Kërkohet rishikimi i Ligjit për Pandeminë

Kërkohet rishikimi i Ligjit për Pandeminë

14:15, 13/04/2021

Menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe sigurimi i vaksinës anti-COVID, do të jenë dy prioritetet kryesore në fushëveprimtarisë së Komisionit të Shëndetësisë, konstituimi i të cilit ndodhi sot. Krahas kësaj anëtarët e këtij komisioni kërkuan që të bëhet edhe rishikimi i Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, dhe ligjeve të tjera relevante për sektorin e shëndetësisë.

Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha krahas bashkëpunimit me anëtarët e këtij komisioni do punojnë bashkërisht që të hartojnë planin e punës së këtij komisioni.

Lidhur me masat anti-COVID që janë në fuqi Mulhaxha-Kollçaku tha se qeveria nuk i ka marr këto masa kokë në vete, por është konsultuar me institucionet përgjegjëse.

“Prioriteti mbi prioritet është trajtimi i epidemisë në vend, mendoj që jo vetëm në fokus të Komisionit por edhe të qeverisë fillimisht kërkuesit e shërbimeve shëndetësore[…]Sa për masat e qeverisë jam e bindur që nuk janë marr krye në vete por në konsultim me institucionet relevante ku ndër to është edhe IKShPK-ja dhe më vjen mirë që kohëve të fundit i është kthyer rëndësia e duhur dhe besoj që në vazhdimësi duhet të konsultohen të gjithë ekspertët”, tha ajo.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësisë, Uran Ismajli deklaroi se nga ana e qeverisë por edhe ministrisë së Shëndetësisë ka mungesë të transparencë rreth sigurimit të vaksinës.

Ish ministri i Shëndetësisë tha se pa vaksinimin e 70 përqind të popullatës nuk do ketë efektet e saj imunizimi që po bëhet karshi COVID-19.

“Çështja e vaksinave është një breng që e kanë çdo qytetar në Kosovë, profesionistët shëndetësor dhe ne duhet ta trajtojmë sepse ka një urgjencë më të madhe[…]Kemi mjaftë kapacitete të brendshme që na ndihmojnë me bë një diskutim edhe një mbikëqyrje të duhur mbi qeverinë jo mbikëqyrje për t’i zënë vetëm kritika sepse nuk po presim mrekulli për 2-3 muaj por të paktën po presim informatë dhe transparencë pak më të madhe sa i përket çështjes së masave, çështjes së vaksinave dhe të paktën me na tregu se kah po e shohin daljen nga kjo situatë[…]Duhet me qenë ne më proaktiv, duhet me kërkua ne nga qeveria, ka mungesë të transparencë, ka mungesë të informatave masat mënyrën se si janë dizajnuar dhe janë sjell a e kanë arritur atë efekt apo jo mungesa e vaksinave sa është kërkesa e vaksinave, e kuptoj që kanë ardhur tash apo pritet të vijnë 100 mijë nëse nuk vaksinohen mbi 70 përqind e popullatës vaksina nuk e ka arritur efektin për gjithë popullatën por vetëm për individin“, tha Ismajli.

E deputeti anëtar i këtij komisioni nga AAK-ja, Shemsedin Dreshaj procesin e vaksinimit që aktualisht po ndodh në Kosovë e ka konsideruar të ngadalshëm. Ai kërkoi që prioritet ë kësaj qeverie të jetë shëndetësia.

“Uroj që këtë herë shëndetësia të jetë prioritet i Kosovës, deri tash ju e dini fort mirë që shëndetësia dhe arsimin kanë qenë në mënyrë deklarative të mbështetura në shumicën e rasteve. Aktualisht jemi në një pandemi nëse diçka e bënë të rëndësishëm këtë komision është kjo mendoj që duhet të jemi aktiv të kyçur në menaxhimin e pandemisë[…]Mendoj që secili prej nesh që jemi këtu brengë e ka vaksinimin dhe jo vaksinimin parcial por atë masiv. Pra, krijimin e barrierës imunologjike në terren, 20 mijë vaksina janë një pikë ujë në det, ne kemi arritur ata individ t’i mbrojmë edhe atë me një dozë. Atë që kisha rekomanduar është kjo të mos shkojmë me një ritëm të tillë të ngadalshëm të vaksinimit me 20 mijë vaksina jemi duke u ballafaquar që dy javë ditë kur të na vijnë nesër 100 mijë vaksina çka kemi me bë, do t’iu skadoj afati”, theksoi Dreshaj.

Haxhi Avdyli deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se krahas pandemisë duhet të shihet mundësia për reformë në sistemin shëndetësor. Por ai ngriti si çështje edhe mundësinë e rishikimit të Ligjit për parandalimin e luftimin e pandemisë COVID-19, i cili u miratua vitin e kaluar.

“Ndoshta edhe njëherë ne mund t’i rikthehemi ligjit për pandeminë dhe të shikojmë me Bekimin, Uranin, Labioniten kemi punuar në këtë Ligj edhe mandatin e kaluar dhe jemi të familjarizuar me këtë ligj dhe me pa sa ka arritur ky ligj me i përmbush kërkesat e menaxhimit të pandemisë, ku mund të shikohet, plotësohet dhe të shikojmë që ky ligj të bëhet më funksion, propozoj të rishikohet edhe njëherë apo të riamandamentohet aty ku mund të riamandemtohet. Mos të flasim pastaj për ligjin që është Kushtetuta e shëndetësisë, për ligjin për Shëndetësinë i cili duhet edhe ai të vjen sa më shpejt në këtë komision, kemi dy ish ministra që e kanë përmendur se është duke punuar për këtë por asnjëherë nuk ka ardhur në këtë komision”, tha Avdyli.

Edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u pajtua që ka nevojë për rishikimit të Ligjit të pandemisë. Ai tha se ky ligj është i mangët dhe si i tillë nuk i ka ndihmuar shumë si ministër, dhe nuk beson që do mund t’i ndihmoj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Zemaj kërkoi që mbikëqyrja e Ministrisë së Shëndetësisë të bëhet nga ana e Komisionit për Shëndetësi në mënyrë profesionale dhe jo me presion.

“Në aspektin legjislativ nuk e di qeveria ku ka arritur me planin legjislativ, shumë çka që u përmend është e gatshme, këto i kam dorëzuar dhe janë në tavolinën e ministrit aktual, Ligji për Shëndetësi është i përfunduar nëse ka begatim nga Qeveria e Kosovës mund të interferoj nëse jo mund ta procedoj, po ashtu edhe koncept-dokumenti për sëmundje ngjitëse është miratuar në qeveri dhe Ligjin për Pandeminë është ligj i mangët, është bërë në afekt politik, është bërë për konsum politik dhe mua si ministër fare pak më ka ndihmuar dhe nuk besoj që nuk do t’i ndihmoj ministrit aktual. Së paku e ka bërë një avancim por ka shumë mangësi edhe pse detyrimisht nënkuptohet nxjerrje të udhëzimeve administrative për ta bërë të aplikueshëm këtë mund ta rishikojmë në procedurë[…]Situata pandemike mbetet shqetësuese, ajo çka kemi parë këto ditë është një heshtje e qeverisë, mendoj që duhet të jetë më proaktive dhe kjo heshtje ngrit shqetësimin tonë që të jemi më mbikëqyrës ndaj situatën në terren apo në përmirësimin e saj“, tha Zemaj.

Ndërsa, deputeti nga PDK, Bekim Haxhiu mendon se esencial për qytetarët e Kosovës është luftimi i COVID-19 dhe vaksinimi masiv i qytetarëve.

“Mendoj se prioriteti numër një në këtë vend para se gjithash është luftimi i pandemisë dhe vaksinimi i qytetarëve sepse kjo është mënyra më mposhtë pandeminë dhe me u kthye në normalitet. Pastaj në normalitet ne mund të diskutojmë për ligjin për Shëndetësi dhe për ligjin për Transplantimin e Organeve, e ligje tjera që kanë qenë në procedurë të gjitha mund t’i bëjmë ngadalë dhe pa presion, por presioni i qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësor është ta mposhtim pandeminë“, theksoi Haxhiu.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi u dakorduan që të takohen çdo të hënë nga ora 10:00.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco