Çfarë ndodhi gjatë natës në Bërnjak e Jarinjë?

Çfarë ndodhi gjatë natës në Bërnjak e Jarinjë?

07:38, 23/09/2021

Qeveria e Kosovës që nga e hëna ka nisur aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Mirëpo, që nga e hëna qytetarët serb kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, kjo në shenjë pakënaqësie.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në këto dy lokacione, derisa dy shtetet shkëmbyen akuza e kundër akuza pas këtyre zhvillimeve.

Pavarësisht se situata ka qenë e qetë, shfaqja e xhandarmërisë serbe në afërsi të territorit të Kosovës ka ngritur shqetësime.

Në afërsi të Jarinjës, në territorin e Serbisë xhandarmëria serbe është vendosur në disa pika të larta duke vrojtuar njësitet e Policisë së Kosovës.

Edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë treguar mjaft vigjilente, duke vëzhguar lëvizjet e xhandarmërisë por që nuk është shënuar ndonjë incident.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme e ka quajtur vendim të duhur reciprocitetin për targa, duke i u bërë thirrje serbëve në veri që të zhbllokojnë rrugët dhe të mundësojnë qarkullimin e lirë.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se situata duhet të kthehet si ishte më 20 shtator e më pas mund të vazhdojnë bisedimet.

Kurse përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga Qeveria e Kosovës të hënën.

Përmes një deklarate për shtyp, zyra e Borrell ka kërkuar shmangien e çfarëdo lloj provokimi të mundshëm pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco