Politika për ca vota më shumë imponon punësime të reja në kompanitë me humbje e borxhe milionëshe

Politika për ca vota më shumë imponon punësime të reja në kompanitë me humbje e borxhe milionëshe

12:58, 22/01/2021 Nga Dardan Gashi

Edhe sivjet po vazhdon trendi dhe përgatitja e punësimeve nëpër ministri, institucione shtetërore, komuna dhe ndërmarrje, pikërisht në periudhën afër zgjedhjeve parlamentare.

Së fundmi, u raportua se në “Postën e Kosovës” është hapur konkurs për 35 pozita, mu tani pak para zgjedhjeve të reja, ani se kur po hyjmë në fund të muajit janar, një pjesë e punëtorëve të Postës së Kosovës ende nuk kanë marrë pagat e tyre.

Hapja e konkursit për 35 pozita, ka nxitur edhe reagimin e sindikatës së kësaj ndërmarrje.

Ata në shkresën dërguar drejtuesve të Bordit, kanë bërë të ditur se nuk janë kundër punësimeve të reja, por, se në mungesë të projekteve që ka kjo ndërmarrje, frikësohen se situata financiare e kësaj ndërmarrje do të keqësohet edhe më shumë.

‘Posta e Kosovës’ nuk po del të jetë e vetmja që ka hapur konkurs pune në prag të zgjedhjeve, pasi raportohet edhe për disa nga NP-të, të cilat veçse kanë gati konkurset.

Shpallja e konkurseve si praktikë para zgjedhjeve nacionale, ndërvite u pa si mundësi e partive në pushtet që të mbledhin sa më shumë elektorat brenda vetës, duke premtuar punësime partiake dhe familjare.

Punësime sipas burimeve të Syrit janë raportuar edhe në ndërmarrjen e hekurudhave. Edhe kompani të tjera, mësohet se po rekrutojnë staf shtesë, edhe pse punojnë me humbje dhe kanë borxhe.

Se gjendja e Ndërmarrjeve Publike, është jo e mirë e konfirmoi edhe raporti i fundit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Nga ky raport për vitin 2019, auditori dha opionion negativ në 13 nga 14 ndërmarrjet publike sa ekzistojnë në vend.

Sipas raportit, 6 ndërmarrje publike kanë rreth 30 milionë euro borxhe të pashlyera dhe operojnë më humbje, ndërsa, të tjerat 8 prej tyre nëse i mbledhim kanë vetëm një fitim simbolik

Ish-ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Qeveria në detyrë e Kosovës është duke i shfrytëzuar ndërmarrjet publike për fushatë zgjedhore.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Hajdari ka përmendur konkurset e shpallura në Postën e Kosovës dhe Kompaninë e Ujësjellësit ‘Prishtina’, duke thënë se këto konkurse janë dyshuese.

Kjo dukuri po shihet mjaft shqetësuese edhe nga njohësit e kësaj fushe.

Emir Abrashi, hulumtues nga Demokracy Plus, për Syri.net Kosova thotë se fatkeqësisht kjo është një praktikë e cila vazhdon të përsëritet në çdo palë zgjedhje.

Sipas tij, një praktikë e tillë ka mundësuar që të futen njerëz të cilët nuk i përmbushin kriteret nëpër ndërmarrje të ndryshme publike, e si rrjedhojë, kjo ka bërë që sot shumicën e ndërmarrjeve publike t’i kemi buzë kolapsit.

“Në këtë formë, partitë vërtetë i ‘rehatojnë’ disa nga militantët e tyre, duke i ‘shpërblyer’ për besnikërinë e tyre, mirëpo kjo shkon në kurriz të taksapaguesve kosovarë. Në një situatë të tillë, kur kemi një shkatërrim total të ndërmarrjeve publike, fakti që ndodhemi në fushatë do të duhej të ishte një mundësi e mirë që partitë të ofronin zgjidhje për problemet me të cilat këto ndërmarrje ballafaqohen – pra, duke ofruar plane konkrete se si të nxirren nga gremina në të cilën ndodhen, e jo të kontribuojnë më tej në shkatërrimin e tyre”

Se këto konkurse dyshohet se kanë prapavijë politike, e pranon edhe hulumtuesi Abrashi.

Po normalisht, këto bëhen për të rehatuar militantë partiakë, mirëpo kjo bëhet në dëm të atyre ndërmarrjeve dhe në kurriz të taksapaguesit kosovar. Kjo s’do të ishte problem sikur këto punësime të bëheshin me kritere, mirëpo në një situatë kur kriteri i vetëm është përkatësia partiake, një praktikë e tillë duhet të ndalet, dhe normalisht duhet të ndëshkohet.

Ai vlerëson se kjo praktikë është pandershme dhe dekurajuese për të gjithë ata të rinj të kualifikuar, të cilët do të mund të jepnin kontribut dhe të shkrinin dijen dhe idetë e tyre për rimëkëmbjen e këtyre ndërmarrjeve, por, të cilët nuk kanë mundësi as të konsiderohen për të tilla pozita për shkak se ato janë rezervuar për militantë partiakë.

Ndërsa, analisti, Xhevdet Pozhari, për Syri.net Kosova, thotë se jo vetëm ndërmarrjet politike, por, përgjatë këtyre viteve të qeverisjes, thuajse të gjitha institucionet janë shndërruar në "ente punësimi" për militantët partiakë të partive në pushtet.

“Ndërmarrjet publike janë shembulli i ndërhyrjeve më eklatante ku partitë si PDK dhe LDK kanë shfaqur mendësinë e tyre uzurpuese dhe janë sjellë sikur të jenë pronë e partisë, e jo institucione shtetërore.

Ai shton se keqpërdorimi i hallit të njerëzve të papunë, i gjendjes së rëndë ekonomike për të cilën është përgjegjës vet pushteti, ka zhvendosur me themel standardet duke imponuar vlerësimin në bazë të përkushtimit partiak, e jo dijes dhe kualifikimit.

Sipas tij, konkurset e fundit janë një mashtrim i radhës, si shumë herë të tjera, vetëm se tani bëhet më i theksuar shkaku i rënies drastike të votave të LDK dhe PDK-së.

“Është veç një rreng, një kurth, një përpjekje e fundit për të shmangur të pashmangshmen, se pas 14 shkurtit në këtë vend me një qeverisje të re do të ketë shpresë për të gjithë, e veçanërisht për njerëzit që partitë në pushtet përpiqen ta shfrytëzojnë fatkeqësinë e tyre për një vend pune, ndërsa pushtetarët e kanë shtresuar pasurinë milionëshe me biznese që direkt varen nga tenderomania dhe korrupsioni i lartë. Pra, një vend pune përkthehet në tendencë për mbrojtje të verifikimit të pasurisë së tyre që do ta bënte një pushtet i ri pa hipoteka”

 

Nga 3 shkurt deri me 12 shkurt, zyrtarisht në Kosovë do të jetë  në fushatë elektorale dhe sipas dinamikës, premtimet do të jenë edhe më të shumta edhe më të ndryshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco