Sa agjentë rusë janë në Kosovë, e që punojnë kundër Kosovës?

Sa agjentë rusë janë në Kosovë, e që punojnë kundër Kosovës?

10:23, 23/10/2021

Dy zyrtarët rusë, që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Prishtinë, Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev, janë shpallurdje persona të padëshirueshëm në Kosovë. Ndërsa, eksperti i çështjeve të sigurisë Dr. Avni Islami, thotë se Kosova duhet të identifikojë të gjithë agjentët rusë, që punojnë kundër interesit të shtetit tonë.

Në vendimin e Ministrisë së Diasporës dhe Punëve të Jashtme, thuhej se Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev janë dy personat që janë identifikuar nga institucionet e Kosovës se veprimtaria e tyre është cenuese për sigurinë kombëtare.

Vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për dëbimin e shtetasve rusë e ka komentuar  eksperti i çështjeve të sigurisë, Dr. Avni Islami.

Islami ka thënë se Kosova duhet të identifikojë të gjithë agjentët rusë, që punojnë kundër interesit të shtetit tonë.

“Vendimi i sotëm i presidentes Osmani për dëbimin e dy zyrtarëve rusë nga Kosova nuk është diçka e papritur, dhe mendoj se jo vetëm ata dy, por duhet të identifikohen të gjithë ata agjentë rusë të veshur nën petkun qoftë të gazetarit qoftë zyrtarë të lartë të zyrës ndërlidhëse, në forma të ndryshme të cilët janë identifikuar dhe të cilët punojnë kundër interesit të shtetit tonë.

Zakonisht në raste të tilla bashkëpunëtorët e agjenturave të ndryshme si motra veprojnë të ndërlidhura mes vete, në këtë rast, dy zyrtarët rusë të cilët janë shpallur ‘non grata’, zakonisht bazën e tyre e kanë në Serbi dhe besoj që operativa qoftë nga ana e Kosovës ose nga Agjencia e Inteligjencës të Kosovës i kanë identifikuar shumicën prej tyre, dhe uroj që kjo të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë Islami.

Islami më tej ka deklaruar se agjentët e huaj kanë edhe bashkëpunëtorë.

“Zakonisht agjentë të ndryshëm të huaj të cilët veprojnë në vendin tonë kanë një bazë këtu dhe duhet të identifikojnë bashkëpunëtorët e tyre, dhe të identifikohen e të arrestohen të marrin dënimin meritor. Pasi është e pamundur që agjentët të ndryshëm të huaj të veprojnë në një vend e të mos kenë informatorë, qoftë bashkëpunëtorë, qoftë informatorë duke i paguar në forma të ndryshme”, pohoi Islami për Telegrafin.

Analisti pohoi më tej se shpreson që institucionet kosovare të kenë goditur rrjetin që paraqet rrezik për sigurinë nacionale.

“Shpresoj që pas dëbimit të dy zyrtarëve rusë, inspeksionet e sigurisë e kanë goditur rrjetin që vepron në Kosovë, sepse vetëm dëbimi i dy zyrtarëve dhe mos identifikimi i rrjetit merimangë do të paraqiste rrezik për sigurinë nacionale, përndryshe jemi me fat që në vendin tonë përveç AKI-së veprojnë edhe agjencitë tjera, si KFOR e struktura tjera. Uroj që bashkëpunimi mes Policisë dhe AKI-së të jetë në nivelin e duhur, dhe individët që e rrezikojnë sigurinë kombëtarë të Kosovës të identifikohen dhe të largohen”, deklaroi Islami.

Ndryshe, Alexey Kryvosheev, njëri nga zyrtarët e dëbuar dhe ishte shpallur persona non grata në fillim të këtij viti edhe nga autoritetet e Shqipërisë.

Ai ishte dëbuar nga Tirana për shkak të thyerjes së masave kundër COVID-19. Para se të shërbente në Tiranë, diplomati rus kishte shërbyer në shtetet e Ballkanit, përkatësisht në Maqedoni të Veriut.

Një kohë ka qenë në Ambasadën e federatës së Rusisë në Shkup. Për të njëjtin është diskutuar se ka qenë pjesë e përpjekjes së ndalimit të zgjedhjes së Zoran Zaevit, kryeministër të Maqedonisë së Veriut në vitin 2017, në Shkup. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco