Sami Lushtaku: Unë jam ‘baba’ i krejtve

Sami Lushtaku: Unë jam ‘baba’ i krejtve

12:52, 30/07/2021 Nga Albionë Zhitia

Njëri nga emrat identifikues të PDK-së, Sami Lushtaku, përveç që nuk i frikësohet askujt brenda partisë, ai nuk sheh as rivalë në politikë, pavarësisht për kë bëhet fjalë. Lushtaku, në një intervistë ekskluzive dhënë për Syri.net Kosovën, flet me letra hapur për përplasjen që ka me Bekim Jasharin dhe pëkrahjen që e mori nga Daut Haradinaj. Ai tregon pse iu fut garës për të parin e Skënderajt dhe kush i kërkoi të dalë sërish para qytetarëve për të marrë besimin e tyre. Gjithashtu ka treguar edhe për mënyrën se si po qeveriset vendi nga Kurti, duke e krahasuar edhe me Millosheviçin. Lushtaku flet në këtë intervistë edhe për bisedat me Thaçin e Veselin që po qëndrojnë në Hagë. Këto dhe shumë të pathëna do të mund t’i lexoni në këtë intervistë – shkruan Syri Kosova.

 

Polemika të shumta janë krijuar ditëve të fundit për shkak të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor nëpër komunat e Kosovës.

Komuna e cila po ngjall reagimet më të mëdha është ajo e Skënderajt. Sami Lushtaku, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Bekim Jashari, si kandidat i pavarur, tashmë kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre për të qenë në krye të kësaj komune.

Sami Lushtaku nuk sheh konkurrencë në garën zgjedhore që pritet ta ketë sfidën e radhës në tetor të këtij viti. Ai mendon se të gjithë kanë të drejtë të kandidojnë, por që ai është ‘baba’ i politikës.

 “Unë nuk e shoh asnjë rival realisht, kam punu dhe jam angazhu e PDK më ka nominuar për kandidat për kryetar komune. Çdo individ e parti ka të drejtë shpall kandidaturën dhe të hyjë në garë, pra secili që ka ambicie mund t’i shfaqë përmes fushatës dhe të merr besimin e qytetarit”.

Në pyetjen tonë se a e sheh rival kryesor në këto zgjedhje kryetarin aktual të Skënderajt, Bekim Jasharin, Lushtaku heziton ta thërrasë edhe në mbiemër Jasharin kur përgjigjet.

“.. Vallahi për mu... mu, Bekimi, jo far Jashari, as mbiemrin s’po du me ia përmend. Bekimi nuk është rival që mu ma rrezikon marrjen e komunës”.

Lushtaku, në pyetjen tonë se çfarë ka ndodhur që ka ardhur deri të kjo krisje e marrëdhënieve me Bekim Jasharin, thotë se nuk është iniciator i kësaj përplasjeje dhe gjuan ‘topin’ tek Jashari.

“Nashta u tregu zotri Bekimi i ashpër, unë jo, jo valla absolut. PDK- ia ka japë një madat z. Bekimi dhe mendoj që është jokorrekte me ia japë edhe një mandat z. Jashari për faktin që jemi parti politike e nuk jemi organizatë ndërkombëtare. Domethanë, kur t’i teket e kujt t’i teket na me ja japë këtë mundësi. Na ja kemi japë, ka shfaq dëshirën, te unë mundësi të dytë nuk ka, as ai, as dikush tjetër.

I pyetur se si e komentoni deklaratën e Daut Haradinajt se e përkrah Bekim Jasharin në këtë garë, e jo juve, Lushtaku shprehet se e ka mik të mire, por si politikan nuk ia mbush syrin.

“Na jemi në politikë,  na jemi shokë dhe e respektoj zotrin Haradinaj si bashkëluftetar, kurse si politikan...s’e di, s’e shoh shumë” thotë Lushtaku3S.

Si duket Lushtakut i kanë mbetur në gjysmë dy projekte gjigante, për të cilat ka synim t’i realizojë në këtë mandat të ri që pretendon ta marrë.   

“Më kanë mbet dy projekte të mëdha, që janë njëra ndërtimi i kompleksit për familje të dëshmorëve që nuk është qitë asnjë tullë qe 4 vjet dhe qendra e Skënderajt, që është sfida më ë madhe. Na ia kemi nis këtyre projekteve, por na ia dhamë mundësinë Bekim Jasharit që të zhvillojë këto projekte, por nuk ndodhi. Prandaj, besoj se, me qeverisjen e PDK-së, këto dy projekte gjigante do t’i realizoj. Qytetarët kanë me vlerësu punën e secilit, përfshirë edhe kryetarin aktual, por edhe neve si subjekt e qeveri lokale që kemi udhëheq me Skënderaj. Skëndaraji është një qytet që kur vijnë njerëzit për herë të parë e dytë, befasohen me zhvillimin që ka ndodh në Skënderaj” – shprehet Lushtaku për Syri.net

Ai ka synime të qarta se kë do ta fusë edhe në ekipin e tij për asamble komunale në Skënderaj.

“Unë mendoj që nuk mundem t’i largoj ata që kanë dhënë kontribut, por 70% do të jenë të rinj, një grup i të rinjve që do të shkëlqejnë. Nuk kam ndërmend të flas tani. Jemi duke u përgatitë dhe besoj që, kur ta keni në dorë edhe ju si media programin e Partisë Demokratike, do ta shihni një program të mirë, të detajum dhe jo megallomani me fjalë të mëdha dhe mos me mujt m’i realizu. Gjithçka ka m’u llogaritë mirë që të realizohet”, thotë Lushtaku.

Në pyetjen se ishte kërkesë nga PDK, apo dëshirë e Lushtakut për të qenë sërish kandidat për kryetar të Skënderajt, ai thotë se nuk ka qenë dëshirë e tij, por partia kishte nevojë për të.

“Dëshirë e jemja nuk ka qenë me kanë kryetar i Komunës, absolut jo! Unë kam  vendos për shkak të PDK-së, për shkak të dy miqve të mi që sot padrejtëisht janë në Hagë. Dhe PDK-ja ka nevojë edhe për mu edhe për shumë qytetarë që mendojnë se PDK-ja është e forte, është unike dhe ka me fillu me iu kthy nami që e ka pas më herët.  Sepse të gjitha projektet, jo veç në Skënderaj, por në gjithë Kosovën, projektet më të mëdha kanë ndodhur në qeverisjen e PDK-së. Këta që sot janë në pushtet janë demagogë dhe asnjë punë nuk e kanë bërë”.

Si duket kandidatit të PDK-së për të parin e Skënderajt po i pengon edhe raportimi i medieve për zhvillmet atje, ai ka një porosi për shtypin.

“Unë po lexoj nëpër media se në Drenicë ka veç luftë. Unë mendoj që Drenica është një qytet shumë i qetë dhe mbizotëron një situatë tepër e qetë dhe gjithçka ka me shku siç e mendoj unë. Juve medieve ju kisha lut mos bëni propagandë nga Prishtina, por hajdeni  me kamera dhe pyetni qytetarët ma shumë”.

Lushtaku ka një dënim të formës së prerë në tri vitet e fundit dhe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 2020, personave që kanë një dënim të tillë u ndalohet garimi në zgjedhje.

Në këtë pyetje Lushtaku nuk preferoi të flasë, por në fund thotë se është konsultuar me juristë dhe se është i bindur që ka të drejtë të jetë kryetar i Skënderajt.

 “A ki naj pyetje tjetër gazetare... Unë kam fol me shumë jurista dhe ekspertë ligjorë dhe unë jam i bindur që kam të drejtë të jem kryetar i komunës”.

I pyetur për hetimet e bëra nga Eulex-i, Lushtaku i quan gjueti shtrigash.

“Qe 15 vjet kam qenë nëpër gjykata, në tana proceset kam dalë i pastër. Ajo ka qenë një gjueti e shtrigave që ka ndodh jo veç me mu, por edhe me shumë bashkëluftëtarë të tjerë”.

Përkundër insistimit të Syrit për të kuptuar nëse ka pasur kontakt me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin gjatë kësaj kohe sa janë në Hagë, Lushtaku refuzon të përgjigjet.

“Gazetare vazhdojmë me pyetjen tjetër që ki”.

Lushtaku si duket nuk e ka shumë në qejf kryetarin e ri të PDK-së, edhe pse u mundua që të jetë i rezervuar në komentet rreth profilit të Memli Krasniqit, tani në krye të këtij subjekti politik.

 “Është vendimi i Konventës dhe delegatëve, mendoj që zoti Krasniqi është rritë me PDK-në, i njeh strukturat e partisë dhe besoj që suksesi i tij nuk ka me mungu”  tha Sami Lushtaku për Syrin.

Në fund të bisedës me Syri.net, Sami Lushtaku nuk e lë pa folur edhe për punën e Kryeministrit Kurti. Madje ai bën edhe një paralele mes Milloshoviçit dhe Kurtit për një gjë që ai e ka vënë re.

“Albini tha edhe ju keni pritë ma shumë. Unë kisha sygjeru secila qeveri që vjen në Kosovë, pavarësisht kush vjen, të punojë në të mirë të vendit dhe të lë gjurmë të mira. Deri tani çfarë kam parë janë vetëm fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë, nuk kam parë për këto katër muaj asnjë punë konkrete.

A kam pa edhe diçka që veç në kohën e Milloshoviçit  e kam pa: domethanë largime masive nga Bordet dhe Agjencionet e ndryshme. Mendoj se, nëse vazhdon me këtë lloj politike, zotri Kurti gabon shumë. Dhe NUK PRES kurrgjë hiç prej tyre. Nuk besoj që qytetarët gabojnë, d.m.th. që Albin Kurti është veç mashtrues dhe kurrgjë tjetër” përfundon komentin e tij Lushtaku.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor 2021 dhe shpallja e kandidaturave të Lushtakut dhe Jasharit për komunën e Skënderajt po merr vëmendje të madhe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco