Gratë e UÇK-së: Histori të parrëfyera

Gratë e UÇK-së: Histori të parrëfyera

07:57, 16/05/2021

Shqiptarët përbënin shumicën e vendit, por nuk u lejohej as të mësonin në gjuhën amtare. Deklarata e 2 Korrikut nxiti ngritjen e zërit për të drejtat e shqiptarëve për të jetuar të lirë. Por, pak ditë më pas, ky zë do të haste në masat e dhunshme dhe ndërprerjen totale të komunikimit shqip në vend. Më 5 korrik, Policia serbe mbylli dhunshëm Televizionin e Prishtinës dhe gazetën “Rilindja”. Pas asaj, edhe nxënësit u dëbuan nga bankat e shkollës.

Për t’i bërë ballë asimilimit, shqiptarët ndërtuan jetën paralele në arsim, sport dhe shëndetësi. Por, dhuna rritej dhe shqiptarët e kuptuan se nuk do ta rikthenin vendin e tyre pa luftë, sado që ishin kundër saj.

Kalldërmi i rrugicave të fshehura të Prishtinës ishte shndërruar në territorin e qëndresës së të rinjve të Prishtinës. Nëpër këto rrugë ata do ta shpërndanin gazetën “Çlirimi”, gazetë ilegale e cila botohej çdo muaj, nga viti 1993 deri më 1998, dhe do e lidhte popullin me vizionin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, një nga organizatat ilegale çlirimtare.

Emine Vitija-Brahimi ishte një ndër vajzat e cila kishte marrë përsipër këtë detyrë të mobilizimit të qytetarëve – fillimisht me shpërndarjen e kësaj gazete, pastaj duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontet e luftës.

“Dita e parë në UÇK është e papërshkrueshme me fjalë. Iu bashkova djemve dhe vajzave më të guximshëm të Prishtinës duke shpërndarë gazetën ‘Çlirimi’ në lagjet e Prishtinës me qëllim të përgatitjes së popullit për luftë. Ajo natë është ngulitur thellë në memorien time”, e kujton Eminja për “Grazetën” ditën e parë kur si 17 vjeçare u vu në shërbim të lirisë së vendit.

Vendi çdo ditë e më shumë po boshatisej, mijëra shqiptarë po vriteshin nga forcat paramilitare serbe, të tjerët dëboheshin nga shtëpitë e tyre. Hija e tymit qëndroi për muaj të tërë mbi tërë vendin.

Rolet gjinore të cilat shoqëria i kishte paracaktuar deri atëherë filluan ngadalë të zbeheshin. Gratë filluan të krijonin role dhe identitete të reja, siç ndodhë shpesh kur ka luftëra dhe tranzicione shoqërore. Edhe gjatë luftës në Kosovë, disa gra iu bashkuan fronteve të luftës si ushtare, disa si mjeke e infermiere e disa ishin përgjegjëse për përgatitjen e ushqimit, ndërsa disa të tjera po i udhëhiqnin familjet e tyre larg territorit të Kosovës.

Eminja ishte pjesë e Njësitit Gueril BIA të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili vepronte në rajonin e Prishtinës. Njësiti kishte marrë emrin nga inicialet e tre dëshmorëve: Bahri Fazliu, Ilir Konushevci, Agron Rrahmani.

Pjesë e këtij njësiti ishte edhe Ibadete Canolli-Kaçiu, e cila kishte filluar aktivitetin si stazhiere e infermierisë tek Flora Brovina, duke ndihmuar në zonat e prekura nga lufta. Pas arrestimit të Flora Brovinës, Ibadetja do të bëhej përgjegjëse për shëndetësi në Njësitin Gueril BIA.

Image

“Ishte luftë e drejtë, e detyrueshme, e pashmangshme”, vlerëson Ibadetja luftën për çlirimin e vendit. Sipas saj, roli i gruas në këtë luftë ishte i rëndësishëm “po aq sa është̈ i rëndësishëm roli i gruas për krijimin e një̈ jete të re”.

Sipas organizatës Human Rights Watch, numri i pjesëtarëve të UÇK-së ishte rreth 25,000. Të dhënat se sa ishte numri i saktë i luftëtareve gra ende mungojnë, ndonëse lufta ka përfunduar tani e 21 vite.

Eminja tregon se kur ka vendosur t’i bashkohet UÇK-së, kjo është mirëpritur nga e gjithë shoqëria.

“Nuk kam hasur në pengesa, kam pas përkrahje maksimale dhe zakonisht kam pasur komente pozitive dhe fjale miradije”, tha ajo për “Grazetën”. Ajo gjithashtu reflekton rreth lidhjes së saj duke potencuar se “me të dashurin, i cili gjithashtu ishte pjesëtar i UÇK-së, kemi vendosur të fejohemi gjatë luftës, ashtu që të ishim bashkë edhe në luftë.”

Po aq pozitivisht ishte pranuar edhe Ibadetja kur pati vendosur ta vishte uniformën e UÇK-së.

“Nuk e kam menduar fare se çfarë̈ mendojnë të tjerët. Kam vepruar si ma ka ndjerë shpirti dhe mendja. Por, nuk kam hasur në pengesa. Kam pas përkrahje maksimale dhe komente përgjithësisht pozitive”, tregon ajo.

Vitet 1998 dhe 1999 Kosovës i sollën shumë vuajtje. Forcat serbe kryenin masakra, vrasje, përdhunonin gra e burra dhe shkatërruan pothuajse gjithë vendin. Afërsisht 90% e shqiptarëve të Kosovës u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre.

Në këto kohë tmerri, grupet e grave i ndihmuan njerëzit e zhvendosur me ushqim, mbështetje, kujdes mjekësor, strehim dhe arsimim.

Gratë në frontet e luftës                                     

Njësiti Gueril BIA, ku vepronin edhe Eminja e Ibadetja, funksiononte në territorin e Prishtinës, nën hundën e ushtrisë serbe.

“Ka pasur shumë ditë të mira dhe ditë të vështira gjatë shërbimit për vendin. Nuk harrohen fitoret dhe aksionet tona kundër policisë dhe ushtrisë serbe. Por, nuk harrohen as momentet e vështira kur kemi pasur humbje të shokëve tanë”, i përshkruan sot Eminja ditët e saj në frontet e luftës.

Takimin me armët të dy këto gra e kishin bërë së bashku me bashkëluftëtarët e tyre.

“Edhe pse isha nga qyteti, kam marrë njohuritë bazike për armët. Në mal, ku kemi qenë të bazuar, kemi kryer të gjitha ushtrimet e nevojshme sipas planprogrameve të komandantëve tanë”, rrëfen Eminja.

Ndërsa Ibadetja thotë se ndonëse ka pasur njohuri rreth revoles, për pushkë automatike edhe për granatën e dorës është trajnuar nga bashkëluftëtarët e saj.

Duke u përballur me një ushtri e cila ishte me numër më të madh të pjesëtareve dhe që kishte armatim të fuqishëm, vështirësitë në fronte ishin të mëdha.

“Vështirësia më e madhe ishte bartja e te plagosurve. Një herë patëm mbetur dy ditë me të plagosur në një përrua – pa ushqim e pa ujë. Ishim vetëm pesë vetë të shëndoshë̈ nga shërbimi mjekësor. Të tjerët, të gjithë̈ të plagosur”, shpalos Ibadetja një nga kujtimet e vështirësitë më të mëdha gjatë kohës së saj në frontin e luftës.

Në krejt tmerrin e luftës, natyra njerëzore nxjerr kokën dhe del në pah edhe me historitë qesharake. Fundja, lufta është një miniaturë e jetës. Ajo ka ekstremet e dhimbjes, por ka edhe episode humori, sado të shkurtra, që kur i kujtojnë sot, i bëjnë të qeshin edhe vetë pjesëmarrëset. Ibadetja rrëfen për “Grazetën” një nga episodet e tilla.

“Edhe ne i kishim momentet e humorit. E kishim një gjarpër të plastikës dhe një ditë e lamë në dhomën e mbledhjeve… Ndërkohë, e thirra Isa Kastratin, dëshmorin e kombit dhe i thashë se është një gjarpër në dhomë”, rrëfen ajo. “Ai na tha të mos bëjmë panik dhe se do e largonte vetë. E mori një shkop të gjatë e iu afrua ngadalë. Kur e shtyu, e pa se ishte i plastikës. Ka qenë një moment që kemi qeshur shumë.”

Me përfundimin e fushatës ajrore të NATO-s, shqiptarët gradualisht kishin filluar të ktheheshin në vendet e tyre.

Gratë si Eminja e Ibadetja nga e gjithë Kosova e kishin përmbushur detyrën e tyre të çlirimit të vendit.

Ndonëse fundi i luftës për çlirim po afrohej, trupat serbe, gjatë tërheqjes, kishin filluar të shkatërronin edhe më shumë. Kështu, Eminja, së bashku me luftëtarët e tjerë, kishin hyrë në Prishtinë për të parandaluar ndonjë masakër tjetër.

“Kam pasur fatin të jem një nga ushtaret të cilat e kemi çliruar Prishtinën dhe jemi futur në qytet para hyrjes se forcave të NATO-s, duke parandaluar ndonjë masakër mbi popullatën civile nga paramilitarët dhe ushtria serbe. Me hyrjen e forcave të NATO-s, edhe unë gradualisht fillova t’i kthehem jetës”, tregon ajo për “Grazetën”.

Një kontribut i paçmuar

Mungesa e numrit të saktë për gratë pjesëmarrëse në luftën tonë për çlirim bën që vajzat e gratë që shërbyen të mos e marrin atë qe e meritojnë – mirënjohjen për rolin e tyre kyç në lirinë e Kosovës.

“Në Guerilen BIA ka pasur numër të konsideruar të grave”, shpjegon Emine Vitija-Brahimi. Të njëjtën e konfirmon edhe Ibadetja. “Po, madje kanë kontribuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Në shenjë respekti e nderimi për veprimtarinë për çlirimin e vendit janë ndarë shumë mirënjohje, janë ngritur shtatore e memoriale dhe janë emërtuar shumë rrugë. Kjo bëhet ashtu që veprimtaria e tyre të mos shuhet e të mbahet mend ndër breza.

Mirëpo, gratë të cilat kanë pasur rol kyç në çlirimin e vendit duket se janë harruar nga shteti i lirë i Kosovës.

Në shumë qytete e fshatra të Kosovës, ngrihen të larta shtatoret dhe përmendoret e shumë burrave të cilët kanë shërbyer njësoj sikur gratë në çlirimin e vendit. Por, përmendoret e këtyre të fundit rrallë mund t’i shohësh. Nga dhjetë shtatore që i menaxhon Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, vetëm një është e grave.

Më 12 qershor 2015 u përurua Memoriali “Heroinat” në një ndër pikat më të frekuentuara të qytetit të Prishtinës, i cili i kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të grave kosovare gjatë luftës së viteve 1998-1999. “Heroinat” përshkruan një grua shqiptare dhe është realizuar me 20,000 kunja, ku secili kunj përfaqëson një grua të dhunuar gjatë Luftës së Kosovës të viteve 1998-1999.

As Eminja e as Ibadetja nuk kanë marrë mirënjohje nga vendi.

“Ne e kishim një̈ synim: luftën deri në çlirimin e trojeve shqiptare”, thotë Ibadetja për “Grazetën”.

Luftëtarët, pa marrë parasysh gjininë, kur e kanë marrë armën në dorë, nuk kanë menduar se a do t’i shpërblehet kjo më vonë. Por, kur burrat ushtarë lartësohen në bronz, historitë e grave as nuk diskutohen.

“Luftën nuk e kemi bërë për mirënjohje dhe medalje, por për liri të vendit dhe mirënjohja më e mirë për mua është kur i shikoj fëmijët e mi duke u rritur dhe frymuar lirshëm në trojet tona”, tregon Eminja, e cila ishte 17 vjeçare kur u aktivizua për çlirimin e vendit. Ndërsa Ibadetja tregon se asnjëherë më parë në këto 22 vite nuk është kontaktuar nga mediat në vend për ta shpalosur historinë e saj dhe përjetimet që pati gjatë luftës. Të tilla si Eminja e Ibadetja ka pasur në gjithë njësitë e UÇK-së që kanë vepruar në Kosovë.

Tendenca që të mos diskutohet për rolin e gruas në çlirimin e vendit dhe të mos i jepet vëmendja e duhur, sipas Majlinda Behramit nga Rrjeti i Grave të Kosovës, është produkt i normave shoqërore patriarkale të shoqërisë kosovare.

“Përjashtimi i grave nga diskursi i temave të luftës, dhe jo vetëm, është i lidhur me normat shoqërore patriarkale të cilat refuzojnë ta njohin kontributin aktiv të grave në procese të sigurisë dhe paqes”, tha ajo për “Grazetën”, ndërsa shtoi se ky kontribut duhet të dokumentohet.

“Kontributi i grave dhe vajzave gjatë luftës së fundit duhet të dokumentohet dhe të jetë pjesë e historisë sonë gojore dhe të shkruar”, tha ajo.

Përveç që mungon dokumentimi i kontributeve në luftën e fundit, në librat e historisë të Kosovës, nga ku mësojnë të gjithë të rinjtë, lufta për çlirim është fare pak e përshkruar.

Kështu, në mungesë të mësimit adekuat në shkolla, fëmijët e këtij vendi rriten pa njohjen e rrugës së shtetndërtimit të Kosovës. Ata rriten edhe pa njohjen e rolit që kanë pasur gratë në luftë.

Diskursi i luftës pa gratë

Viti 2021. Situata në Kosovë nuk është sikur në vitet ‘90 kur të rinjtë detyroheshin të informonin ilegalisht shoqërinë kosovare. Sot, në vend ka një numër të madh të medieve që veprojnë lirshëm në vend.

Megjithëse grave që kanë shërbyer për çlirimin e vendit rrallë e hiç u përmendet kontributi, mediat e kanë fuqinë që ta mbajnë të gjallë rolin që pothuajse gjithë gratë e Kosovës e kanë pasur në krijimin e vendit që është sot.

Gratë luftëtare marrin vëmendjen e publikut vetëm atëherë kur shënohet ndonjë përvjetor ose kur e njëjta është e përfshirë edhe në politikë.

Image

Teuta Arifaj, gazetare dhe autore e emisionit “Raport”, tha se konteksti më i shpeshtë për gratë që kanë qenë në luftë në media është portretizimi i tyre si viktimë.

“Konteksti më i shpeshtë në media, kur bëhej fjalë për gratë dhe luftën, është portretizimi i viktimës. Jemi të vetëdijshëm që një numër i madh grash kanë pësuar në përmasa enorme përgjatë luftës, por përqendrimi i mediave që të paraqesin kryesisht rastet kur gratë ishin viktima, ka krijuar njëfarë bindje të pavetëdijshme që gruaja kosovare në luftë vetëm viktimë mund të ketë qenë”, tha ajo për “Grazetën”.

Ndërsa e tërë lufta për çlirim është personifikuar me disa persona të caktuar, është lënë nën hije një pjesë e cila ka qenë aktive, qoftë si pjesë e UÇK-së apo edhe pjesë e rezistencës paqësore.

“UÇK-ja identifikohet me figura të caktuara të cilat janë glorifikuar aq shumë pas përfundimit të luftës, sa që kanë lënë pak hapësirë për të tjerët, përfshirë edhe gratë. Gruaja luftëtare më e njohur në vend nga lufta e 90-ave në Kosovë mbetet Xhevë Lladrovci dhe kjo ngase e njëjta ka luftuar bashkë me bashkëshortin e saj. Fakti që ajo dhe bashkëshorti i saj vdiqën bashkë në betejë ka kontribuuar në atë që lufta e saj të përmendet pas luftës barabartë me atë të bashkëshortit”, tha Teuta për “Grazetën”.

Mospërfshirja e grave në diskursin publik të çlirimit nuk arrin që t’ua mohojë grave atë çfarë kanë bërë për Kosovën. Por, kjo qasje nuk i informon brezat e rinj, vajzat e reja se çfarë guximi kanë pasur dhe çfarë roli kanë gratë për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Në shoqëri patriarkale, sikurse kjo kosovare, mospërqendrimi i barabartë ndaj luftës së grave, jo vetëm nga ana e mediave, ka krijuar ndasi, paragjykim dhe trashëgimi të padrejtë ndaj faktit se sa larg guximi i gruas mund të shkojë”, tregoi Teuta Arifaj për “Grazetën”.

Kërkesa shtesë vetëm për gratë

Sipas Agjencisë së Statistikave, numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës në qershor të vitit 2020 ishte 35,175 burra, ndërsa nga ky pension përfitonin vetëm 3,036 gra. Megjithatë, ky numër i përfituesve të pensionit për veteran nuk përkon me numrin e lartcekur të pjesëtareve të UÇK-së që “Human Rights Watch” e kishte dokumentuar dhe për qartësimin e listave kishte filluar vërtetimi i personave që marrin pensionin e veteranëve.

Në këtë listë të “veteranëve të rrejshëm” gjenden edhe Eminja me Ibadeten, ndonëse kishin qenë pjesë e luftës.

“Kam statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së edhe pse me apo pa qëllim emri im figuron në listën e veteraneve të rrejshëm”, tregon Eminja.

Se a janë të kënaqura me atë që ofrohet nga organizatat e dala nga lufta dhe nga shteti, Ibadete Canolli-Kaçiu tha: “Aspak, shumica janë lenë pas dore”.

Megjithëse shteti ka dështuar në vlerësimin e rolit të gruas në çlirimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës, duket që Kosova nuk i dëshpëron asnjëherë këto gra. Emine Vitija-Brahimi dhe Ibadete Canolli-Kaçiu, pjesëtare të Njësitit Gueril BIA, ndajnë mendimin se Kosova nuk i dëshpëron, por e njëjta nuk vlen për udhëheqësit politikë.

Image

Ndonëse të përjashtuara nga bronzi, meritat, memorialet e diskutimet, rolin e grave në shtetndërtimin e Kosovës nuk mund ta mohojë askush.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 10,400 shqiptarë, 20,000 persona janë dhunuar, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banuara në Kosovë u dëmtuan, 90% e shqiptarëve u dëbuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa rreth 1,600 është numri i personave që ende vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Kjo luftë solli kaq shumë dhimbje. Por, solli edhe shumë krenari. Burra e gra, të reja e të rinj, morën pushkët, rrezikuan jetën e tyre që brezi ynë të mos përjetojë kurrë më tmerrin e pushtuesit. Ndonëse asnjëherë gjer më sot nuk është vlerësuar njëjtë kontributi i grave sikur i burrave, prapëseprapë ne krenohemi me trimërinë dhe guximin e atyre grave dhe Eminja e Ibadetja janë vetëm dy shembuj të heroinave të gjalla të luftës sonë për liri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco