Shtatë serbë të Kosovës i drejtohen me një letër Aleksandar Vuçiqit

Shtatë serbë të Kosovës i drejtohen me një letër Aleksandar Vuçiqit

10:44, 15/05/2021

Shtatë zjarrfikës serbë nga komuna e Zubin Potokut i kanë dërguar një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të zgjidhur problemet që i kanë të pazgjidhura që tetë vjet.

Në letrën e dërguar në adresën e shefit të shtetit serb, shkruan se nga njësitet e zjarrfikësve të katër komunave veriore të Kosovës vetëm brigada e tyre nuk është e inkuadruar në institucionet e Serbisë.

Sipas tyre të vetmet të ardhura mujore që kanë është një pension i vogël, diku 169.68 euro që është i pamjaftueshme për ekzistencën normale të familjeve të tyre, shkruan Kossev.

Andaj kërkesë e këtyre zjarrfikësve është që edhe ata të inkuadrohen në institucionet e Serbisë sikur edhe tre brigadat e komunave të tjera veriore.

Letra e plotë:

I nderuar President,

Ne po ju drejtohemi në lidhje me një problem zgjidhjen e të cilit kemi kërkuar pa sukses për tetë vjet.

Gjegjësisht, kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit midis përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës, shtatë zjarrfikës (në tekstin e mëtejmë nënshkruesit e kërkesës) nuk ishin integruar në institucionet e Prishtinës.

Deri në vitin 2013, ne ishim të angazhuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sektori për situata emergjente, pas së cilës dolëm në pension.

Sektori për situata emergjente (shërbimi zjarrfikës) në institucionet e Prishtinës është nën juridiksionin e komunës, e cila është e vetmja me autoritetin për të kryer integrimin.

Ne kemi të gjitha kualifikimet e nevojshme dhe trajnimin e përfunduar.

Premtimet na erdhën disa herë nga Asambleja Komunale të Zubin Potokut (kryetari i atëhershëm Stevan Vuloviq), ne madje, me udhëzimet e autoriteteve, hapëm llogari rrjedhëse, por edhe atëherë nuk u arrit asnjë zgjidhje përfundimtare.

Ne vërejmë se përfaqësuesit e tre komunave të tjera në veri të Kosovës dhe Metohisë: Kosovska Mitrovica, Zveçani dhe Leposaviqi – kanë përfunduar procesin e integrimit të punonjësve të tyre.

Pensionet që marrim nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha nevojat e familjeve tona, mes nesh ka nga ata që mbështesin familje gjashtë anëtarëshe me më pak se 20,000 dinarë.

Ne kemi punuar për një periudhë të caktuar kohe, duke marrë pagat minimale, të gjitha me shpresën se integrimi do të ndodhte më në fund.

Të lodhur nga premtimet e parealizuara, nga frika për ekzistencën tonë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’ju drejtohemi personalisht.

Ne vërejmë se jemi të gatshëm për çdo lloj kompromisi, bashkëpunimi dhe bisedimesh në mënyrë që ta zgjidhim këtë problem sa më shpejt të jetë e mundur.

Me respekt,

Ljubinko Vlashkoviq,

Novica Radomiroviq,

Darko Radojeviq,

Radisa Rakiq,

Jovica Utviq,

Dobrivoje Peroviq,

Njegos Djuroviq

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco