‘Në Drenicë nuk kam konkurrencë, për parti s'di çka të them’

‘Në Drenicë nuk kam konkurrencë, për parti s'di çka të them’

12:12, 11/06/2021 Nga Albionë Zhitia

Nuk e ka ndërmend të heq dorë nga gara për të parin e Drenasit. Për këtë ka edhe një arsye të fortë. Ramiz Lladrovdi që do të jetë në krye të kësaj komune edhe pak muaj ka vendosur që të flasë për shumë gjëra. Prej kandidaturës së tij, e deri te komunikimi me ish-shefat qe tashmë ndodhen në Hagë. Ka rrëfyer edhe për përçarjet e përfolura brenda PDK-së dhe ambiciet e tij për kryetar të kësaj partie. Lladrovci ka hapur letrat për Syri.net në Kosovë me gazetaren Albionë Zhitia

1. Këtë intervistë do të doja që ta fillonim me çfarë arritjesh konkrete e mbyllni bilancin si kryetar komune, treguesit konkrete të qeverisjes suaj?

Lladrovci: Do t’i theksoj sukseset me përgjithësime, sepse, detajet përmbahen në kreun e komunave të Kosovës për performansë dhe vendi i parë në Kosovë për 119 komponente. Për tri vjet, kemi investuar mbi 70 milion euro, në shumë sektorë, nga arsimi, shëndetësia, infrastruktura, çështjet sociale, bujqësi e sektorë tjerë. Pra, kemi me se të lavdërohemi në çdo drejtim.

2. Z.Lladrovci në Drenas shumë qytetarë ankohen për ndotjen e mjedisit kryesisht si pasojë e punës së fabrikës së Ferronikelit, ju si komunë çfarë jeni duke bërë konkretisht për të evituar këto probleme?

Lladrovci: Çështja e ndotjes dhe mbrojtjes së ambientit i takon Ministrisë së Mbrojtjes së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Inspektorati komunal, brenda kompetencave kryen punën e vet, por, brenda mandatit. Komuna nuk ka mandat as ta mbyll fabrikën, as t’i mbyll vendet e punës dhe ekzistencës materiale të 915 punëtorëve dhe 800 punëtorëve nënkontraktor. Kjo as është vullnet as kompetencë e komunës të rrezikoj ambientin apo mbylljen e fabrikës.

3. Nuk kanë mbet edhe shumë muaj dhe do kemi sërish zgjedhje. Këtë herë janë ato lokale, ju kohë me parë vetëm se e keni shpallur kandidaturën tuaj edhe për një mandat. Por tani këtyre ditëve në degën e Drenasit ka disa mendime ndryshe. Nga atje është propozuar një emër tjetër për kryetar. Çfarë po ndodh në degën e PDK-së në Drenas?

Lladrovci: Unë me dëshirën time, edhe pse kisha propozime dhe natyrshëm si kryetar i komunës duhej të isha anëtar i Këshillit drejtues të PDK-së, nuk jam kyçur në asnjë nivel të përfaqësimit në PDK as në nivel qendror e as atë lokal, për arsye racionale. Kam pasur dëshirë dhe dua që përfaqësimi nga Drenasi në nivelin qendror, të bëhej nga anëtar të rinj dhe me motiv të ngritjes në politikë. Unë nuk i kisha dhe nuk i kam ato ambicie.

4. A ka përçarje në degën e Drenasit (mos të themi bërryla)?

Lladrovci: Për bërryla nuk mund të them, por se ka protagonizëm, po e shoh nga disa tituj të disa personave në Drenas me tendencë promovimi e vetpromovim të vetvetes dhe miqve personal, duke harruar dokumentet themelore dhe parimet themelore të vendimmarrjes në partinë politike PDK. Disa anëtarë të Degës, anëtarët e kryesisë së Degës së PDK-së, i japin vetes kompetenca që nuk i kanë dhe nuk mund t’i kenë. Nuk mund ta quaj situatën në degë si përçarje sepse, uniteti i PDK-së është i padiskutueshëm, i pathyeshëm në nivel qendror e lokal. Zërat ndryshe janë sharmi i demokracisë.

5. Përfundimisht jeni ju kandidatë nga PDK, apo jo?

Lladrovci: Po, deri sot, së paku tri herë e ka konfirmuar publikisht ditëve të fundit kryetari në detyrë Enver Hoxhaj dhe personalitetet tjera të PDK-së, duke vënë në dijeni ata që kanë vesh dhe sy, nga janari i këtij viti. Drenasi do të vazhdojë të mbetet bastion i pathyeshëm i PDK-së.

6. A mendoni se do ta merrni edhe një mandat në qeverisjen e Drenasit ose thënë ndryshe, a po i frikësoheni rivalëve tuaj politik nga partitë e tjera?

Lladrovci: Puna ime, performansa ime është e vlerësuar. Ky vlerësim vije nga institucionet kredibile që profesionalisht merren me vlerësimin e pushtetit lokal, por kjo përkrahje vije në çdo cep të komunës dhe nga qytetarët e komunës së Drenasit. Kurrë as nuk jam ndjerë as ndjehem i rrezikuar nga askush nga niveli lokal. Sepse, për të më rrezikuar dikush, duhet të ketë edhe cv më të pasur, edhe më shumë përvojë, edhe më shumë guxim, edhe më shumë vendosmëri për të zbatuar ligjin, edhe më punëtor e më të moralshëm në punë. Të tillë as njoh as pres të shfaqet asnjë kundërkandidat. Këtë pres ta vlerësojnë qytetarët, ashtu siç kam bashkëpunim të çdoditshëm me qytetarët e komunës tonë, gjithmonë në shërbim të tyre dhe interesit publik.

7.  Me çfarë oferte do dilni para drenicasve në këto zgjedhj, më saktë pse duhet të ju votojnë juve sërish?

Lladrovci: Kurorëzimi i projekteve të filluara, mbylljen e çështjeve të hapura me rëndësi strategjike për komunën dhe qytetarët e Drenasit, duke sjell edhe risi tjera që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Pa detaje, por do të kemi program të realizueshëm, sipas parimit ato që i premtojmë, i realizojmë.

8. Të flasim pak për gjendjen brenda PDK-së. Si parti jeni me u.d të kryetarit, a jeni duke u organizuar për të zgjedhur kryesin dhe kryetarin e ri?

Lladrovci: Nuk do të hyja në këtë çështje. Konsideroj se konventa e punës apo zgjedhore është e vonshme, jemi në prag të zgjedhjeve lokale dhe nuk e mendoj se do të ishte hap i mirë. Kryetari në detyrë, prof.. Hoxhaj po e bën punën në mënyrë të shkëlqyer, me urtësi dhe guxim, me përkushtim dhe unifikim të elementëve të ndryshëm, brenda vizionit të PDK-së, me konsekuencë dhe konsistencë.

9.  A keni librezë të PDK-së, siç e kanë gjithë anëtarët e tjerë?

Lladrovci: Unë jam themelues i PDK-së, në 7 personat e parë të mbledhur për themelimin e PDK-së. Angazhimi im, pas ardhjes nga misioni diplomatik, ishte nga lideri i PDK-së, z. Kadri Veseli, si pjesë organike dhe e pandashme e PDK-së, andaj, kushdo e mendon përkatësinë time partiake, po shfaq mungesë të plotë të njohurive të veta rreth PDK-së ose themeluesve të PDK-së apo edhe angazhimit në PDK.

10. A keni pretendime në organet e reja të jeni në kryesi ose pse jo, të bëheni kryetar i partisë?

Lladrovci: Jo, nuk e kam asnjë ambicie apo pretendim në politikë, as për ngritje brenda strukturave të PDK-së apo pozitë politike. Më 2016, e kam deklaruar se dy mandate në krye të Drenasit do të jenë të mjaftueshme për të demonstruar sa i dua qytetarët, sa punoj për ta dhe sa energji kam mundësi të japë për komunën e Drenasit. Shpallja e komunës së Drenasit si më e mira në Kosovë, është pjesë e synimit tim të realizuar në vepër dhe fitimi i granteve për mirëqenien e qytetarëve.

11. Sa shpesh komunikoni me kryesinë në Prishtinë?

Lladrovci: Kam komunikim të rregullt dhe sipas nevojës me kryesinë, Kryetarin në detyrë dhe personalitete që shumicën absolute i kam miq e shokë, me vite apo edhe dekada. Jam në dijeni për të gjitha proceset, dhe nuk ndjehem i painformuar apo i lënë pas dore në asnjë rast.

12. A flisni me Sami Lushtakun, Nuredin Lushtakun dhe Xhavit Halitin, si qëndron marrëdhënia juaj me këta tre?

Lladrovci: Kam miqësi me të tre që përfshinë kjo që thash më lartë, njohje e respekt me disa dekada. Pra, nga koha e ilegales e viteve ‘80, armëve dhe shkrepjeve të armëve të para kundër okupatorit në fillim të viteve ’90 e deri sot. Xhavit Halitin e njoh para të gjithëve, madje në Kosovë, një kohë e kam mbajtur deri kah viti 1993 edhe pseudonimin “Zeka” të njëjtë me Xhavitin. Me Samiun kam gjithsesi 90% gjëra që na afrojnë, ndërsa me Nuredinin kam marrëdhënie të jashtëzakonshme. Me të tre, miqësi e shoqëri pa hile dhe me respekt të ndërsjellë.

13.  Do të donim që tani bisedën tonë të flasim pak edhe për disa çështje tjera në nivel vendi. Si po ju duket qeveria e re e udhëhequr nga Kurti?

Lladrovci: Pas 100 ditëve do të flas, për ato që mendoj se i takojnë pushtetit lokal dhe kompetencave të mia si kryetar. Si çdo qytetar, kam dëshirë që çdo qeveri jona të ketë sukses dhe realizojë pritshmëritë e qytetarëve. Edhe unë do të isha i lumtur të realizoheshin pritjet e mia nga qeveria për pushtetin lokal, me sa më shumë investime dhe projekte të realizuara që prekin jetën e qytetarëve tanë.

14.  Nga qeveria është duke u përfolur ndryshimi i ligjit zgjedhor me konkretisht për heqjen e balotazhit në zgjedhjet lokale. Ju çfarë mendimi keni për këtë, jeni pro apo kundër heqjes se balotazhit dhe pse?

Lladrovci: Zakonisht nuk i komentoj propozimet në proces, edhe pse do t’i parapëlqeja zgjedhjet pa balotazh. Por e ritheksoj se asnjë variant as më sjell dyshime as hamendje për votën qytetare ndaj punës time, ndaj asaj që kam realizuar – barazinë para ligjit dhe zbatimin e ligjit, kujdesin gjithëpërfshirës duke bërë me përkushtim shembullor punën time brenda kompetencave dhe mundësive.

15. PDK-ja ka thënë që nuk do bëhet pjesë e dialogut e udhëhequr nga Kurti pasi edhe me Kushtetutë i takon qeverisë të kryej këtë punë. Ju personalisht çfarë mendoni, a duhet të jeni pjesë e tryezës së diskutimit qoftë edhe në nivel teknik duke dhënë propozime dhe ide për çështje të ndryshme. Duke pasur parasysh që partia juaj më së shumti ka qenë e involvuar në dialog deri dje?

Lladrovci: Mandati i qeverisë i fituar nga vota e popullit, me mbi 50% i jep asaj të drejtë të veprojë dhe votojë ligje e ligje pa asnjë pengesë. Duke qenë se kishte vërejtje ndaj procesit të deritashëm rreth dialogut, pres që ato vërejtje tash të implementohen me shumicë votash kuvendore. Nuk e shoh të domosdoshme kyçjen e opozitës para kësaj vote të shumicës nga pozita.

16.  A duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, që ajo ka bërë sipas jush?

Lladrovci: Rreth kësaj çështjeje, më herët, kam theksuar në rrjetin social qëndrimin tim. Kam theksuar kushdo që ka pësuar nga okupatori serb, nuk e ka të drejtën që familjen e vet ta vendosë mbi Kosovën dhe interesin nacional, e as të bëj gabime në saje të kësaj sakrifice, sepse vet heronjtë dhe dëshmorët e patën më të vlefshme Kosovën dhe kombin se fatin personal apo familjar. Kjo duhet të vlejë edhe për Donikën. Për rikujtesë, para pak ditësh dikush ma prezantoi në opinion fotografinë time duke nderuar heronjtë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën. Jam krenar për atë foto, sepse, për ato që jemi zotuar para varreve të këtyre heronjve edhe i kemi realizuar, çlirimin dhe largimin e okupatorit nga atdheu ynë. Historia as ka filluar me neve, as përfundon me neve.

17.  A keni komunikuar me Hashim Thaçin dhe Kadri Veslin që kur janë në paraburgim?

Lladrovci: Jo, nuk kam komunikuar, por, besoj në drejtësinë se ata së shpejti do të kthehen në atdhe, pranë familjeve të veta, në mesin e shokëve dhe miqve të vet dhe marrin sërish përgjegjësitë institucionale me rëndësi për shtetin dhe qytetarët. Gjithsesi, na mungojnë shumë, i mungojnë Kosovës6!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco