KGJK cakton Afrim Shalën ushtrues detyre të Kryetarit të Gjykatës së Apelit

KGJK cakton Afrim Shalën ushtrues detyre të Kryetarit të Gjykatës së Apelit

15:48, 28/07/2021

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka caktuar gjykatësin Afrim Shala në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit, pozitë të cilën do ta mbajë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate.

Kjo pasi, kryetarit të deritanishëm të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i përfundon mandati në fillim të muajit gusht.

Po ashtu, KGJK mori vendim që të shpallen 11 pozita të lira për gjykatës në Gjykatën e Apelit dhe dy të tjera në Gjykatën Supreme.

Sipas anëtarëve të KGJK-së, plotësimi i vendeve të lira për këto pozita është posaçërisht i rëndësishëm në fushën civile.

KGJK-ja ka miratuar edhe kërkesën e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, që në pozitën e nënkryetarit të kësaj gjykate të caktohet gjykatësi Dren Rogova.

Me qëllim të rritjes së transparencës, KGJK po ashtu vendosi që të udhëzoj Komisionin për Çështje Normative që të bëj ndryshimet e nevojshme të Udhëzimit Administrativ nr.04/2019, për publikimin e aktgjykimeve të përpunuara, me qëllim të publikimit të aktvendimeve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit, e po ashtu edhe publikimin e aktvendimeve të Gjykatave Themelore me të cilat vendoset në mënyrë meritore.

Gjatë kësaj mbledhje, kryesuesi i ri i KGJK-së, Albert Zogaj ka kërkuar të lirohet nga përgjegjësitë në grupet punuese të KGJK-së në të cilat kishte qenë anëtar dhe po ashtu propozoi anëtarët e rinj të cilët do të zëvendësojnë anëtarët që e kanë përfunduar mandatin.

Gjithashtu, me vendimin e Këshillit u caktua që konkursi i anuluar për bashkëpunëtor profesional të mos shpallet deri pas miratimit të rregullores së re për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco