Kosovarëve që iu rrit barku në pandemi, ekspertët tregojnë si ta hiqni atë Foto ilustruese

Kosovarëve që iu rrit barku në pandemi, ekspertët tregojnë si ta hiqni atë

13:20, 08/12/2020

Viti 2020 për shumëkë ka filluar në formë të keqe, për shkak të COVID-19, sëmundja që pushtoi botën dhe izoloi të gjithë në shtëpitë e tyre. Qëndrimi në shtëpi bëri që shumë persona të shtojnë peshë të pakontrolluar. Tani që masat janë lehtësuar dhe palestrat janë hapur, tendenca dhe lufta psikologjike për heqjen e peshës po del të jetë e vështirë. Syri Kosova sjell më poshtë këshilla dhe forma se si duhet fituar vetëbesimi në këtë ‘betejë’

Erdonit HOXHA

Ora 02:00 e mëngjesit për disa njerëz është koha më e mirë për t’u ushqyer, anipse kjo kohë nuk është aspak e përshtatshme që organizmi të mbushet me ushqim.

Mirëpo, në kohën kur të gjithë u izoluam në shtëpi për shkak të COVID-19, ora më nuk ka pasur rëndësi për të ngrënë, pasi, qëndrimi kot në një vend, ka nxitur edhe më shumë dëshirën për t’u ngopur.

Kjo ka bërë që njerëzit të shtojnë peshë me të madhe, duke u bërë akoma më të rrezikuar që të preken nga koronavirusi, që më shumë sulmon personat me mbipeshë.

Sidoqoftë, shtimi i peshës apo humbja e saj, kanë ndikim të madh psikologjik të njerëzit. Për Syri Kosova këtë gjë e tha psikologu Fitim Uka, i cili tregoi pikat ku më së shumti ‘goditet’ psikika për shkak të ndryshimeve në trup.

“Praktikisht, ndryshimi i stilit të jetesës në kohën e pandemisë, e ka ndikuar edhe në shprehinë e të ushqyerit.  Jo përherë kemi rastet e ushqyerjes që kanë rezultuar me mbipeshe, ndonjëherë të ushqyerit pa orar ka ndikuar edhe në humbjen e peshës. Por, edhe në rastin e parë edhe në rastin e dytë, rezultati në aspektin psikologjik është  i njëjtë. Pra, kequshqyerja e ndikon shëndetin psikik, në sensin e vetërregullimit kognitiv, stabilitetit emocional, vëmendjes dhe motivimit” tha Uka.

Gjithashtu, ai shtoi se fillimi i ndryshimit te vetja është një periudhë shumë e vështirë për ata me mbipeshë, pasi heqja dorë nga ushqimet e shijshme, është e papranuar për ta.

“Po ashtu, është e rëndësishme të thuhet që njerëzit do ta kenë të vështire që t’i kthehen jetës normale pas përfundimit të Covid-19 dhe shumë prej atyre që shtojnë peshë, do ta kenë më të vështirë që t’i nënshtrohen regjimeve dietetike, duke qenë se stili i çrregullt i jetesës dhe në veçanti ushqimit, është me atraktiv” shtoi psikologu.

Uka po ashtu listoi edhe faktorët që ndikojnë te njerëzit që të marrin vendime për jetë të shëndetshme.

“Vetëm ata që kane një vetëkontroll të përsosur, ia dalin në fakt që të rezistojnë në raport me tundimin për ushqime të mira dhe të pashëndetshme dhe t’i zëvendësojnë ato me ushqime te shëndetshme. Deri aty është një rrugë e gjatë, qe varet edhe nga qëllimi që i ve vetës një person, nga mënyra se si e menaxhon qëllimin, por edhe nga mbështetja që mund të marrë nga të tjerët, rrethi i ngushtë familjar apo shoqëria” përfundoi ai.

Bindja për të hequr dorë nga jeta e pashëndetshme është një punë që e bën secilën ditë edhe trajneri Samir Morina.

Morina për Syri.net Kosova tha se me klientët e tij gjëja e parë që bën është t’u tregojë atyre se çka do të thotë një jetë me vitalitet të plotë.

“Fillimisht ndalem te pjesa e benefiteve që ka jeta dhe ushqimet e shëndetshme, si ndryshon organizmi pas fillimit të kësaj procedure dhe me fakte reale u tregojë se si bën mrekulli aktiviteti fizik. Për mua si trajner është me rëndësi ta kuptoj se çfarë jete ka kaluar klienti/ja deri në takimin tonë dhe analizoj organizmin e tij/saj, pastaj, vjen faza e bindjes përmes tri argumenteve: Bindja te vetja se duhet filluar kjo procedurë, duhet ushqyer shëndetshëm dhe duhet të bëj aktivitet fizik” tha Morina.

Po ashtu, trajneri i fituesit tregoi se ka kujdes të madh ndaj klientëve dhe njerëzve me mbipeshë, duke ua dhënë atyre mbështetjen e duhur.

“Pasi ua jap planet për ushtrime e dietë, krijoj lidhje shoqërore me ta, dal me ta, i motivoj gjithmonë, jam për ta ‘online’ 24 orë, në mënyrë që atyre të mos u ikë dëshira dhe motivi dhe ata të jenë të sigurt që po shkojnë në rrugë të duhur, pa e kthyer kokën prapa. Personat me peshë të madhe apo të vogël duan rezultate të shpejta, por, procesi di të jetë i ngadalshëm ndonjëherë, prandaj, patjetër duhet të mbahen të motivuar dhe duhet treguar se rezultat po arritin” shtoi trajneri.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mbështetje të madhe nga trajneri ka marrë edhe qytetari Arbër Salihu.

Salihu për Syri Kosova tha se që nga momenti që u takua me trajnerin e tij, nuk është dorëzuar asnjëherë në këtë ‘luftë’ që ka nisur.

“E shihja që barku po më rritej çdo ditë e më shumë, rrobat nuk më bënin më dhe nuk më pëlqente vetja. E vështirë për mua ka qenë heqja dorë nga byreku e jogurti, por, dikur u bë mjaft. I thash vetës se duhet të ndryshoj, por, rruga që mendoja ta nisja, e dija që ka qenë e vështirë. Mirëpo, me motivimin e trajnerit dhe me ndihmesat e tij, sot e kam shumë më të lehtë që të mos dorëzohem” theksoi Saliu.

Ai foli për peshën që ka hequr dhe për ndjesinë që po ia jep ky progres.

“Unë jam 25 vjeçar dhe po ndihem shumë më i ri, më i relaksuar, sidomos po ndihem shumë mirë kur po marr komente që kam ndryshuar për të mirë. Ky stil i jetesës është bërë përditshmëri e imja, nuk mendoj asnjëherë ta lë më” shtoi Arbëri.

Përpos dukjes, ushtrimet fizike dhe ushqimet e duhura për organizmin janë një çelës që ndikon në jetëgjatësinë e organizmit. Kjo gjë është vërtetuar dhe dëshmuar edhe nga OBSH.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco