Zgjedhjet lokale ngjallin opozitën e dërrmuar me 14 shkurt

Zgjedhjet lokale ngjallin opozitën e dërrmuar me 14 shkurt

16:16, 19/10/2021 Nga A.ZH

Qytetarët e Kosovës edhe njëherë dëshmuan se dijnë të bëjnë befasi brenda kutive të votimit. 17 tetori solli surpriza për partitë politike në vend, nga 38 komuna,  21 shkuan në balotazh duke bërë kështu lëmsh hartën politike - shkruan Syri.net Kosova. 

Asnjë parti shqiptare nuk ka arritur të marrë komuna më shumë se Lista Serbe, madje as partia në pushtet, Vetëvendosja nuk fitoi asnjë komunë, përveç që shkoi në balotazh në 9 të tilla.

Këto rezultate, sipas analistëve erdhën si pasojë e mosmbajtjeve të premtimeve nga ana e VV-së, por edhe reflektimit të partive tjera pas 14 shkurtit.

Sipas Arton Demhasaj, këto zgjedhje mund të interpretohen në dy mënyra.

Në këto zgjedhje aq sa kishim befasi, aq edhe ishin rezultate të pritshme dhe si të tilla mund të japim interpretime vetëm në dy mënyra:  e para, për shkak të mospasjes rezultate të mira të LVV-së në zgjedhjet lokale edhe në të kaluarën dhe dy: për mos përmbushjen e premtimeve të dhëna ndaj qytetarëve që i dhanë besimin me 14 shkurt” tha ai.

Demhasaj thotë se votuesit e ndëshkuan VV-në për mospërmbushje të premtimeve, që u dhanë për të ardhur në qeverisje.

Qytetarët kanë parë punën e Qeverisë Kurti 2 dhe janë indinjuar për mos përmbushjen e fjalëve të dhëna dhe si shenjë pakënaqësie ka votuar për partitë e tjera. Por gjithmonë duhet të jemi korrekt rol shumë të rëndësishme në zgjedhjet lokale luan emri i kandidatit dhe nëse bëjmë balancat me partitë e tjera shohim që Kurti i shtyu të bëjnë reforma edhe subjektet tjera e të dalin me emra të rinj. Prandaj edhe kemi këto rezultate që për demokracinë janë shumë të mirëseardhura”  tha analisti Demhasaj për Syri.net Kosovën.

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu, në një deklarim për Syri Kosovën tha se nuk mund të kemi befasi në betejën elektorale për të parët e komunave, pasi elektorati ndëshkon kur nuk punon siç premton.

“Në këto zgjedhje nuk kemi befasi sepse partia në pushtet nuk mbajti premtimet që ka dhënë dhe si të tillë elektoratin nuk mund ta mbash vetëm me atë që ka votuar njëherë për ty. Siç të ka votuar, ashtu edhe nuk të voton. Këtë rast VV-ja u ndëshkua nga qytetari, por, ndaj kësaj duhet të marr mësim si LDK-ja dhe partitë e tjera” përfundoi Spahiu.

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gani Qarrika, ka thënë në këto zgjedhje befasia është te PDK, e cila ka shënuar rritje në disa komuna, në Mitrovicë dhe Skenderaj.

“Në Republikën e Kosovës, kësaj radhe, pothuajse si asnjëherë më parë, pas zgjedhjeve lokale, gati gjysma e komunave do të shkojnë në balotazh, ku votimet e radhës, do të mbahen pas 1 muaji, në mes të partive, me kandidatët konkurrent. Ajo që befasoi me këtë rast, është fakti se në zgjedhjet e 17 tetorit, ish kryetarët dhe kandidatët të cilët, në vend të veprimit politik e kujdesit profesional e njerëzor për mirëqenien e qytetarëve, paaftësitë e veta u munduan t’i kamuflojnë me inskenime imamësh dhe shfaqje kuazi fetare, kanë irrituar qytetarët deri në atë masë, sa që kanë humbur edhe mbështetjen e tyre, ndaj që nga Mitrovica në Skenderaj, e deri në Prishtinë dhe Prizren, PDK ka shënuar rritje fenomenale, gjë që nuk ishte pritur në këtë masë, por e dëshmoi vet rezultati i zgjedhjeve duke fituar disa komuna, që në votimin e parë”, thotë ai.

Sipas rezultateve përfundimtare nga KQZ, gara për 21 komunat që nuk zgjodhën kryetarët në raundin e parë do të mbahet më 14 nëntor.

LDK dhe LVV do të përballen në pesë komuna të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin: Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Viti dhe Fushë Kosovë.

LVV dhe PDK më 14 nëntor garojnë në tri komuna: Prizren, Shtime dhe Kaçanik.

PDK dhe LDK në balotazh përballen në dy komuna: Vushtrri, Dragash.

LDK dhe AAK përballen në balotazh në dy komuna: Istog dhe Junik.

LVV dhe AAK në Balotazh përballen në: Gjakovë dhe Rahovec.

AAK  dhe PDK përballen në balotazh në Klinë.

Komunat e tjera në të cilat do të ketë garë më 14 nëntor janë:

Malisheva (Nisma-PDK), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kamenica (Partia Socialdemokrate -LVV), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV), Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës –KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), , Kllokoti (Lista Serbe- Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS)./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco