqim njollën diplomatike të Kosovës për shtetin që e ka përkrahur që nga fillimi, besoj se këto padrejtësi do rishikohen në gjyqësor”, kishte paralajmëruar avokati.

Çka është arbitrazhi?

Arbitrazhi ndërkombëtar është i ngjashëm me një proçedurë gjyqësore kombëtare. Por, në vend të një proçedure para një gjyqëtari, arbitrazhi kryhet para personave të zgjedhur të quajtur arbitra.

Është një mënyrë neutrale, private dhe konsensuale për të zgjidhur konfliktet. Për më tepër, vendimi që jepet është i detyrueshëm dhe duhet te respektohet nga të gjitha palët. Normalisht, është një mënyrë më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme se një proçedurë gjyqësore

Ndryshe, Kosovës deri në fund të procesit, mbrojtja në arbitrazh pritet ti kushtoj mbi 1.5 milionë euro.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco