Ende nuk dihen dëmet që u shkaktuan nga përmbytjet në Kosovë

Ende nuk dihen dëmet që u shkaktuan nga përmbytjet në Kosovë

13:50, 12/01/2021

Shumë komuna u goditën nga vërshimet pas reshjeve të shiut që ranë ditëve të fundit, ndërsa si pasojë u shkaktuan shumë dëme në infrastrukturë rrugore, në kulturat bujqësore si dhe në banesa e shtëpi banimi.

Por pavarësisht kësaj ende zyrtarisht nuk ka ndonjë të dhënë se sa është vlera e dëmeve që janë shkaktuar nga këto vërshime.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Telegrafin se komunat ende nuk kanë dorëzuar raportet e tyre lidhur me dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

“Komunat krijojnë komisionet vlerësuese të cilat bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe hartojë raportin e pastaj e dërgojnë në nivel qendror. Deri më tash nuk kemi pranuar ndonjë raport nga asnjë komunë”, ka thënë Ibrahimi.

Në mesin e shumë komunave që janë prekur rëndë nga vërshimet është edhe Drenasi. Kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci tha se gjendja nga vërshimet është shqetësuese.

Ai po ashtu tregoi se për shkak të vërshimeve, 15 familje janë evakuuar dhe janë strehuar në hotelet e qytetit.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se ka pasur vërshime nga lumi Sitnica dhe se po vazhdon gjendja e rënduar në qytet.

Tahiri ka bërë të ditur se tashmë janë evakuuar banorët, ndërsa ka thënë se do të kërkojnë nga qeveria kompensim të dënimit të banorëve.

Kujtojmë se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dje ka bërë të ditur se Qeveria do të formojë një fond emergjent për t’u dalë në ndihmë familjeve që u preken nga përmbytjet. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco