17 tetori mund të kthehet në 'ferr' për Vetëvendosjen

17 tetori mund të kthehet në 'ferr' për Vetëvendosjen

13:34, 28/07/2021

Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të përmbahet nga mospunësimi i familjarëve dhe të afërme të tyre, sapo erdhi në pushtet.  Për vetëm pesë muaj qeverisjeje, kanë grumbulluar një numër të madh të punësimeve e emërimeve nëpër institucionet publike. Kjo gjë po kritikohet nga opozita dhe shoqëria civile. Triumfi si i 14 shkurtit për VV-në mund të vihet në pikëpyetje në zgjedhjet lokale në tetor, nëse opozita i diskrediton këto veprime dhe nuk është anemike si deri sot.

“Nepotizmi është shndërruar në një lëngatë të madhe të Kosovës”, “familjarët janë për dasma e ahengje të tjera private, nuk janë për përfaqësim të shtetit” janë këto frazat e dëgjuara nga kryeministri Albin Kurti sa ishte në opozitë e që në vazhdimësi kritikonte pushtetin për nepotizëm.

Por ndaj këtij fenomeni nuk po mund të rezistojë as Kurti dhe partia e tij. Për më pak se pesë muaj qeverisje, shumë të afërm të ministrave, deputetëve apo edhe aktivistëve nga VV-ja janë rehatuar e graduar nëpër institucionet publike – shkruan Syri.net Kosova

Arsyetimi i qeverisë është se: “janë kuadro të shkolluar dhe të duhurit për këto pozita”. Madje në disa raste mohojnë që janë në dijeni që familjarët e tyre janë punësuar ose edhe takohen.

Rasti i fundit është punësimi i motrës së Liburn Aliut, ministër i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit  Hapësinor, Suljota Aliu,  është punësuar si anëtare në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës.

Vendimi për punësimin e Aliut është marrë më 15 të këtij muaji (korrik), por është bërë publik vetëm këtë të shtunë. Atë e ka nënshkruar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në cilësinë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Ministria e Shëndetësisë ka deleguar edhe Nita Kelmendi-Hysën, e cila është vajza e axhës së ministrit Aliu.

Image

Ministri Aliu ka mohuar që është në dijeni që e motra është punësuar nga kolegu i tij, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Përveç Aliut, pozitat politike në qeverinë Kurti janë mbushur me emërime të të afërmve të funksionarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Rabit Konjufca, xhaxhai i Glauk Konjufcës, është emëruar si këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka emëruar për këshilltar të tij politik, Sami Ukën. Ky i fundit është vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Uka.

Sami Uka është kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Ai edhe gjatë vitit të kaluar, kur Vitia ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte këshilltar politik i tij – shkruan Syri.net Kosova.

Dafina Gexha-Bunjaku është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë.

Gexha-Bunjaku, e cila prej vitesh punon në Institutin e Shëndetësisë Publike, është bashkëshortja e Fatban Bunjakut, një funksionari të Lëvizjes Vetëvendosje. Bunjaku ka mbajtur disa funksione brenda LVV-së së Albin Kurtit. Aktualisht shërben si sekretar i një nënkomiteti të partisë.

Po ashtu, Vitia i bëri vend edhe kushëririt të deputetit Haxhi Avdyli. Ai u punësua në muajin prill si pjesë e stafit të Ministrisë së Shëndetësisë, është një ish-muzikant.

Emrush Avdyli është një profesionist i instrumentit muzikor të daulles, bazuar në të dhënat publike të tij. Në rrjetin social Facebook, Avdyli ka publikuar fotografi të cilat e shfaqin atë duke luajtur instrumente muzikore.

Por kjo nuk është e tëra. Edhe nipi i Besnik Bislimit u emërua anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Gëzim Tosuni, qe bërë objekt i polemikave kur qe propozuar e më pas edhe votuar në Kuvend për anëtar të KSHC-së. Për të u tha se ishte nip i zëvendëskryeministrit Bislimi, gjë të cilën e pati mohuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndonëse as ajo vetë nuk arrinte ta shpjegonte se çka ishin ndërmjet vete Tosuni e Bislimi.

Duke parë kolegët, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u kujdes të avancojë kunatin në PTK.  Shkumbin Krasniqi, vëllai i Alban Krasniqit (bashkëshorti i Albulena Haxhiut), asamblist në Malishevë, është avancuar para disa ditësh nga pozita e postierit në zyrtar për kujdes ndaj konsumatorëve në Postën e Kosovës.

As Bordi i Teatrit nuk mbeti pa u prekur pak nga të afërmit e LVV-së. Është motra e deputetit të VV-së, Shkurta Aliu, që u bë pjesë e këtij bordi.

.Image

Sipas disa hulumtimeve del se punësime të familjarëve, zyrtarët e LVV-së kanë kryer edhe para se ta merrnin pushtetin qendror. Ato i kanë ekzekutuar në pushtetin lokal, ku kanë qeverisur herë vetë e herë në bashkëqeverisje.

Në Vushtrri LVV-ja ishte në bashkëqeverisje me LDK-në, gjatë kësaj kohe dy krerët e LVV-së në Komunën e Vushtrrisë, Besim Muzaqi dhe Sylejman Meholli kanë shfrytëzuar pushtetin për të punësuar bashkëshortet e tyre në pozita publike.

Ibadete Muzaqi, bashkëshortja e Besim Muzaqit, ish-nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë, ishte përzgjedhur në mesin e 16 aplikuesve për pozitën e teknikes së Farmacisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri.

Image

 

Në të njëjtin vit, më 2019, edhe bashkëshortja e Mehollit ishte punësuar në një pozitë publike pas një procesi rekrutues të hapur nga Komuna e Vushtrrisë, asokohe e bashkëqeverisur nga LVV-ja.

Qëndresë Imeri, bashkëshortja e ish-drejtorit të Shëndetësisë, ishte punësuar si mësimdhënëse e lëndës së fizikës.

Image

Këto janë vetëm disa nga punësimet e vazhdueshme që janë bërë e po bëhen nga LVV-ja.

Ndaj këtij fenomeni që ka shoqëruar ndër vite qeveritë kosovare u kritikuan e u gjykuan ashpër nga qytetarët por edhe nga opozita e atëhershme që ishte VV-ja.

Këto veprimet kanë irrituar analistin Agron Demi. Ai ka renditur punësimet familjarë të politikanëve të tjerë që ishin në pushtet në të kaluarën, duke thënë se ndoshta të gjithë këta persona e kanë qenë profesionalistë dhe e meritonin këto poste.

“Arsyeja përse asnjëherë nuk jemi ndalur të pyesim për profesionalizmin e tyre ka qenë se procedurat e emërimit kanë qenë të gabuara: familjarë të rrethit të ngushtë të politikanëve të partive në pushtet që menjëherë u ngritën nëpër pozita.  Ndoshta edhe këta familjarët e VV-së janë profesionistë edhe i meritojnë ato pozita, por procedurat e emërimit janë të njëjta” shkruan Demi në Facebook.

Ndërsa Ehat Miftaraj nga IKD në lidhje me këto lajme ka thënë shkurt: “Nepotizmi, kjo çorbë e secilit pushtet në Kosovë!

E tani që në Kosovë sërish do të ketë zgjedhje, këtë herë ato lokale, këto veprime VV-së mund t’i prishin punë për mostriumfin si në ato nacionale, gjithmonë nëse opozita nuk është anemike si tani dhe arrin të dekonspirojë këto fenomen. Kështu të paktën po shprehet analisti Rasim Alia derisa flet për Syri.net Kosova.

“Rënia ose jo e VV-së nuk varet në veprimet e tyre, sa varet nga diskreditimi ose shtjellimi që ia bën opozita këtij fenomeni, me theks të veçantë LDK-ja dhe PDK-ja, e ndihmuar nga AAK-ja. Tani kemi parë një opozitë shumë anemike, një lloj amnistie nga LDK karshi këtyre veprimeve dhe një huqje të opozitarizmit nga AAK-ja, me një fjalë një opozitë e çakorduar dhe mosveprime të përbashkëta. Pra, kjo i duhet si infuzion i parë për dekonspiruar këtë narracionin që ka krijuar LVV-ja”, shprehet Alia.

Alia tutje, thekson se ndaj këtij fenomeni qeveria po tenton të lëshojë një narracion që nuk ishte dashur as të ekzistojë, e aq më shumë të besohet nga qytetarët.

“VV në qeverisje po tenton të lëshojë këtë narracion pavarësisht që nuk është dashur të ekzistojë e të  besojë si opinion publik, pasi është një lëvizje e njëjtë si proces por edhe në përmbajte. Pikërisht këtë fenomen e ka kritikuar LVV, mund ta kuptojmë nëse e krahasojmë me qeveritë e kaluar. Nuk mjafton veç opinioni,por edhe mediat dhe opozita të kenë një bashkëpunim që të bëhet dekonspirimin e këtyre veprimeve”.

Analisti Alia në fund për Syrin tha se është interesante se pavarësisht se çfarë po bën VV-ja kjo gjë po arsyetohet nga masa.

“Është interesant ajo çfarë kemi parë, që çfarëdo që bënë LVV arsyetohet. Po arsyetohet në emër të 50% të votave që morën në zgjedhje, e si duket ai entuziazmi i fitores po vazhdon ende. –Prandaj është shumë e rëndësishme opozitarizmi që bën opozita dhe mbetet të shihet çfarë do të bëjnë në këtë drejtim për ta dekonspiruar pushtetin”, përfundon Alia.

Se ky nepotizëm i shpërfaqur nga VV-ja po bëhet për poenë politikë po e thotë edhe deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj.

Ai ka kritikuar qeverinë se me rishikimin e buxhetit, do të investojë vetëm aty ku i konvenon politikisht.

“Ju deklaronit se me ardhjen e juaj në pushtet, kjo praktikë kinse do të marrë fund. Qytetarët e Kosovës janë të barabartë. Ky rishikim mund të jetë gjithçka por jo i barabartë, e keni krijuar me qëllim që të përfitoni politikisht. Nuk keni marrë bazë nevojat e qytetarëve tanë, por aty ku përfitoni më shumë vota. Kjo është e padrejtë sepse po dëmtoni qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lekaj.

“Ju do të dështoni sepse qytetari e ka parë sa keq qeverisni, e keni shembull Prizrenin, Prishtinën, Mitrovicën. Në këto zgjedhje do të dështoni sepse qytetari e ka parë se sa keq udhëhiqni në këto komuna”, ka thënë ai.

Nëse kthehemi prapa në kohë, shohim se Vetëvendosja derisa dëshmonte dukurinë e nepotizmit në pozitat shtetërore bazuar në zbulimet e aferës së përgjimeve ‘Pronto’ , konstatonte se “nepotizmi është e përbashkëta e LDK-së dhe PDK-së”./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco